Shkumbini, goleadë ndaj Vllaznisë
Shkumbini i ka dhënë një leksion futbolli Vllaznisë, duke mundur 4-0 ekipin shkodran dhe duke ndalur ecurinë pozitive prej 11 ndeshjesh radhazi për kuqeblutë. Skuadra peqinase ka dominuar lehtësisht përballë Vllaznisë që është shfaqur e pamotivuar dhe nuk ka arritur në asnjë moment të shfaqet pretendente për fitoren në këtë sfidë. Shkumbini ka gjetur shumë shpejt golin e avantazhit, kur në minutën e katërt ka qenë Roland Dervishi që ka fituar një 11-metërsh. Nga pika e bardhë ka ekzekutuar Qorri, i cili ka mposhtur pa vështirësi portierin Grima, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Reagimi i shkodranëve ka qenë shumë i dobët, pasi Sinani dhe Sukaj janë shfaqur shumë larg formës së tyre të zakonshme. Ndërsa Shkumbini ka shfrytëzuar më së miri epërsinë dhe ka arritur të dyfishojë shifrat para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën e 35-të ka qenë Stojku që ka tundur rrjetën e portës së grimës me një gjuajtje me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar saktësisht nga Qorri. Pavarësisht ndryshimeve taktike të Josës, loja ka folur edhe në pjesën e dytë për Shkumbinin, duke sjellë edhe golin e tretë në minutën e 67-të. Këtë radhë ka qenë Roland Dervishi ai që ka mposhtur Grimën pas një aksioni të gjatë në zonën e kuqebluve. Për të vulosur gjithçka ka menduar përsëri Stojku, i cili në minutën e 80-të ka shënuar golin e 6-të sezonal pas një kombinimi me të riun Mustafaj. Me rezultatin 4-0 janë mbyllur 90 minutat e ndeshjes që kanë mbajtur Vllazninë larg kreut ndërsa kanë afruar Shkumbinin me skuadrat e mesit të tabelës. Shkodranët mbeten në vendin e 6-të në kuotën e 22 pikëve, 9 larg Dinamos kryesuese të klasifikimit. Ndërsa Shkumbini është ngjitur në kuotën e 20 pikëve, duke qenë 7 pikë larg Besës që renditet në zonën e Kupave të Evropës, objektivi sezonal për skuadrën që drejtohet nga Magani.