Kryetari kunder historise
Vizita e kryetarit të Shqipërisë,
Bamir Topi, në Kosovë prej 25-
27 janar, në mediat e shkruara e
elektronike dhe në opinionin
shqiptar të Kosovës u quajt vizitë historike.
Dhe, u quajt, kështu, vizitë historike,
për arsye se u bë në prag të ngjarjes
më të madhe në historinë e Kosovës, të
ngjarjes së ëndërruar nga të gjithë brezat
e atdhetarëve gjatë një shekulli: në prag
të shpalljes së pavarësisë. U harrua se vizitat
zyrtare të politikanëve dhe shtetarëve
nuk mund të quhen historike vetëm
pse ndodhin në çaste me rëndësi historike.
Vizitat zyrtare të politikanëve dhe
të shtetarëve edhe më shumë sesa çasti
me rëndësi historike i bëjnë historike idetë
e tyre, gjykimet e tyre, largpamjet e
tyre, vizionet e tyre, më në fund, karakteri
i tyre i treguar në çastet historike.
Vizita zyrtare e kryetarit të Shqipërisë,
Bamir Topi, në Kosovë, përpos se u bë në
prag të ngjarjes së madhe, historike për
popullin e Kosovës dhe për popullin shqiptar
në përgjithësi, nuk kishte asgjë
tjetër historike. As ide, as gjykime, as largpamje,
as vlerësime, as vizione historike.
Përkundrazi: ajo kishte shumëçka të
vogël që nuk përkonte me ngjarjen e
madhe, në prag të së cilës ngjau. Fjalimet
që ai mbajti, së pari në institucionin më
të lartë politik të Kosovës - në Kuvendin e
Kosovës dhe, mandej, në institucionin
më të lartë të arsimit, të shkencës dhe të
edukimit moral e atdhetar të rinisë shqiptare
- në Fakultetin e Filologjisë të
Universitetit të Prishtinës, ishin fjalime
tipike burokratike, të cilave u mungonte
ajo që pritej ta kishin: larghedhja në
gjykime dhe shpirtgjerësia në vlerësime.
Në vend se ta shikonte Kosovën nga
lartësia mendore dhe morale e kryetarit
të shtetit, që qytetarët e Kosovës e quajnë
shteti Amë, ashtu siç e shikuan kur
ishin në Kosovë paraardhësit e tij ish-kryetari
Rexhep Meidani dhe ish-kryetari
Alfred Moisiu, ai e shikoi nga niveli i një
partie - i partisë së cilës i takon!
Dhe, shikimi i tillë, i partishëm, madje,
palejueshëm i partishëm, i bëri fjalimet
e tij intelektualisht boshe, historikisht
të papërgjegjshme, politikisht polarizuese!
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu, e para, për
arsye se kryetari Bamir Topi kishte harruar
se Kosova ka bërë luftë, ka bërë një
luftë që në historiografi nuk ka se si të
quhet ndryshe përpos luftë çlirimtare
dhe, e dyta, për arsye se ai ishte kryetari
i parë i Shqipërisë, të cilit gjatë këtyre 95
vjetëve prej se Kosova i është shkoqur me
dhunë Shqipërisë, i është bërë e mundshme
të flasë para popullit të Kosovës në
Kuvendin e Kosovës. Për kryetarin e Shqipërisë,
të shtetit Amë, lufta çlirimtare
do të duhej të ishte Pikënisja, që përcakton
gjykimet dhe vlerësimet e tij për organizata
politike, për veprimtarë politikë,
për procese politike, për ngjarje dhe
të arritura sot në Kosovë.
Por, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi,
sikur kishte harruar se në Kosovë është
bërë kjo luftë, se në uniformë të një ushtrie
kombëtare, e quajtur Ushtria Çlirimtare
e Kosovës, në këtë luftë kanë rënë
afër dymijë dëshmorë, se në këtë luftë
shqiptarët kanë pasur mbi dhjetëmijë të
vrarë, të masakruar - djem, vajza, fëmijë,
pleq, se gati një milion shqiptarë janë
dëbuar me dhunë nga Kosova, disa qindra
nga të cilët kanë gjetur strehimin,
bukën, mjekimin, kujdesin vëllazëror në
Shqipërinë shtetërore.
Në fjalimin e kryetarit të Shqipërisë,
Bamir Topi, në Kuvendin e Kosovës, as
nuk u përmend fjala luftë çlirimtare, as
nuk u përmend ajo që e bëri këtë luftë:
Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe, sipas
të gjitha gjasave nuk u përmend lufta çlirimtare,
sepse kryetarit Bamir Topit nuk
ia qitte goja tri fjalët: Ushtria Çlirimtare e
Kosovës. Pse nuk ia qitte goja fjalën UÇK
e di, natyrisht, kryetari Bamir Topi, e di
kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Sali Berisha, por e dinë edhe ata
që kanë mësuar për qëndrimin e dikurshëm
të Partisë Demokratike të Shqipërisë
ndaj luftës çlirimtare në Kosovë,
ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që
këtë luftë e ka bërë dhe ndaj Konferencës
së Rambujesë në të cilën merrte pjesë
edhe delegacioni i UÇK-së.
Në qoftë se i mungoi vetëdija historike
për të njohur nga tribuna e Kuvendit të
Kosovës meritën historike të UÇK-së për
çlirimin e Kosovës, për mbajtjen e Konferencës
së Rambujesë, për vendosjen e
NATO-s dhe të UNMIK-ut në Kosovë dhe,
më në fund, për ngjarjen e madhe në prag
të së cilës gjendet Kosova sot: për shpalljen
a afërme të pavarësisë së saj, kryetarit
Bamir Topi nuk i mungoi gatishmëria
që të shquajë njeriun e me të edhe
partinë politike që prej çastit të formimit
të UÇK-së u ngrit kundër saj, që bëri
shumë përpjekje të komprometonte
UÇK-në para faktorëve ndërkombëtarë,
njeriun që gjatë bombardimeve u takua
me kryetarin e Serbisë - kriminelin e
luftës, Millutinoviç, në Prishtinë dhe me
kryetarin e Jugosllavisë së mbetur -
kriminelin e luftës, Millosheviç, në Beograd,
që në Beograd para mediave elektronike
e kërkoi ndërprerjen e bombardimeve
si kusht për paqe në Kosovë e kjo
domethënë për amshimin e pushtimit
serb të Kosovës dhe që, më në fund, kur
u kthye prej Beogradit në Prishtinë i filloi
përpjekjet për krijimin e qeverisë kuislinge,
që përfunduan me pasoja tragjike
për dikë që refuzoi të hynte në këtë
qeveri tradhtare! Dhe, këto janë të dhëna
para të cilave as historianë, as politikanë
nuk mund të qëndrojnë symbyllur
e gojëkyçur kur flasin për vitin 1999 dhe
për pavarësinë e pritur të Kosovës.
Sado për nga vokacioni i parë - shkencëtar
e kjo domethënë njeri që do të
duhej t‘u bindej fakteve, kryetari i Shqipërisë,
Bamir Topi, mohoi, kështu, faktet
që tashmë dihen dhe themeluesin e
UÇK-së dhe nismëtarin e luftës çlirimtare,
Adem Jasharin, pa ngurrim e zëvendësoi
nga mohuesi i tij dhe i gjithë
luftës çlirimtare në Kosovë!
Dikush do të thotë se kryetari Bamir
Topi, megjithatë, e vizitoi shtëpinë e Jasharajve
dhe bëri nderime në varrin e
Adem Jasharit. Kjo, ndërkaq, në asnjë
mënyrë nuk e arsyeton fjalimin e tij në të
cilin u hesht emri i Adem Jasharit, Ushtria
Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare
në Kosovë! Tjetër është vizita protokollare
e tjetër është fjalimi "historik"
në Kuvendin e Kosovës.
Po, nuk ishte fjalimi i kryetarit Bamir
Topi në Kuvendin e Kosovës paraqitja e
vetme e tij e papranueshme në Prishtinë.
Paraqitja e tij e dytë e papranueshme
ishte ajo në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit
të Kosovës.
Megjithëse rektori i Universitetit të
Prishtinës, Enver Hasani, e përkujtoi se
titulli ‘Dr honoris causa" i është "ndarë
Presidentit Topi si falënderim për
mbështetjen e parezervë të shtetit shqiptar
ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës në gjirin e së cilës
ishin edhe studentët e këtij universiteti",
kryetari Bamir Topi e quajti të
lejueshme që edhe këtu të flasë si partizan
partiak në vend që të fliste si kryetar
i Shqipërisë. Këtu ai, në fillim, përmendi
emrat e disa studentëve pjesëmarrës në
demonstratat historike të vitit 1981, shumica
e të cilëve sot janë në politikë dhe i
heshti plotësisht, si të mos kishin qenë
kurrë, studentët e shumtë të këtij universiteti
që dhanë jetën në luftën çlirimtare
si pjesëtarë të UÇK-së.
Kjo amnezi morale e kryetarit Bamir
Topi, padyshim, nuk ishte e rastësishme.
Mosmarrëveshja e kryetarit Bamir
Topi me luftën çlirimtare dhe me UÇKnë,
që e bëri këtë luftë, nuk mori fund me
kaq. Në vazhdim të fjalës së tij, ai e quajti
të nevojshme të merret pakëz, por paharrueshëm,
me pedagogët e këtij universiteti.
Dhe, si u mor me ta? Nga radhët e
shumë pedagogëve të këtij universiteti
ai u lejua të veçojë shtatë-tetë që, sipas
mendimit të tij partiak, ishin apo, më saktë,
sipas dëshirës së tij partiake, do të
duhej të ishin njerëzit më të merituar për
punën dhe historinë e Universitetit të
Prishtinës, dikur i quajtur Universiteti i
Kosovës. I dinte vetë këta emra apo ia
kishin futur në fjalim bashkëpunëtorët
e Presidencës a suflerët e Prishtinës nuk
është e rëndësishme. E rëndësishme
është se tre prej këtyre nuk kishin qenë
kurrë pedagogë në këtë universitet,
kurse njëri nga këta të tre, ndërkaq, edhe
nuk mund të bëhej pedagog sepse kishte
të mbaruar vetëm shkollën e mesme!
Pse, atëherë, kryetari i Shqipërisë i veçoi
si pedagogë më të merituar të Universitetit
të Prishtinës vetëm këta shtatëtetë
vetje? Pse kryetari i Shqipërisë, Bamir
Topi, si pedagogë të lavdishëm të Universitetit
të Kosovës i shpalli edhe ata që
kurrë nuk kanë punuar në këtë universitet
ndërsa harroi, shpërfilli, gjithë ata
pedagogë, vërtet, të merituar - mjekë me
doktorata, kimistë, fizikanë, matematikanë,
ekonomistë, pedagogë, psikologë,
romanistë, anglistë, latinistë, historianë,
historianë të letërsisë, gjuhëtarë, e të
tjerë, që ia kushtuan gjithë jetën këtij
universiteti? E bëri këtë vlerësim të
gabuar, të paqëndrueshëm dhe të
palejueshëm, kryetari Bamir Topi vetëm
e vetëm pse gati të gjithë ata që përmendi
ishin anëtarë të një partie në Kosovë,
pse deshi të shquajë anëtarët e kësaj
partie politike të Kosovës pothuaj të binjakëzuar
me Partinë Demokratike të Shqipërisë?
E bëri këtë vlerësim të gabuar e
të palejuar kryetari Bamir Topi, sepse
deshi të rishkruajë historinë e Universitetit
të Prishtinës ashtu siç ka kërkuar
kryetari i Partisë së tij, Sali Berisha, që të
rishkruhet historia e Shqipërisë shtetërore
dhe e shqiptarëve në përgjithësi?
Pse jo? Mbasi në Kuvendin e Kosovës
e "rishkroi" historinë më të re të Kosovës
ashtu siç po kërkon Kryeministri i Shqipërisë
shtetërore që të rishkruhet historia
ushtarako-politike e Shqipërisë shtetërore,
në Universitetin e Kosovës kryetari
Bamir Topi e "rishkroi" historinë e
këtij universiteti!
Ndërkaq, se do t‘i zbatojë kërkesat e
kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Sali Berisha, kryetari Bamir Topi
e tregoi trefish prej se u bë kryetar i Shqipërisë.
Së pari, e tregoi kur me nënshkrimin e
tij e shkarkoi kryeprokurorin Theodori
Sollakun të cilin, paraardhësi i tij, ish-kryetari
i Shqipërisë, Alfred Moisiu, nuk gjeti
arsye as kushtetutare, as politike, as
morale që ta bënte këtë!
Së dyti, e tregoi kur me nënshkrimin e
tij e cenoi rëndë autonominë e Akademisë
së Shkencave të Shqipërisë, duke
shpërfillur dhe, madje, duke fyer
anëtarët e saj dhe e shkarkoi kryetarin e
posazgjedhur ligjërisht, akademik Rexhep
Meidanin!
Së treti, e tregoi pak para se të vinte në
Kosovë, kur me nënshkrimin e tij e bëri të
plotfuqishëm ligjin me të cilin librat, revistat
dhe botimet e tjera shqip të importuara
nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e
diaspora dhe librat, revistat e botimet e
tjera në gjuhë të huaja të importuara nga
bota i ngarkoi me tatim prej 20 për qind -
e bëri të plotfuqishëm ligjin paramodern,
pra, që veçon (izolon) Shqipërinë shtetërore
nga Kosova, viset e tjera kombëtare
dhe nga bota në pikëpamje shkencore,
letrare e kulturore, duke cenuar
ashtu përpjekjet për funksionimin e
lirshëm të hapësirës kulturore kombëtare
dhe për evropianizimin e krijimtarisë
shpirtërore shqiptare!
Dhe, kështu, prej se u bë kryetar i Shqipërisë,
Bamir Topi, me nënshkrimet e
tij mbi ligjet dhe vendimet e qeverisë së
Sali Berishës i çoi botës mesazhe me të
cilat u tregua se Shqipëria shtetërore nuk
e ka kaluar fazën e parë të demokratizimit;
se një institucion i saj - qeveria, i
kontrollon edhe institucionet që në
demokraci janë të pavarura - Kuvendin,
Kryetarin, Gjyqësorin; se në Shqipëri institucionet
vazhdojnë të jenë institucione
mikste, me veçori të pakta të
demokracisë e me veçori të shumta të
autoritarizmit!
Nuk janë mungesa e pavarësisë së tij
vepruese si kryetar i shtetit e treguar në
shembujt e sipërthënë dhe partishmëria
e tij si kryetar i shtetit e treguar papranueshëm
në Kuvendin e Kosovës e në
Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të
Prishtinës, të vetmet të dhëna që e bëjnë
të paarsyeshëm nderimin e Bamir Topit
me titullin Dr. Honoris Causa. Megjithëse
në arsyetimin për dhënien e këtij çmimi
thuhet se ai i jepet kryetarit Bamir Topi
për kontributin e tij personal "për
zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës",
mendja objektive nuk e pranon
këtë arsyetim: kryetari i Shqipërisë, Bamir
Topi, nuk shquhet me merita për
"zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës".
Ai është zgjedhur kryetar i Shqipërisë
para afër gjashtë muajsh dhe
për gjashtë muaj nuk ka mundur të bëjë
shumë "për zgjidhjen e statusit të Kosovës".
Gjatë këtyre gjashtë muajve ai ka
përsëritur ato që janë shqiptuar prej diplomatëve,
politikanëve e shtetarëve
amerikanë dhe evropianë, që s‘do t‘i shqiptonte
kurrë po të mos i shqiptonin
ata. Më në fund, tani është e lehtë të
bëhet "shumë" për zgjidhjen e statusit të
Kosovës, domethënë për pavarësinë e
Kosovës. Tani për zgjidhjen e statusit të
Kosovës, për pavarësinë e Kosovës, janë
deklaruar përfundimisht shtetet prej të
cilave varet ky status: SHBA-të dhe shtetet
e mëdha të Bashkimit Evropian.
Punët për t‘u bërë e mundshme që SHBAtë
dhe Bashkimi Evropian, më në fund,
të deklarohen për pavarësinë e Kosovës
janë bërë përpara, para luftës, duke filluar
nga viti 1981, e sidomos, gjatë luftës
- në kohën kur zëri i Bamir Topit për Kosovën
nuk është dëgjuar fare, në kohën
kur kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Sali Berisha, i caktonte Kosovës
si status përfundimtar autonominë në
kuadrin e Jugosllavisë së mbetur, kur ai e
quante Kosovën djep që u takon
përgjysmë binjakëve të rritur në të shqiptarë
e serbë, kur ai furnizonte Malin e
Zi e Serbinë me naftë me të cilën punonin
tanket, autoblindat dhe helikopterët
e ushtrisë e të policisë serbe me të cilët
vriteshin të rinjtë shqiptarë, pjesëtarët e
UÇK-së dhe masakrohej popullsia shqiptare,
kur ai çohej kundër Konferencës
së Rambujes!
Siç dihet, për punën e bërë në kohën e
duhur për zgjidhjen e statusit të Kosovës,
në Shqipëri janë të merituar të tjerë e jo
Bamir Topi dhe kryetari i Partisë së tij, Sali
Berisha: janë të merituar, në radhë të
parë, ish-kryetari i Shqipërisë në kohën
e luftës në Kosovë, Rexhep Meidani, ishdeputeti
dhe kryetari i Këshillit për politikë
të jashtme në Kuvendin e Shqipërisë,
Sabri Godo, ish-kryeministri i
Shqipërisë, Pandeli Majko dhe ish-kryetari
i Shqipërisë, Alfred Moisiu. E të tjerë.
Në qoftë se Kryeministri i Shqipërisë,
Sali Berisha, është i vendosur të rishkruajë
historinë e re shqiptare ashtu siç po
shohim se po bën në Shqipërinë shtetërore
dhe ashtu siç deshi ta rishkruajë
kryetari Bamir Topi në Kuvendin e Kosovës
dhe në Amfiteatrin e Fakultetit të
Filologjisë të Universitetit të Prishtinës,
senati dhe rektori i Universitetit të Prishtinës
nuk do të duhej ta bënin këtë. Jo.
Kurrsesi. Universitetet janë institucione
të arsimit, të shkencës e të etikës dhe prej
tyre duhet të rrjedhin vendime, gjykime e
vlerësime të drejta, objektive e të ndershme,
që mbesin në histori e jo vlerësime
të çastshme konjukturale. Po, mund të
jetë se nderimi i kryetarit dhe i nënkryetarit
të Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Sali Berisha e Bamir Topi, tani Kryeministër
dhe kryetar i Shqipërisë, nuk lidhet
fare me zgjidhjen e statusit të Kosovës! Ajo
që dëgjuam në Kuvendin e Kosovës dhe
në Amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë të
Universitetit të Prishtinës është një histori
e falsifikuar dhe një politikë e partishme,
polarizuese, që në vend se shëndoshjes
morale, u shërbejnë atyre që po
shohim e po dëgjojmë përditë në jetën
tonë politike, shkencore dhe kulturore:
gënjeshtrave, korrupsionit mendor dhe
rënies shpirtërore të shoqërisë shqiptare.