Devi Muka: Shpresoj të jem në derbin e së shtunës me Partizanin
Katër muajt që ka qëndruar jashtë fushe i kanë sjellë një dëshirë të çmendur për të luajtur. Devi Muka ka veshur përsëri këpucët e sportit dhe është rikthyer në stërvitjet me grupin. Operacioni në gju, pas dëmtimit të pësuar në muajin tetor, duket një histori e kaluar, pasi kapiteni bardheblu tashmë ndjehet shumë mirë, edhe pse ajo që i mungon është forma optimale fizike. "Ndjehem shumë mirë fizikisht. Sot u riktheva në stërvitjen me grupin pas një kohe të gjatë", tha mesfushori vlonjat. "Gjatë gjithë kësaj kohe kam bërë rezonanca manjetike dhe kontrolle të ndryshme dhe të gjitha kanë qenë shumë pozitive. Nuk kam më asnjë problem dhe tashmë do filloj përgatitjet për të luajtur përsëri dhe për të dhënë kontributin tim për Tiranën". Dëshira e Mukës është të luajë që prej së shtunës, ditë kur skuadra e Sulejman Memës përballet me Partizanin. Një ndeshje jo vetëm për t‘u futur në garën për titull, por një derbi që për asnjë arsye në botë ai nuk do të donte ta humbiste. Megjithatë, qëndron problemi i gjurit. "Dëshira është që të luaj të shtunën, pasi derbi me Partizanin ka një shije të veçantë nga çdo sfidë tjetër, pohoi kapiteni i kampionëve në fuqi. Megjithatë, pas shumë muajsh është hera e parë që stërvitem me grupin dhe më mungon forma optimale fizike. Shpresat ekzistojnë, por më parë duhet të presim deri në fund të javës. Do të vazhdoj të punoj normalisht, ndërsa vendimi për të luajtur do të vijë vetëm pasi të konsultohem me stafin teknik dhe me mjekët". Pavarësisht dëshirave, 31-vjeçari zgjedh të jetë i kujdesshëm, pasi një tjetër dëmtim mund të komprometonte pjesën e mbetur të sezonit. Kjo edhe për shkak të problemit që lojtari ka ndjerë përpara një muaji, kur sapo kishte filluar stërvitjen e diferencuar. "Kam punuar shumë për t‘u rikthyer dhe nuk do më pëlqente që për një veprim të nxituar të vazhdoja kalvarin e vuajtjeve. E them këtë pasi nuk dua të përsëritet gabimi i përpara një muaji, kur fillova të stërvitesha, por ndjeva shqetësime që më detyruan të qëndroja përsëri pushim, përfundoi lojtari. Në momente të tilla, kujdesi është gjëja kryesore. Deri më tani kam punuar shumë, me dy seanca stërvitore në ditë: paradite në palestër dhe pasdite në fushë. Shpresoj të jem sa më shpejt gati, mundësisht që prej së shtunës".