E Diel, 1 Nëntor 2026

Astma, sëmundja që prek mijëra frymëmarrje çdo ditë, mjekët: Diagnoza e hershme, çelësi për një jetë pa kriza

Rreth 140 mijë individë në Shqipëri janë të prekur nga astma bronkiale, ndërkohë që në botë çdo ditë humbin jetën rreth 1000 persona për shkak të komplikacioneve.

Astma është sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes ku mushkëritë, për shkak të faktorëve gjenetikë dhe ambientalë, bëhen shumë të ndjeshme duke shkaktuar një sërë simptomash.

“Kolla, shtrëngimi në gjoks, vështirësia në frymëmarrje dhe fishkëllima në gjoks janë simptoma që shpesh shoqërohen me ndjesinë sikur ajri kalon përmes një rruge të ngushtuar. Kjo gjendje mund të përkeqësohet nga ekspozimi ndaj tymrave, ndotjes së ajrit dhe faktorëve të ndryshëm ambientalë. Gjithashtu, prania e alergjenëve dhe obeziteti konsiderohen faktorë të rëndësishëm rreziku që mund të ndikojnë në shfaqjen ose përkeqësimin e këtyre simptomave”, tha Juliana Gjoni, Pneumologe, S.U. “Shefqet Ndroqi”.

Më të rrezikuarit për t’u prekur janë personat me histori familjare dhe ata alergjikë, ndërsa përqindjen më të lartë e kanë fëmijët dhe të rinjtë.

“Fëmijët e lindur prematurë, si edhe ata të nënave që kanë qenë të ekspozuara ndaj faktorëve të dëmshëm gjatë shtatzënisë (si tymi i duhanit apo ndotja), paraqesin një rrezik më të lartë për zhvillimin e problemeve respiratore. Po ashtu, fëmijët me peshë të ulët në lindje dhe ata që kanë përjetuar infeksione të shpeshta të rrugëve të frymëmarrjes gjatë fëmijërisë janë më të predispozuar. Të gjithë këta faktorë lidhen me një rritje të rrezikut për zhvillimin e astmës bronkiale”, tha ajo.

Standardi i artë për një diagnozë të saktë është spirometria, e cila kryhet pranë dispancerisë.

“Ajo është një metodë jo invazive që mat sasinë e ajrit që hyn dhe del nga mushkëritë tona, si edhe shpejtësinë me të cilën ne jemi në gjendje ta nxjerrim atë“, nënvizoi ajo.

Por edhe këtu duhet bërë kujdes, pasi në stadet e para spirometria del normale, pavarësisht se ka kollë të vazhdueshme.

“Ajo është një kollë që në disa raste e zgjon pacientin edhe gjatë natës. Shpesh është mbytëse dhe shoqërohet me infeksione të shpeshta të rrugëve të frymëmarrjes. Edhe pse pacienti mund të marrë mjekim, simptomat mund të rikthehen dhe të pësojnë acarime të vazhdueshme”, theksoi mjekja.

Një individ me astmë bronkiale duhet të ketë plan veprimi të personalizuar për trajtim dhe të mos neglizhojë në asnjë moment marrjen e medikamenteve.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›