E Diel, 1 Nëntor 2026

"Aventura ime nga Guantanamo në Tiranë"

Abu bakker Qassim, një prej pesë shtetasve kinezë të etnisë uigure, që mbërritën në Tiranë 5 majin e vitit 2006, direkt nga burgu i Guantanamos, rrëfen në një intervistë për emisionin "Exclusive" në "Top Channel", aventurën shqiptare që zgjat prej më shumë se një viti. Qassim, tashmë qytetar shqiptar e konsideron vendin tonë mik, por që ende s‘është bërë atdheu i dytë...

Ǒdinit për Shqipërinë në kohën që jeni njoftuar se do të deportoheshit në këtë vend?

Që në moshën 15-vjeçare e kam njohur Shqipërinë. E dija se ishte një shtet komunist. Jam njohur me të, kur isha fëmijë. p.sh. ka qenë një film me titullin "Ylli i kuq", një film shqiptar. Është shfaqur edhe në Kinë dhe unë aty jam njohur me të si vend. Si një vend komunist.

A ua kujtonte Shqipëria periudhën e miqësisë bolshevike shqiptaro-kineze, a kishit dijeni për këtë miqësi?

Nuk e dija se ka një miqësi mes Kinës dhe Shqipërisë. S‘kam pasur asnjë informacion për këtë.

A mendonit se kthimi juaj në Shqipëri mund të kishte lidhje me këtë traditë miqësie?

Jo, nuk mendoj se kishte lidhje ose të paktën kështu më duket mua.

Apo mendonit se Shqipëria ishte zgjedhur si një vend me popullsi shumicë myslimane?

Unë dija vetëm se këtu ka një popullsi shqiptare dhe asgjë tjetër lidhur me besimin fetar. Nuk kisha asnjë lloj informacioni, sepse unë e njihja Shqipërinë shumë pak vetëm si një vend komunist që do të thoshte se ishte dhe ateist.

Si e kishit përfytyruar pritjen në Shqipëri?

Kur më thanë, në maj 2006, që do të vinim në Shqipëri, unë u thashë se çfarë do të bëjmë ne atje? Ai është një shtet komunist. Dhe ne po vijmë nga një shtet komunist, përse do të na çoni atje përsëri? Ata na thanë se ai vend ka 16 vjet që ka ndryshuar sistem... Brenda 2 muajve do t‘iu japin shtëpi, lekë dhe pasaportë. Prandaj është biseduar për gjithçka. Për këtë arsye nuk keni pse ta refuzoni, sepse ky vend nuk është më, komunist.

Por a ua dhanë ato pasaporta dhe të tjera që u premtuan?

(qesh)Të lutem mos më bëj pyetje të tilla se i bie pastaj të hyj në politikë. Kemi bërë një pakt që s‘do të më pyesësh për gjëra që s‘jam i autorizuar t‘i them...

Por të paktën më thuaj a ke një shtëpi tënden?

...( qesh ) Jo nuk kam ... jetoj me qira ... edhe këtë pas një viti e morëm...

Po lekët e premtuara?

Thamë se nuk do flasim për shumë hollësi.....jo nuk i morëm. Kaq.

A ju ka shkuar në mendje se duke ardhur në Shqipëri vinit nga një burg i vogël në një "burg të madh", në kuptimin që ky vend kontrollohej politikisht nga Uashingtoni edhe prej së largu?

Nuk dua t‘i përgjigjem kësaj pyetje, sepse kjo është një pyetje politike...

Cila ishte përshtypja e parë për Shqipërinë sapo zbritët në Rinas?

Pas një udhëtimi 13 orë, arritëm në Rinas. Ishte shumë errësirë. Në moment mendova që zbritëm në Kinë dhe vetëm pas çerek ore, pasi u shfaqën tri makina në Rinas, në atë errësirë, me njerëz brenda të veshur me pamje evropiane, arrita të kuptoj që nuk jam në Kinë. Bekova veten dhe falënderova Allahun. Isha në Shqipëri. Atë natë që udhëtuam për në Tiranë deri në atë moment mendoja se Shqipëria është një vend i madh, por kur mbërritëm në qendrën e refugjatëve, kuptova se ishte një vend i vogël.

A keni qenë të vëmendshëm ndaj mënyrës si e trajtoi çështjen tuaj shtypi ynë?

Problemi qëndron me shtypin shqiptar, sepse mënyra se si është trajtuar çështja jonë është shumë e keqe, sepse asnjë gazetar, nuk ka ardhur të na intervistojë që të marrë opinionet direkt tonat. Madje, një gazetë ka shkruar që Abu Kabir (unë) është dhe lideri i këtyre 5 uigurëve, gjë që është e pavërtetë, sepse nuk ka qenë ndonjëherë kështu dhe madje u kam kërkuar që të më pyesin që të shkruajnë të vërtetën, jo thjesht për të mbushur faqen e për ta shitur gazetën nga ana komerciale. Gazetaret këtu nuk punojnë mirë... nuk mund të quhet gazetari ajo që të marrësh info nga interneti, nga shtypi i huaj, të përkthesh kur ke mundësinë të kontaktosh, të flasësh dhe t‘i sqarosh gjërat. Asnjeri nuk ka shkruar për familjen time që kam 8 vjet pa e parë, as për fëmijët, dhe natyrisht ko nuk është diçka e bukur, nuk është diçka profesionale e aq më tepër njerëzore. Këtu me sa duket shtypi i bën punët, shkel e shko.

A keni mall për familjen? Sa fëmijë keni dhe si po e suportoni të qëndroni kaq shumë vite larg saj?

Kam 8 vjet që s‘i kam parë. Im atë vdiq kur isha në burg dhe natyrisht unë dua t‘i takoj, por nuk jam fare i sigurt që mund t‘i takoj ndonjëherë. Do të përpiqem të bëj më të mirën e mundshme për jetën time këtu që ta lehtësoj këtë dhimbje që kam ..por natyrisht puna më mban larg trishtimit ...

Dy vjeç e gjysmë e kam lënë fëmijën e madh pastaj u bëra me dy binjakë, të cilët nuk i kam parë më, dhe në momentin që flas me fëmijët në telefon ata nuk e zgjasin shumë, sepse mendojnë se nuk jam i ati i tyre.... e kalojnë te gruaja telefonin.... aq rrallë sa mund të flasë dhe me vjen shumë keq që fëmijët shqiptarë na quajnë me atë epitetin që u përmenda qëparë. Ndërkohë që unë çdo fëmijë e shoh si fëmijën tim dhe prandaj u mora në këtë projekt, për të kontribuar për fëmijët...

A keni ndërmend të krijoni familje?

Kam angazhime të tjera tani. Të cilat janë për të mësuar gjuhën shqipe për të mësuar kurset profesionale për të kontribuar sa mundem, në jetën sociale të këtij vendi dhe kush e di. Asnjëherë nuk e kam menduar deri në këtë moment.

A i kuptoi opinioni shqiptar shqetësimet tuaja?

Shumica e shqiptarëve na presin shumë mirë. Sigurisht që nuk mund të pretendosh se të gjithë të kenë një mendim pozitiv. Mua ajo që më shqetëson dhe më mërzit është ajo që has madje dhe te fëmijët, të cilët thonë kur unë kaloj se: ja këta terroristët apo kinezët. Unë dua të shpjegoj se kinezët nuk janë uigurë. Pra, nuk janë nga Turkistani Lindor dhe ne nuk jemi kinezë. Këta janë dy kombe të ndryshme. Edhe prindërit e këtyre fëmijëve nuk e dinë se çfarë do të thotë terrorist. Vetë amerikanët na shpallen totalisht të pafajshëm e ky lloj opinioni na mundon, sigurisht, na lodh e na mërzit.

Si mendon i kujt është faji?

Ne ishim tregtarë para se të fillonte kjo histori që njihet tashmë. Dhe në Pakistan kishim shkuar për tregti dhe aty na dorëzuan si terroristë, tek amerikanët e pastaj përfunduam në Guantanamo e pas 3 vjet e gjysmë, s‘kishim pikë lidhje me atë çfarë na kish ndodhur. Për Guantanamon, them se, duhet të mbyllet ky lloj burgu. Është një burg i tmerrshëm. Dhe kjo vlen për gjithë njerëzimin. Për gjithë popujt. Është vërtetuar se janë vetëm njëmbëdhjetë anëtarë të Al-Kaedës, terroristë të këtij grupi, sepse të tjerët nuk janë vërtetuar ende, nëse kanë lidhje apo jo me këtë organizatë. Të tjerët mund të jenë të pafajshëm ashtu siç ishim dhe ne. Në këtë mënyrë po ta mendosh është domosdoshmërisht e nevojshme të mbyllet ky burg, sepse sipas meje nuk i vlen askujt një burg i tillë. Aq më shumë një burg i ngritur nga një vend demokratik….

A mund të quhet çështje e mbyllur çështja juaj, në kuptimin që e keni pranuar fatin tuaj, jeni pajtuar me qëndrimin e përhershëm në Shqipëri?

Asgjë nuk dihet, por e vetmja gjë që dimë dhe e vlerësojmë është gatishmëria e popullit shqiptar për pranimin në gjirin e tyre, që ne tashmë e konsiderojmë si atdheun tonë të dytë. Përforcoj se mes gjithë atyre shteteve ekonomikisht të fuqishme, të cilat nuk pranuam ekstradimin tonë, falënderoj Shqipërinë dhe shpreh mirënjohje për të. Dhe me gjithë zemër në emër të gjithë shokëve të tjerë e falënderoj popullin shqiptar që na krijoi këtë mundësi. Unë do të rri në Shqipëri, por dua që të kem kushtet e nevojshme për të jetuar në këtë vend e ta ndiej vërtet, si një atdhe të dytë. Unë do të vazhdoj të bëj përpjekjet maksimale për të kontribuar në jetën e përditshme shqiptare në përpjekje për të përmirësuar disa gjëra që këtu mungojnë, si uji, dritat dhe disa probleme ekonomike të theksuara, edhe unë ndihem i detyruar të bëj maksimumin për atë çfarë më takon.

Nëse do të kishit mundësi, do të zgjidhnit një vend tjetër?

Realisht nuk kam menduar ndonjëherë të largohem dhe për aq kohë sa jam këtu, nuk mund të rri pa kontribuar për atë çfarë më takon si qytetar i këtij vendi.

Sa dhe ku e sheh veten të përfshirë?

Pasi biseduam me pronarin e një restoranti në Tiranë, mendova që të marr pjesë në një projekt të tijin për mbjelljen e fidanëve nëpër shkolla, pasi pema është bukuri, pema është poezi, është jetë dhe unë mendova që të merrja pjesë. Unë mendoj se edhe fëmijët shqiptarë, tani për Turkistanin Lindor (uigurët)të fillojnë të mendojnë gjëra të mira, pozitivisht. Kështu pasi bëra pilafin, pjatën time tradicionale, duke prezantuar dhe kulturën kulinare të vendit tim, me të ardhurat e këtyre pjatave, shpresoj të mbillen pemë, në shkollat e kryeqytetit, një projekt që është mirëpritur edhe nga Bashkia e Tiranës dhe kreu i saj, Edi Rama.

A kanë uigurët pasaportë shqiptare dhe a marrin pjesë ata në jetën publike të vendit? A votojnë uigurët?

Pas 9 muaj qëndrimi na dhanë një dokument udhëtimi që nëse na japin vizë, në shtetet ku mund të duam të lëvizim mund të udhëtojmë. Por pas 5 vitesh do të pajisemi me pasaportë.

A votoni ju?

Pas 5 vjetësh na kanë thënë se edhe mund të votojmë ...

Keni miq shqiptarë?

Kam miq shumë turq, shqiptarë dhe në xhami kur shkoj për t‘u falur njihem me njerëz të mirë.

Janë mikpritës shqiptarët?

Po, jeni shumë, më ka ndodhur që kam shkuar të blej pica dhe nuk më kanë marrë lekë apo kam shkuar për të blerë disa gjëra dhe më kanë thënë se "ju jeni mysafir dhe nuk mund t‘ju marrim lekë". Apo te kasapi kur shkoj dhe sigurisht që unë tani jam duke parë se kjo nuk është gjë e mirë, sepse ata bëjnë tregti dhe unë e njoh tregtinë dhe që të mos marrin lekët për të, kjo më vret. Është një tregues i bukur i mikpritjes, por edhe unë përpiqem t‘i shmang, se kjo është punë për ta.

Çfarë profesioni keni pasur?

Kam punuar në fabrikë. Pastaj jam marrë me tregti orësh, me veshmbathje, me ushqimore, me fruta-perime. Pas ‘90-ës deri në 2000 jam marrë me tregti...

Me kë festojnë uigurët në festa tradicionale dhe familjare?

Tradita e festave tuaja ngjan shumë me tonat. Unë jam praktikant dhe si praktikant, them se njësoj festohet në gjithë botën. Këtu festoj mes miqsh që më duan të mirën.

Çfarë mendoni tani për Guantanamon?

Ju vetë dhe njerëzit e kuptoni se ç‘mendoj, por nuk mund ta imagjinoni dot....

Do doja më shumë të flisnit ...
Ne thamë që s‘do të bëhen pyetje të tilla dhe për Guantanamon. Në radhë të parë populli amerikan, nuk di asgjë për Guantanamon. Nuk është i mirinformuar se çfarë ndodh aty. SHBA është një vend që ka sjellë demokracinë kudo në botë. E ka sjellë edhe në Shqipëri, përpiqet ta sjellë në gjithë botën. Është një vend shumë demokratik dhe populli amerikan e ka këtë aftësi, edhe për uigurët e di shumë mirë që e do, popullin amerikan si dhe unë, por në momentin që do ta merrte vesh se çfarë ndodh në Guantanamo, atëherë sigurisht reagimi i tyre, do të ishte shumë i fuqishëm.

A i shihni të realizuara të drejtat tuaja si në një shtet demokratik?

Ky është një vend demokratik dhe ne jetojmë në një vend të tillë, mjafton që mos të shkelësh ligjet.

Shqipëria nuk është ëndrra juaj e vetme?

Kismeti na solli, kismeti po bën që po jetojmë këtu.

Çfarë duhet të bëjë populli shqiptar për vendin e tyre?

Toka juaj është një tokë fantastike, ujë ka shumë, por ju e shpërdoroni shumë atë. Në Babrru kam ndenjur një vit e gjysmë dhe e lënë ujin gjithë ditën të rrjedhë kot. Nuk i mbyllin çezmat, nuk i fikin dritat. Ju e shpërdoroni e keqpërdorni pasurinë natyrore. Kjo është një tokë që kërkon shumë punë. Vetëm nëse punohet mund ta arrini ta kapni Evropën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›