E Diel, 1 Nëntor 2026

...Dhe "yjet" rrinë e vështrojnë?!

Turravrap janë sulur të tjerët... Argumenti është një dhe i vetëm, rritja e çmimeve. Doemos është një tregues që duhet të tërheqë vëmendjen. E keqja është se për këtë flasin edhe ata që s‘dinë ç‘thonë, edhe ata që duhet të dinë se çfarë të thonë. Një biznesmen i njohur i deklaronte një televizioni kombëtar se "futja e bizneseve të vegjël në korsinë e tatimpaguesve, ka bërë që këta të fundit të shtrenjtojnë çmimet" dhe se "këto subjekte po i paguajë këto detyrime, ose kanë filluar t‘i paguajnë dhe kjo reflekton një kosto të rritur dhe si rezultat një çmim të rritur në nivelin e konsumatorit". (?!). Një "analist" i ekonomisë argumentonte se "vetëm një e treta e prodhuesve e ka rritur çmimin e bukës, ndërsa dy të tretat ende jo". Një tjetër, "një përqindje shumë shumë e vogël e shqiptarëve mundet të gjendet në vështirësi për të blerë thesin e miellit" etj., etj.

Le të vështrojmë kthjellët...

Po flasim për bukën, pastaj për të tjerat. Opinionet përplasen kur vjen fjala për konjukturën e tregut, ndërsa shifrat janë më kokëforta. Nuk ka ende rritje të ndjeshme të çmimit të grurit, por edhe të miellit. Ka trend rritës për shkaqe të njohura që lidhen më së shumti me politika mbrojtëse të prodhimit dhe që vijnë nga vende tradicionalisht prodhuese dhe importuese drithërash. Këto politika nuk mund të atakohen, as qeveritë që i aplikojnë ato.

Ka një treg jo tërësisht të liberalizuar importuesish të grurit dhe të miellit, por nuk ka tregues të monopolit dhe të kartelit. Autoritetet zyrtare nuk kanë vërtetuar ende një gjë të tillë. Ka një shoqatë prodhuesish të bukës, tërësisht informale, e cila nuk grupon totalisht prodhuesit, por ka akses në media dhe disa herë ka ndikuar indirekt në çmime abuzive të produktit të gatshëm.

Çfarë nuk ka?

Nuk ka administrim, kontroll dhe efikasitet në një treg të lirë. Po rritet çmimi i bukës? OK! Po sot nuk gjen në treg asnjë bukë standarde. INSTAT e llogarit indeksin e çmimeve të konsumit (IÇK) me një bukë me peshën standarde 1050 gramë. Nuk gjen peshë të tillë askund! Kush e kontrollon dhe e kërkon zbatimin e një kërkese të tillë ligjore? Askush! Në treg nuk gjen bukë me këtë peshë poshtë çmimit 130 lekë. Deklarohet se çmimi ka shënuar 100 lekë/bukë (flas për bukën masive më të përdorshme). Në tatime deklarohet kjo shifër dhe paguhet kundrejt kësaj shifre, kur duhet të paguhet tatimi ndaj shumës minimale 130 lekë. Cilësia e miellit është një tjetër tregues, kontrolli i të cilit mungon për shkaqe nga më të ndryshmet. Importohen mesatarisht 320 mijë tonë grurë çdo vit, të paktën duke filluar që nga viti 2004. Kaq thotë dogana. Madje dogana zhdoganon grurin rus, edhe pse e di mirë që importi ka vulën e Ukrainës. Këtë e pranojnë zyrtarët, të cilët dinë mirë edhe diferencën e çmimit të grurit rus me atë ukrainas apo kazakistanas (ku importohet së fundi) dhe që vjen për arsye të njohura të rrezatimit bërthamor. Shqiptarët më së shumti konsumojnë miell nga gruri i Ukrainës se sa miell nga gruri i Rusisë. Efektet? Nuk janë të vështira për t‘u llogaritur.

Autoritetet nuk kanë dhënë kurrë asnjë sinjal që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit. Ndërsa importuesit kanë importuar çfarë kanë dashur, me "dy palë dokumente", sikundër thotë ministri i Financave, pra duke regjistruar evazion të pastër, prodhuesit e miellit kanë bluar grurin e "gënjeshtërt" dhe kanë shitur miellin e "gënjeshtërt" dhe furrtarët kanë gatuar këtë miell, duke shitur "Ukrainën" për "Rusinë" e kështu me radhë.

Çfarë mund të bëjë qeveria?

Një takëmi që mbrojnë interesat e një grupi të vogël biznesmenësh iu "tha pështyma" në gojë duke kërkuar një gjë të vetme: uljen/përshkallëzimin e TVSH! Kjo është një taksë fundore që paguhet gjithnjë nga blerësi/përfituesi i fundit i produkteve/shërbimeve. Ajo asnjëherë nuk paguhet nga sipërmarrësi. Heqja, ulja, ose përshkallëzimi i kësaj takse është vërtetuar katërcipërisht se nuk ka pasur asnjëherë efekte në adresë të konsumatorit. Ajo është përfituar padrejtësisht nga biznesi. Ajo nuk mund të çojë në ulje të çmimit dhe bëhet vështirësish e kontrollueshme dhe e menaxhueshme nga administrata publike kur përshkallëzohet apo përjashtohet. Shembujt edhe te ne janë të shumtë.

A mund të ndërhyjë qeveria duke kontrolluar çmimin e shitjes? Afërmendsh! Pavarësisht kundërshtive, një gjë e tillë është shumë e vjetëruar. Nuk ka vend as në ekonominë e re të tregut në Shqipëri. Ka mekanizma të tjerë që mund të sjellin të njëjtin rezultat. Një prej të cilëve është efikasiteti i lartë në kontrollin e plotë të tregut që fillon që në dogana (ku gruri i Ukrainës të mos "shitet" si grurë i Rusisë), në tatime, kur tatimi i fitimit të paguhet duke kontrolluar fitimin dhe jo duke lejuar evazion të pastër në metrologji dhe kontroll cilësie, ku buka të shitet në peshën standarde, e pjekur dhe jo e lagështuar, duke vjedhur në peshë dhe cilësia e miellit të jetë e kontrolluar periodikisht, në higjienë, kur penalitetet në mungesën e saj të sjellin mbylljen përfundimtare të veprimtarisë së subjektit etj., etj. Këto mungojnë në treg, sikundër mungojnë edhe politikat stimuluese, disa herë edhe incentivuese për subjekte që dëshirojnë të hyjnë në tregun e importuesve të grurit dhe prodhuesve të miellit, për të thyer një lloj monopoli që nuk ka mundur të kontrollohet ende nga shteti.

Kësaj i ngjet një histori që dua ta tregoj me pak fjalë: Në një konferencë ndërkombëtare, ku flitej për strategjinë e privatizimit të ARMO-s, drejtori i saj tha se rritja e çmimit të naftës ka ndikuar në treguesit e përmirësuar të bilancit të kompanisë. Drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës e pyeti se çfarë kishte ndryshuar në elementët e kostos që kishte sjellë në rritjen e çmimit të naftës. Drejtori iu përgjigj se asgjë nuk kishte ndryshuar në ARMO, por ishte rritur mjaft çmimi i naftës në bursë?! Kësaj i thonë "ane Shane, ane Bagdad!". Ǒlidhje kishte ARMO me bursën dhe përse ishte rritur abuzivisht çmimi i naftës së vendit, kur nuk kishte ndryshuar asnjë gjë në koston e nxjerrjes dhe të përpunimit të saj?

Kjo histori ndodh edhe me grurin, miellin e bukën e shqiptarëve. Edhe këtu Autoriteti i Konkurrencës duhet të pyesë se çfarë elemente të kostos kanë ndryshuar, se përse një "urdhër" shoqate rrit në mënyrë automatike çmimin e këtij produkti dhe përse shteti nuk ndërhyn me mekanizmat e vet ligjorë? Kësaj unë i them dhe "yjet" (zyrtarët) rrinë e vështrojnë.

Në një rast si ky, kur qeveria nuk ka të llogaritur një kosto reale të prodhimit të bukës, kur mungon një akt detyrues i normës së fitimit, kur informaliteti shfaqet sheshit, kur tregu sillet sikur të ishte monopol dhe nuk kontrollohet si i tillë, mbetet një zgjidhje alternative: administrim i rreptë i tregut, jo thjesht për të rritur të ardhurat në buxhet, sikundër thonë të majtët, por për të mos lejuar pasurim të padrejtë, abuzim me tregun e lirë, për të krijuar barazi dhe konkurrencë të lirë në treg. Po ta bëjë mirë shteti këtë, shtetarët nuk reagojnë. Pasi të bëjë këtë, qeveria e di mirë se ka të drejtë të indeksojë pagat e pensionet me rritjen e çmimeve, sepse i ka këto para në buxhet. Por edhe sepse ka vënë rregull në treg. A nuk është qeveria rregullator i tregut në një ekonomi tregu?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›