Durrës, bie nga trageti oficeri kroat
Një kroat, i cili punonte në një traget të linjës me Italinë, është rrëzuar teksa ka qenë duke bërë një riparim. Ngjarja ka ndodhur në tragetin e linjës Durrës-Ankona, rreth orës 16:35 të ditës së djeshme. Personeli i tragetit ka qenë duke bërë një nga riparimet periodike, kur si pasojë e këputjes së njërës prej kavove që mban një nga varkat e shpëtimit të tragetit, oficeri i tretë kroat ka rrëshqitur. Sipas burimeve nga Kapitaneria detare e portit, i dëmtuari është oficeri i tretë i tragetit "Adriatika", kroati Bozhidar Ilianoviç. Pas dëmtimit është njoftuar ambulanca e spitalit. Sipas mjekëve, dëmtimi është pa pasoja për jetën e të sëmurit. Trageti po i kryente riparimet pasi kanë dalë udhëtarët. Në spital oficerin e dëmtuar e ka shoqëruar agjenti i tragetit.