E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni "Fundjavë e blertë" asgjëson një rrjet trafiku nga Fieri

Gjatë një operacioni të përbashkët organizuar nga policia e Gjirokastrës dhe Fierit me emrin e koduar "Fundjavë e blertë" është bërë e mundur që të arrestohen tre trafikantë pjesëtarë të një rrjeti të organizuar kontrabande të qenieve njerëzore dhe janë shoqëruar e pyetur në polici 15 klandestinë në tentativën për kalim të kufirit për në Greqi në një zonë kufitare pranë fshatit Bularat të Dropullit të Sipërm rreth 3 - 4 km larg pikës së Kakavijës. Duke bashkëpunuar edhe me agjentët e Policisë së Qarkut Fier dhe nën drejtimin e inspektorëve të Drejtorisë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Janë ndjekur hap pas hapi të gjitha lëvizjet e grupit të trafikantëve derisa në mesnatë në afërsi të fshatit Bularat në një zonë të pabanuar është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i një prej pjesëtarëve të grupit në të njëjtën kohë që në Fier janë ndaluar dy bashkëpunëtorët e tjerë të këtij rrjeti të organizuar. Sipas pohimeve të zëdhënësit të policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, janë vënë nën pranga Ilir Myrtaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fier i arrestuar në flagrancë, bashkëpunëtorët e tij, Alfred Lamçe, 37 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Fierit, që është ndaluar në orët e para të mëngjesit të datës 10 shkurt pranë banesës së tij në qytetin e Fierit dhe që mendohet se është drejtuesi i këtij rrjeti dhe shtetasi i tretë, Qani Diko, 37 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Sipas hetimeve paraprake ka shërbyer si ndërlidhës dhe transportues i klandestinëve me automjetin e tij taksi me tagra Fr 712 A. Paralelisht me arrestimin në terren dhe në flagrancë të shtetasit Ilir Myrtaj, gjatë këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi në polici i 15 klandestinëve nga rrethe të ndryshme të vendit të cilët po tentonin të kalonin kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme për në Greqi, së bashku me shoqëruesin e tyre shtetasin Ilir Myrtaj. Sipas pohimeve të tyre në polici, klandestinët janë grumbulluar fillimisht në Fier nga organizatori i këtij trafiku, Alfred Lamçe, dhe me pas të arrestuarit Qani Diko dhe Ilir Myrtaj që kanë shërbyer si shoqërues kundrejt një shume të konsiderueshme lekësh duke i transportuar me taksi deri në afërsi të kufirit me Greqinë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar gjithashtu se të arrestuarit funksiononin si një rrjet i mirorganizuar në drejtim të kontrabandës të qenieve njerëzore për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme për qëllime përfitimi, rrjet i cili e kishte qendrën dhe fillesën në qytetin e Fierit. "Ky rrjet përdorte të gjitha drejtimet e mundshme të lëvizjes se klandestinëve si: Fier- Tepelenë -Gjirokastër -Kakavijë (kufirin e gjelbër) dhe së fundi aksin rrugor Fier-Vlorë-Sarandë-Delvinë (rrugën e vjetër) dhe ndalonin në fshatin Jorgucat të rrethit Gjirokastër ku më pas lëvizja bëhej me këmbë në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek", theksoi zëdhënësi Mullai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›