E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët e Sarandës, kritika nivelit profesional të policisë

Policia nuk është në nivelin e duhur profesional. Akuza për uniformat blu është bërë gjatë analizës njëvjeçare të punës së Prokurorisë së rrethit të Sarandës. Nga Prokuroria e Sarandës është ngritur pretendimi për nivelin e dobët të oficerëve të policisë, që janë pjesë e komisariateve të policisë në Sarandë e Delvinë. Kryeprokurori i Sarandës, Sali Hasa, tha se ata kanë treguar mangësi në formimin e tyre profesional dhe në administrimin e provave, të ardhura këto edhe nga ndryshimet e shpeshta në këtë strukturë.

432 llogaritet të ketë qenë numri i procedimeve të bëra nga organi i akuzës në rrethin gjyqësor të Sarandës për vitin e kaluar. Kjo duket disi e frikshme krahasuar me 275 të tilla që i përkasin vitit 2006. Por kreu i prokurorisë sqaron se pavarësisht kësaj diference në leximin shifror të realitetit, kriminaliteti qëndron në të njëjtat nivele. "Nuk është rritur kriminaliteti, por profesionalizmi i hetuesve në hetimin e veprave dhe kundërvajtjeve penale në rajonin tonë, duke nisur nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe 13 komunat e zonave rurale", u shpreh Hasa. Ky ka qenë vlerësimi themelor i organit të Prokurorisë së Sarandës në analizën e punës për vitin e kaluar. Hasa e ka evidentuar si arritje hetimin korrekt dhe në kohë e brenda afateve që përcakton ligji, me gjithë mungesat e ndjeshme organike. Fakti që pjesa më e madhe e procedimeve kanë shkuar për gjykim dhe nga akuzat e ngritura gjatë një viti nuk është dhënë asnjë vendim pafajësie, është paraqitur gjithashtu si tregues i profesionalizmit në rritje në organin e akuzës.

Kreu i prokurorisë lokale, Hasa, është shprehur edhe për përballjen me dukuri që vijnë nga mosnjohja në shkallën e duhur të legjislacionit nga komuniteti. Ndodh rëndom që prokurorisë i bëhen kallëzime të shumta e të shpeshta nga qytetarë, të cilët i drejtohen organit të akuzës pasi kanë mbetur të pakënaqur nga gjykata për përcaktimin e gjyqfituesve nga ana e saj. "Sidomos në procedimet civile paraqiten kallëzime në prokurori për falsitet dokumentesh", tha Hasa. Shqyrtimin e tyre ai e ka quajtur humbje kohe si për organin që drejton, ashtu edhe për qytetarin, duke qenë se këtë ata mund ta kërkojnë nga gjykata në çdo kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›