E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu për të ardhmen

Gjatë muajve të fundit, falë dialogut me Shqipërinë, kam pasur rastin të takohem me mijëra qytetare e qytetarë në çdo cep të Shqipërisë. Të rinj e të moshuar, të pasur e të varfër, gra dhe burra, secili prej tyre ka ndarë me mua problemet dhe shqetësimet me të cilat përballemi çdo ditë. Nuk do ta harroj kurrë një plakë të fisme në Ksamil, që duke u dridhur më kërkonte të mendonim e punonim për brezin e ri, për nipërit dhe mbesat e saj që kishin lënë atdheun dhe tokën e trashëguar nga të parët, për të punuar si skllevër në fermat e vendeve fqinje. Çdonjëri prej njerëzve që kam takuar kishte një histori të vetën, në më të shumtën e rasteve fatkeqësisht të trishtë. Por, duke i dëgjuar këto eksperienca më është forcuar akoma më shumë bindja se Shqipërisë i duhet një bashkim i ri, një politikë e re. Secili prej nesh, çdo shqiptare e shqiptar, duhet të shtyjë tutje të shkuarën dhe duhet të shohë larg në të ardhme, duhet t‘i mbyllë rrugën urrejtjes e dasisë së rrënjosur në vite të tëra - në mjedisin përreth po edhe brenda nesh - nga politika e vjetër e dembelizmit mendor dhe duhet t‘i hapë me pasion shtigje të reja bashkëpunimit e mirëkuptimit, përmes politikës së re të ideve e të shembullit të mirë vetjak. Kjo politikë e re duhet të ushqehet nga ndjenja qytetare e ndërtimit të urave të komunikimit e të bashkëjetesës së qytetëruar me të tjerët, në të mirë të qytetit e të fshatit, duhet të ushqehet nga dashuria për fëmijët tanë, të cilëve u kemi borxh të nesërmen dhe jo spektaklin banal të politikës së vjetër të mllefit ndaj njëri-tjetrit.

Problemet e panumërta të komuniteteve tona dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria nuk janë të majta apo të djathta. Ato janë probleme të krijuara nga një politikë e vjetër pa vizion, pa program, pa ide, pa zemër për të ndjerë si të vetat vuajtjet, hallet e sakrificat e banorëve të qytetit a fshatit, pa sy për të parë se si jetohet jashtë kutisë së televizorit, pa veshë për të dëgjuar Shqipërinë reale. Nga një politikë e vjetër që pas vetëdeklarimit majtas e djathtas, ka fshehur të gjithë shterpësinë e vet të idealeve e të ideve, duke i ndarë shqiptarët e yshtur kundër njëri-tjetrit për t‘i sunduar e mbajtur lidhur pas ekranit të një telenovele pafund, ku e majta dhe e djathta nuk janë ndarë në vizione e programe, po në klane politike të angazhuara në një luftë vulgare për pushtet.

Shëmbëlltyra televizive e kësaj lufte është qindrafishuar në kopje më të vogla, deri në komunitetet më të largëta vendore, duke ua bërë njerëzve të padurueshme politikën dhe partitë politike.

Sfidat me të cilat përballemi janë sfida që nuk kërkojnë ideologë e as demagogë. Nuk kemi më kohë për të humbur energji duke tundur flamujt e partive, ose duke imituar Parlamentin në recitimin e hartimeve politike kundër njëri-tjetrit.

Ato të së sotmes janë probleme e sfida që kërkojnë administratorë të zotë dhe qytetarë të përkushtuar e të përgjegjshëm, të cilët bëjnë zgjedhjet e duhura dhe miratojnë zgjidhjet e drejta për qytetin a fshatrat e komunës, pa u kacafytur e bllokuar rrugën e njëri-tjetrit, duke i neveritur njerëzit me ushqimin e pangrënshëm të politikës së vjetër.

Kjo Shqipëri e politikës së vjetër të së shkuarës, kjo Shqipëri që e ka kthyer moshën e tretë të qindra mijëra shqiptareve e shqiptarëve në agoni dhe fëmijërinë e qindra mijëra kalamajve në pamundësi, kjo Shqipëri që u mohon të drejtën e punës së ndershme qindra mijëra grave e burrave të mbetur në kthetrat e papunësisë dhe që i pengon qindra mijëra të tjerë t‘u blejnë një dhuratë për ditëlindje apo Vit të Ri fëmijëve të tyre për shkak të një rroge që mjafton vetëm për të mbajtur frymën gjallë, kjo Shqipëri që nuk u jep qindra mijëra të rejave e të rinjve lirinë e mundësitë për të ëndërruar e realizuar ëndrrat e tyre në atdheun e tyre, kërkon një bashkim të ri të të gjithë atyre që duan t‘i japin fund sundimit të së vjetrës, të së shkuarës, të së shëmtuarës.

Na duhet një bashkim i ri zemrash e mendjesh për të shembur murin e lartë e gardhet e panumërta që ka ngritur mes nesh, në emër të së majtës e së djathtës, të gjeografisë e të biografisë, të anëtarësisë e të pastërtisë, një politikë e vjetër që në këtë mënyrë na ka gënjyer, grabitur e sunduar pa na lënë ta shohim njëri-tjetrin si njerëz që i vuajmë po njësoj, prej 17 vjetësh, pa dritë, pa ujë, pa punë, pa shpresë, pasojat e keqqeverisjes, qoftë kur na qeverisin "tanët", qoftë kur na qeverisin "ata"////// ne.

Duke i dhënë jetë një politike të re ne mund ta kthejmë Shqipërinë në vendin ku çdo vajzë dhe djalë të ketë lirinë të ëndërrojë dhe mundësinë t‘i realizojë ëndrrat e veta, ku çdo i moshuar të ndjejë kujdesin tonë, ku çdo gruaje e burri t‘i garantohet e drejta e një pune dhe konkurrenca e lirë dhe e ndershme, ku çdo familje të mund t‘i presë ditëlindjet e festat me gëzimin e natyrshëm dhe ku çdo fëmijë t‘i gëzohet shkollës e librave si në Tiranë e si në fshatin më të largët të Shqipërisë.

S‘ka dyshim se pasioni politik shprehet me fjalë, por ai mishërohet me vepra. Dhe fjalët e ndara nga veprat janë pjesë e kulturës së vjetër politike, janë fryti i bindjes së mbrapshtë se politika s‘ka moral, janë arsyeja më e qartë e neverisë së njerëzve ndaj politikës.

Ne duhet të ndahemi me politikën e vjetër të së shkuarës, jo thjesht duke thënë se pse jemi ndryshe, por, mbi të gjitha, duke i bërë gjërat ndryshe. Lidhja e fjalëve me veprat është kusht themelor për t‘i bërë ndryshe gjërat në këtë vend, ku politika duhet të fitojë statusin e saj të vërtetë si art i qeverisjes së njerëzve e punëve të vendit, të qytetit, të fshatit, si pasion për të realizuar vepra në shërbim të njerëzve, për ta përmirësuar jetën e tyre, për t‘u dhënë krahë talenteve e ëndrrave të tyre, si instrument në duart e kujtdo që e ka këtë pasion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›