“Sky News”: Zelensky: I gatshëm të takohem me Putinin, SHBA-ja ka fuqinë për të ndalur luftën

KIEV, 27 shkurt /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i bëri thirrje administratës në Uashington, të rrisë presionin mbi Kremlinin, duke përfshirë sanksione ndaj familjeve të udhëheqësve rusë dhe ofrimin e armëve më të avancuara për Ukrainën, sipas “Sky News”.
Zelensky tha se vetëm presioni i shtuar mund ta detyrojë Moskën t’i marrë seriozisht negociatat për paqe.
Në një intervistë për “Sky News”, Zelensky u shpreh i gatshëm të takohej me Vladimir Putin për bisedime.
Gjithashtu, ai theksoi se SHBA-ja kishte fuqinë për të ndalur luftën, dhe se duhej të ushtronte presion më të madh ndaj Rusisë.
“Ekziston një “dritare mundësie” për arritjen e paqes përpara zgjedhjeve amerikane të mesmandatit në nëntor”, tha Zelensky.
Duke folur për gjendjen aktuale, presidenti ukrainas, Zelensky përshkroi vështirësitë e Ukrainës pas më shumë se katër vjetësh pushtimi nga Rusia, përfshirë ndërprerjet e energjisë dhe temperaturat ekstreme të të ftohtit në disa rajone.
“Çdo lëvizje për të dorëzuar qytetet e fortifikuara të Slovianskut dhe Kramatorskut mbetet një vijë e kuqe, pasi një tërheqje do t’i ekspozonte 200,000 banorët ndaj pushtimit dhe rrezikut rus”, theksoi Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, gjithashtu komentoi marrëdhënien e tij me homologun e ti amerikan, Donald Trump, duke thënë se nuk ishte e thjeshtë, por theksoi se marrëdhënia e Ukrainës me SHBA-në shkonte përtej figurave individuale. //a.i/