E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Serbia të shmangë izolimin

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë dje se, ata besojnë që votuesit në Serbi, në zgjedhjet e parakohshme do t‘i mbështesin partitë pro BE-së, pasi koalicioni aktual qeverisës u shkatërrua për shkak të pavarësisë së Kosovës.

Dmitrij Rupel, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, i cili kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha se "shpreson që në këto zgjedhje të fitojnë partitë pro-evropiane.

"Tani kur zgjedhjet po vijnë, shpresoj se forcat pro BE-së do të fitojnë dhe, për këtë kam parë shenja inkurajuese", tha Rupel, para fillimit të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas tij, "nuk ekziston mundësi tjetër për Serbinë, veç Bashkimit Evropian" dhe shtroi pyetjen se "ku mund të shkojnë ata".

Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, tha se disa ministra të vendeve anëtare të BE-së kanë treguar vullnet për mundësinë për ta vizituar Serbinë, por u është thënë në mënyrë "shumë brutale" se vizitat e tilla nuk janë të mirëseardhura. Ai nuk komentoi më gjerë lidhur me këtë çështje.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Miliband, tha se BE-ja duhet "t‘i zgjasë duart e miqësisë" Serbisë, ndërsa komisionerja për marrëdhënie të jashtme, Benita Ferrero-Valdner, tha se është koha që Serbisë t‘i ofrohen procedura më të lehta për viza dhe stimulime të tjera. "Ajo që duhet të bëjmë është t‘i tregojmë popullit të Serbisë se ne i duam ata në Bashkimin Evropian", tha Ferrero-Valdner.

Ndërkaq, në Serbi, qeveria i kërkoi zyrtarisht Presidentit Boris Tadiç të shpërndajë Parlamentin dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të parakohshme, që ka të ngjarë të mbahen në muajin maj. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha të shtunën se qeveria nuk mund të vazhdonte të funksiononte për shkak të përçarjeve të thella pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, muajin e kaluar. Presidenti reformist properëndimor Tadiç hodhi poshtë deklaratën e Koshtunicës, i cili tha se Serbia nuk ka një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Presidenti Tadiç, ashtu si Kryeministri Koshtunica, këmbëngul se Kosova do të mbetet përgjithmonë pjesë e Serbisë, por ai, ndryshe nga Kryeministri, nuk pranon ta përdorë pavarësinë e Kosovës si arsye për të kundërshtuar përpjekjet për vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian. Udhëheqësit e BE-së i bënë thirrje Serbisë të shmangë izolimin dhe të vendosë marrëdhënie me vendet e Bashkimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›