E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gjyq popullor" në Qafë-Gjashtë

"Fiks Fare" ka transmetuar dje pamje filmike të regjistruara pak minuta pas ngjarjes makabre të Qafë-Gjashtës, ndodhur 11 vjet më parë, ku vdiq një polic dhe u plagosën dy të tjerë, mes të cilëve ish-shefi i krimeve në Vlorë, Sokol Bizhga. Dosja e ngjarjes së 4 marsit 1997, e cilësuar "pa autorë" deri pak kohë më parë, gjendej në Prokurorinë e Sarandës. Katër muaj më parë filloi operacioni i koduar "Marsi 1997". Furgona me forca speciale, të dislokuara në Jug, u dërguan drejt Sarandës. U kryen shoqërime masive dhe u arrestuan disa persona, ish-anëtarë të Komitetit të Shpëtimit në qytetin jugor, gjatë trazirave të vitit 1997. Për herë të parë, dje në "Fiks Fare" u transmetuan të plota pamje filmike për këtë ngjarje. Një prej policëve, që shoqëronte Bizhgën, duket qartë që është rrahur e masakruar nga njerëzit e armatosur, të cilët kishin ndaluar dhe qëlluar mbi grupin e policisë së mbërritur nga Vlora. Në vend, në atë kohë ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Komisariatet ishin në duart e popullatës, ndërsa autoriteti i shtetit ishte zëvendësuar nga Komitetet e Shpëtimit Publik.

Të 4 punonjësit e policisë që u nisën drejt Sarandës u përballën me një grup të armatosur pranë një karburanti në Qafë-Gjashtë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me grupin e armatosur është goditur për vdekje Gjergj Mehmeti, ndërsa Sokol Bizhga, edhe pse i plagosur, mundi të largohet bashkë me një polic tjetër. Në makinë ka mbetur polici Edi Aliaj, i cili u kap peng. Ai është mbajtur i lidhur dhe më pas torturuar për dy ditë me radhë. Televizionet greke, por edhe italiane, kanë filmuar policin e lidhur, duke u rrahur, ndërsa anëtarë të Komitetit të Shpëtimit Publik të Sarandës e merrnin në pyetje. Në pamjet filmike duket qartë që anëtarët e Komitetit të Shpëtimit kanë organizuar një tubim në formë gjyqi popullor në Qafë-Gjashtë. Me gojën e mbushur me gjak, nën kërcënimin e automatikëve mbi kokë, efektivi i policisë, Edi Aliaj, tregon ngjarjen. Njerëz të armatosur mbi një mur, me megafon në dorë i tregojnë turmës se si njerëzit e policisë të ardhur nga Vlora kishin qëlluar mbi sarandjotët.

Edi Aliaj, polici i gjakosur, detyrohet të tregojë ngjarjen nën kërcënimin e armëve. Ai betohet se po u tregon të vërtetën. "Ishte ora 08.30-09.00 e mëngjesit kur u nisëm nga Vlora së bashku me Sokol Bizhgën drejt Sarandës. Ai do të merrte detyrën e re si shef i komisariatit. Ishim katër veta. Mbërritëm në Sarandë. Komisariati ishte i djegur", nis tregimin e tij para turmës së irrituar e të armatosur, efektivi i policisë. Të katër punonjësit e policisë udhëtonin me një "Benz" të bardhë, me targa të Vlorës. "Pasi bëmë disa xhiro, u nisëm për në Vlorë. Na preu rrugën një ‘Benz‘ me targa Sarande, zbriti një person me armë dhe na pyeti se nga ishim. Sokoli doli nga makina bashkë me një tjetër, pastaj u kap me atë djalin dhe qëlluan drejt makinës sonë". Më pas, ai tregon se si kishin marrë me vete në makinë dy djem sarandjotë, njëri prej të cilëve ishte i plagosur. Por pak metra më tutje u kishin zënë përsëri pritë. Polici nuk arrin të tregojë as për gazetarët e mediave greke, që e intervistonin dhe as për popullin momentin e djegies së kolegut të tij. Por ai betohet disa herë se po tregon të vërtetën, pra që nuk ishin nisur drejt Sarandës për ndonjë mision e për të qëlluar sarandjotët, por që të merrte detyrën shefi i ri i komisariatit. Gjatë marrjes në pyetje me megafon para popullit, rreth e rrotull policit të gjakosur, janë shumë persona të armatosur, të cilët e detyrojnë të flasë e të tregojë se ishin policët ata që qëlluan të parët mbi djemtë nga Saranda. Pamjet filmike të transmetuara dje në "Fiks Fare" tregojnë edhe personat që keqtrajtuan policin. Në këtë ngjarje, një tjetër efektiv policie u dogj me napalm brenda automjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›