Libia: Do ta mbështesim Kosovën
Khadaf premton mbështetjen libiane për Kosovën dhe bashkëpunim në fushën ekonomike. Gjatë vizitës në Libi të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, autoritetet më të larta libiane kanë premtuar mbështetjen e pakursyer për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Ministri Basha u prit në takim nga Moammar Abu Minyar al-Khadafi, udhëheqësi i Libisë, ish-kryeministri libian Abdulaiti Albeidi, anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe nga personalitete të fushave të biznesit. Takimi me udhëheqësin libian pati në qendër të bisedimeve bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis dy vendeve tona, kryesisht në fushën e energjisë, naftës, projekteve të përbashkëta në infrastrukturë etj. Basha shprehu gatishmërinë e palës shqiptare për intensifikimin e kontakteve diplomatike dhe vizitave dypalëshe, që do të krijonin, sipas tij, mundësinë e eksplorimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të ardhmen.
Ndërkaq, Kosova ishte një temë e rëndësishme që u trajtua gjatë takimit me udhëheqjen libiane. Në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Libisë, ministri Basha u shpreh se Shqipëria beson në një politikë mbështetëse të Libisë ndaj Kosovës. Ai shprehu bindjen se Libia, si anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe një vend me peshë në kontinentin afrikan, do të përdorë influencën e saj në mbështetje të Kosovës. Rreth konkretizimit të nismave të përbashkëta në fund të marsit do të zhvillohen konsultime në Tiranë, në nivel ekspertësh dhe gjatë takimeve, u ra dakord të nënshkruhen marrëveshjet mbi taksimin e dyfishtë dhe Protokolli i Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite, u diskutua mbi përfshirjen e Shqipërisë në distributorin libian të TAMOIL-it dhe mbi mundësinë e hapjes së zyrës së saj në Tiranë, gjë që do të zbusë luhatjet e herëpashershme të krizës energjetike në fushën e naftës e gazit, si dhe mbi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e financave, përfshirë tatimet, doganat, borxhin dhe pastrimin e parave. U diskutua gjithashtu mbi krijimin e një grupi pune të përbashkët për konsultime rreth ecurisë së fushave të bashkëpunimit.