E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja pranë "shembjes" së kufijve; shumë shpresa, por edhe shqetësime

Një minutë pas mesnatës të së enjtes, BE-ja do të heqë kontrollet kufitare me nëntë prej vendeve të reja anëtare, duke ia lënë së shkuarës kështu edhe shenjat e fundit që të kujtonin Perden e Hekurt, në një lëvizje që shumëkush druan se mund t‘ua bëjë jetën më të lehtë kriminelëve. Udhëtarët mund të lëvizin nga Varshava në Porto apo nga Praga në Paris, pa treguar askund pasaportat kur Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Lituania, Letonia, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia t‘i bashkohen zonës pa kufij më 21 dhjetor. "Kjo është në fakt një arritje e madhe...një simbol i fuqishëm i pajtimit në Evropë, i kësaj Evrope të re, të zgjeruar", tha Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barrozo, në lidhje me zgjerimin e klubit "Shengen", aktualisht me 15 anëtarë, por që tashmë do t‘i bashkohen edhe vendet ish-komuniste të Evropës Lindore, që janë bërë anëtarë të rinj të BE-së në 2004-ën. Zona "Shengen" e ka marrë emrin nga një fshat në Luksemburg, ku është nënshkruar edhe marrëveshja e parë për heqjen e kontrolleve kufitare, në 1985-ën. Britania dhe Irlanda kanë zgjedhur të mos bëjnë pjesë në këtë zonë. Shumëkush, në vendet e reja që do t‘i bashkohen kësaj hapësire, mirëpret zgjerimin dhe ia bashkëngjit së shkuarës radhët e gjata në kufi. E pra, kjo do të thotë që mijëra njerëz do të mund të enden lirisht nëpër Evropë, për Krishtlindje, pa ndaluar në kufijtë e zonës "Shengen", plot 3.6 milionë kilometra katror dhe ku jetojnë 400 milionë njerëz. Nëse shumëkush e sheh këtë si një prej përfitimeve më të mëdha të anëtarësisë në bllokun me 27 vende anëtare, të tjerë nuk ndjehen fort të kënaqur. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se 75 për qind e austriakëve besojnë se zgjerimi i zonës "Shengen" deri në kufijtë e BE-së me Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Ballkanin, do të shoqërohej me më shumë krime. Më shumë se gjysma e banorëve të Austrisë, e kundërshtojnë këtë lëvizje. Kriminologu francez, Ksavier Raufer, thotë se BE-ja nuk ka bërë aq sa duhet për garantimin e sigurisë së saj dhe gjithashtu, nuk ka bërë aq sa duhet edhe për të koordinuar veprimet e policisë. "Shtimi i nëntë vendeve të tjera nuk bën gjë tjetër veçse e thellon problemin e kriminalitetit", thotë ai. Por në anën tjetër, shefi i agjencisë evropiane të policisë, "Europol", nuk është dakord dhe thotë se nuk ka baza për një frikë të tillë. Vendet e reja anëtare të zonës "Shengen", sipas tij, janë të përgatitura dhe kanë bërë gjithçka nevojitet për ta ndërmarrë këtë hap të radhës. Për më tepër, vendet e zonës "Shengen" përdorin një bazë të dhënash që mbulon krejt Bashkimin Evropian, me emrat e të dyshuarve si kriminelë dhe numrat e shasive të makinave të vjedhura. Edhe vendet e reja kanë shtuar masat e sigurisë, ndërkohë që do t‘u nënshtrohen kontrolleve të vendeve më të vjetra të zonës "Shengen". Qipro, që gjithashtu i është bashkuar BE-së në 2004-ën, ka kërkuar edhe një vit tjetër kohë para se të zhdukë kufijtë. Rumania dhe Bullgaria, që u anëtarësuan këtë vit, duhet të bëjnë ndërkohë akoma shumë për t‘u bashkuar në "Shengen".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›