Vladimir Putin pranon: Unë, kryeministri i ardhshëm i Rusisë
Presidenti Vladimir Putin tha të hënën se ai do të bëhej Kryeministër në qeverinë e ardhshme ruse, nëse aleati i tij i ngushtë, Dimitri Medvedev, do të zgjidhej President dhe t‘i japë Putinit kështu një rol të ri pasi të largohet nga Kremlini. "Nëse qytetarët rusë do të shprehin besimin e tyre për Dimitri Medvedev dhe do ta zgjedhin atë President të vendit, unë do të jem i gatshëm të kryesoj qeverinë", tha Putin, në kongresin e Partisë së tij, Rusia e Bashkuar, të zhvilluar në afërsi të Sheshit të Kuq në Moskë. Medvedev, që zyrtarisht është propozuar nga Putin si kandidati presidencial i Rusisë së Bashkuar, pa asnjë dyshim do të fitojë zgjedhjet presidenciale të marsit, kjo për shkak se shumë zgjedhës do të votojnë për këdo që Putini, shumëpopullor, do të mbështesë. "Ne nuk duhet të trembemi nga transferimi i pushtetit në vend, nuk duhet të trembemi nga vënia e fatit të Rusisë në duart e një njeriu të tillë", tha Putin në fjalimin e tij. Putin, zgjodhi Dimitri Medvedev, zëvendëskryeministër dhe president të gjigandit shtetëror rus, "Gazprom", javën e shkuar si pasuesin e tij të preferuar. Kushtetuta e ndalon vetë Putinin të kërkojë një mandat të tretë në detyrë. Analistët thonë se zgjedhja e një kolegu të hershëm, besnik, pa asnjë bazë politike, sinjalizon dëshirën e Putinit për të ruajtur pushtetin në duart e tij edhe pas largimit nga Kremlini, majin e ardhshëm. Në fjalimin e tij pas marrjes së kandidaturës zyrtare, vetë Medvedev, renditi politikat kryesore si për shembull fuqizimi i pozitës së Rusisë në botë dhe mbrojtjes së kombit rus duke u kujdesur më së shumti për të rinjtë dhe të moshuarit. "E gjithë kjo është pjesë e strategjisë së Vladimir Putinit. Unë do të udhëhiqem nga kjo strategji nëse zgjidhem President", tha Medvedev. "Por, realizimi i një ideje mund të jetë i suksesshëm vetëm me pjesëmarrjen e autorit të saj. Unë nuk kam asnjë dyshim se në të ardhmen Vladimir Putin do të përdorë të gjitha energjitë e tij, të gjithë influencën në Rusi, por edhe jashtë saj, në të mirë të vendit". Putin, hyri në sallën e kongresit krah për krah me Medvedevin, i shoqëruar nga duartrokitjet e delegatëve të veshur me kostume të errëta. Edhe ata të dy kishin veshur kostume të errëta, këmisha të bardha e kravata dhe qëndruan drejt e në heshtje, ndërsa pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar. Veç të tjerash, Putin në fjalën e tij theksoi se nuk kishte ndër mend të ndryshonte balancat e pushtetit mes Presidentit dhe Kryeministrit në një qeverisje të ardhshme. Disa komentatorë kanë spekuluar se Putin mund të kërkojë të rishkruajë Kushtetutën dhe të fuqizojë rolin e Kryeministrit sepse në Rusi, pjesa më e madhe e pushtetit është në duart e Presidentit, i cili është edhe komandanti i Forcave të Armatosura, përcakton politikat e jashtme dhe zgjedh Kryeministrin. Putin e shikon Medvedev si një njeri që "principet kryesore në jetën e tij janë interesat e qeverisë dhe qytetarëve". Ai ka lajmëruar edhe një rritje page prej 14 për qindësh për punëtorët e sektorit publik që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, vetëm një muaj para zgjedhjeve. Ushtria do të marrë në anën tjetër një rritje prej 18 për qindësh. Si një shenjë e qëllimeve të Putinit, për të mbajtur pushtetin në duar edhe pas largimit nga Kremlini, mediat ruse kanë raportuar se Putin mund të angazhojë shefin e stafit të Kremlinit për të drejtuar fushatën zgjedhore të Medvedevit.