Çmimi, trego një ngjarje
Çdo ngjarje mbart diçka brenda saj. Të bindur se nga çdo rrëfim mund të lindin dhjetëra ide, dy kuratorët Ardian Isufi dhe Najada Hamza kanë vendosur si moto të çmimit bashkëkohor AMC, pikërisht konceptin "Trego një ngjarje".
Artistët Bevis Fusha, Driant Zeneli, Genta Spahia, Harri Aleksi, Ilir Kaso, Rudina Hyka, Oert Miziri, Sonilda Bardhoshi, janë përzgjedhur për të ekspozuar punët e tyre nën këtë moto, në një hapësirë e cila nuk do të jetë vetëm brenda galerisë. Sipas dy kuratorëve, veprat e përzgjedhura u takojnë mediumeve të ndryshme si pikturë, grafikë, fotografi, instilacion, video art dhe multimedial. Juria që përzgjedh artistin më të mirë, i cili do të vlerësohet dhe me çmimin AMC, është e përbërë nga Gianni Pozzi, kritik i artit bashkëkohor; Arnisa Zeqo, historiane arti në Universitetin e Amsterdamit dhe Vladimir Myrtezai, artist dhe profesor në Akademinë e Arteve. Çmimi do ta kapë vlerën prej 2000 eurosh.
E rëndësishme e kësaj ngjarjeje është dhe ekspozita urbane e organizuar në rrugën përgjatë galerisë FAP. Ngjarje artistike në situata të ndryshme do të instalohen në vende të prekshme nga kalimtarët dhe pse jo arti do të zërë vend për të qenë prezent edhe aty ku nuk jemi mësuar ta shohim. Mure pallatesh, vitrina dyqanesh e hapësira të reja do të shfaqin art të realizuar dhe nga studentët e Akademisë së Arteve dhe pedagogët e tyre, duke pretenduar një impakt më të drejtpërdrejtë ndaj publikut artdashës. Gjatë ditëve të ekspozitës, e cila do të hapet më 19 dhjetor, do të ketë diskutime dhe debate me artistë studentë, studiues galeristë, koleksionistë për fushën e artit pamor.