Sarko "pushton" Karla Brunin
Kur kanë kaluar dy muaj nga divorci me bashkëshorten e dashur Cecilia, Nikolas Sarkozi është "kapur" të shtunën pasdite nga paparacët në shoqërinë e modeles italiane, Karla Bruni, që banon në Paris. Të dy ishin duke shëtitur në "Disneyland Paris", krejt të qetë. Lajmi ka pushtuar menjëherë faqet e para të gazetave franceze, por edhe më gjerë, të cilat kanë publikuar fotot. Pas një jave të turbullt, plot me takime zyrtare përkrah Muamar Gedafit, vjen edhe koha për relaks nën shoqërinë e një gruaje joshëse si Karla Bruni për të cilën, një revistë franceze shkruante, "dama e zemrës së Presidentit". Ndërkohë, drejtori i revistës "Express", pohon se ka marrë konfirmimin për këtë "love story" nga vetë Karla Bruni, me të cilën ka njohje të vjetër. Ndërkohë, Pallati i Elizeut nuk dëshiron të komentojë lajmin dhe as fotot e Sarkozisë dhe modeles Bruni. "No comment", ka qenë e vetmja përgjigje e Elizeut për gazetarët kureshtarë.