E Diel, 1 Nëntor 2026

Perdja ra...

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, bëri publike dje dy raporte zyrtare, të cilat e nxjerrin atë të pastër nga çdo akuzë dhe çdo dyshim për afera abuzuese financiare. Skrami vuri në dispozicion të mediave raportin e Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, prej të cilave ai rezulton i paimplikuar me ndonjë aferë. Pas tyre, Skramit nuk i mbetej vetëm se të rideklarohej i pastër (si figurë institucionale), bazuar gjithnjë në prova zyrtare e ligjore. Për Skramin këtu duhet të bjerë perdja e një prej shfaqjeve më të turpshme të dhëna pas kuintave të Teatrit Kombëtar.

Pas kuintave

Prej vitesh institucioni i Teatrit Kombëtar quhet ndryshe dhe "fole grerëzash". Sepse, siç ka qenë dhe është repertori i shfaqjeve, po ashtu ka qenë e vijojnë të jenë dinamike në çdo kohë dhe skemat për të hequr e vënë këtë e atë emër në postin e drejtuesit të teatrit, apo dhe për aspekte të tjera, që kanë të bëjnë me çdo interes, përveç atij artistik. Edhe në "shfaqjen" më të fundit, subjekti me të tillë elementë ishte ndërtuar siç duket. E provon më së miri këtë një "tradhti" e personit denoncues të skandalit të hamendësuar me çmimin e biletave, regjisorit dhe aktorit Hervin Çuli, i cili në një të përditshme ka publikuar një mesazh celulari që i ka ardhur nga ministri Pango, për të vijuar misionin e goditjes së Skramit, me garancinë e mbështetjes nga ai. Por disa ditë më parë Çuli është ndjerë i lënë në baltë nga ministri, i cili publikisht nuk i ka dalë në krah e kështu ka hapur dhe një front të dytë me kreun e dikasterit të kulturës. Zëra brenda Teatrit Kombëtar, pjesë e atij grupimi që është kundër goditjes që i është bërë drejtorit Skrami, flasin për një skemë treshe me një ministër e dy aktorë për të larguar nga detyra Skramin e për ta zëvendësuar atë me një prej dyshes, por element femër. Flitet se në zyrën e Kryeministrit Berisha ndodhet emri i Yllka Mujos, si kandidate kryesore për të zënë vendin e Skramit në krye të Teatrit Kombëtar. Por nuk dihet se si do vijojë kjo "shfaqje" e re në TK tashmë që Skrami doli i pastër, në një kohë që ishte llogaritur që papastërtia e tij të shërbente si shkak për të larguar nga posti i drejtorit. Sakaq, në takimin e disa ditëve më parë mes ministrit Pango dhe një grupi aktorësh e regjisorësh të TK-së, disa nga këta të fundit janë shprehur në mbrojtje të Skramit, sapo kanë nuhatur që debati i hapur nuk ka në thelb ndonjë çështje vizioni për teatrin nga ana e ministrit, por thjesht largimin e Skramit. Madje në një moment thuhet se Pango e ka pranuar hapur që nuk e do regjisorin dhe aktorin vlonjat në atë detyrë. Nga ana tjetër, Skrami tha dje se nuk ishte në dijeni të ndonjë grupi pune të ngritur nga ministri për reformë në TK. Madje tha se nuk i interesonte për momentin diçka e tillë, por vetëm fakti që mekanizmat ligjorë të shtetit e kishin nxjerrë të pastër nga çdo akuzë.

Shembulli

Precedenti i radhës në Teatrin Kombëtar duhet të shërbejë si shembull për raste të ngjashme, ku fuqia e fakteve dhe e verdikteve zyrtare duhet të dominojë mbi akuzat e hedhura kuturu, hamendjet dhe supozimet. Drejtori Skrami tha se për çdo mosmarrëveshje që ka pasur në detyrën e tij, i është përmbajtur rrugës zyrtare e ligjore të zgjidhjes pa rendur nëpër media, për t‘i shndërruar ato në podiume të akuzave publike dhe rrjedhimisht pa publikuar çdo problem që ekziston në kupolën e TK-së, të tilla që mund të zgjidhen, pa u bërë domosdoshmërish çështje të opinionit. Sa për faktin se a mund të ndikojë precedenti i fundit i akuzave ndaj tij në mbarëvajtjen e shfaqjeve në skenën e teatrit, Skrami tha se gjithsesi ndonjë ndikim i mundshëm në psikologjinë e opinionit nuk mund të ketë pasoja, fjala vjen tek interesi i jashtëzakonshëm për dramën "Pamje nga ura", apo pjesë të tjera që po shfaqen sipas kalendarit.

Skena

Ajo që ndodh pas kuintave nuk ka lidhje me atë që ndodh në skenë, edhe pse është një telenovelë në vetvete. Drejtori Skrami ka dhënë shifra, sipas së cilave, treguesit e rritjes së interesit të publikut për shfaqjet në teatër janë bindëse. Skrami pretendon se gjatë drejtimit të tij në skenë janë ngjitur pjesë cilësore, ka pasur risi të tilla si "Berberi i Seviljes", është vënë në skenë një pjesë e përbashkët nga Teatri Kombëtar dhe ai i Shkupit, etj., si dhe është rritur si asnjëherë tjetër gjatë këtyre viteve numri i biletave të shitura për shfaqje. Pra ka një rikthim të spektatorit në teatër, që ka qenë sfida më e madhe për çdo drejtues, regjisor e aktor. Ndërsa sa për akuzat se ka marrë në punë aktore të panjohura, Skrami përmendi rastin e aktores Marjana Kondi. "Ishte një vend i lirë dhe aty u emërua një aktore potente e komedisë, si Marjana Kondi", tha Skrami, si dhe përmendi jo marrjen në punë, por lidhjen e një kontrate dymujore me aktoren Ermela Teli, sipas një projekti të shansit që duhet t`u jepet të rinjve për ta ballafaquar veten me skenën e madhe të TK.

Duke përmendur dhe faktin se në 13 vjet drejtim të teatrit "Petro Marko" në Vlorë, kurrë nuk ishte diskutuar morali dhe serioziteti i tij në punë, drejtori Skrami tha se në gjithë këtë mesele më e rëndësishme ishte figura e tij, që doli e pastër nga kontrollet shtetërore e një poltron drejtori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›