Ajk Tërner, një jetë mes më të mëdhenjve
Vdekja e tij u njoftua të mërkurën nga Xhenët Bazell Tërner, me të cilën këngëtari u martua në vitin 1995. Nuk i bëri të qarta shkaqet e detajuara të vdekjes, por tregoi se ishte ndarë nga jeta për shkak të emfizemës. Në botën e artit, më së shumti njihej për shkak të zbulimit të vogëlushes tejet të talentuar Anna Mei Bullok, nga Nutbushi i shtetit Tenesi, e cila më pas do të njihej nga e gjithë bota si Tina Tërner. Suksesi që pasoi bashkimin e të dyve krijoi një seri të gjatë dhe të mrekullueshme hitesh në vitet 1960, deri përpara se të ndaheshin në vitin 1975.
Në autobiografinë e saj, e cila në vitin 1993 u përshtat për realizimin e filmit "Vetëm dashuri nuk mund të quhet", këngëtarja e përshkruan lidhjen mes tyre si abuzive, duke e kthyer të shoqin në sinonim të keqtrajtimit të femrave. "Jam nevrik", pranonte këngëtari në vitin 1999 në librin autobiografik, "Rigjetja e emrit tim: Rrëfimet e Ajk Tërner". Por ai këmbënguli se në film gjithçka ishte e ekzagjeruar.
Karriera e Ajk Tërner nisi në vitin 1950, kur luajti në grupin muzikor të bluzit "Mississippi Delta", për t‘u drejtuar më pas drejt rok en rollit, por edhe muzikës soul, ritëm dhe bluz. "Rocket 88", një këngë të cilën grupi i tij e nxori në treg në vitin 1951 nën emrin "Jackie Brenston and his Delta Cats", citohet rregullisht si një ndër kandidatët kryesorë për të marrë mbi vete statusin e këngës së parë rok en roll, falë ritmit, tingujve revolucionarë të kitarës dhe të saksofonit.
Së bashku, Ajk dhe Tina Tërner zunë vend në "Hollin e të Famshmëve" të rok en rollit në vitin 1991.
Ajk Tërner, emri i plotë i të cilit është Izear Luster Tërner (ndonjëherë edhe Ajk Uister Tërner), ka lindur në Misisipi dhe pas vdekjes së të atit (njeri i fesë, i rrahur nga disa të bardhë) u rrit nga e ëma. Kur ishte fëmijë kalonte shumë kohë në stacionin e radios lokale, WROX, në të cilën luhej rregullisht muzikë bluz. Sipas autobiografisë së Ajk Tërner, ishte Di Xhei i radios ai që i mësoi të luante akordet e para, ndonjëherë duke e lënë të luante edhe vetëm për minuta të tëra, kur ishte vetëm tetë vjeç.
U rrit përreth muzikantëve të njohur lokalë, si bluzmeni Robert Najthouk dhe pianisti Pinetop Perkins. Në shkollën fillore krijoi një grup të quajtur "Mbretërit e Ritmit". Ishte B. B. King njeriu që i dha shansin grupit të gjente një hapësirë për të luajtur çdo javë përpara publikut, duke i rekomanduar edhe Sem Filips, i shtëpisë diskografike "Sun Studios" në Memfis. Deri në atë kohë luanin veç këngë të njohura, por gjatë zhvendosjes nga Misisipi në Memfis, vendosën të shkruanin edhe vetë muzikë.
Saksofonisti i grupit, Xheki Brenston, dha edhe idenë për këngën e parë. Introduksioni në piano dhe frazat e para muzikore u shkruan nga Tërner, ndërsa në krijimin e pjesës tjetër të këngës bashkëpunuan të gjithë pjesëtarët e grupit, ndërsa Brenston këndonte. "Sun Studios" nuk ishte bërë ende ai aktor në botën e muzikës që është tani, kështu që këngën e dërguan në "Chess Records". Shiti shumë shpejt gjysmë milioni kopje. "Po luaja ritëm e bluz dhe asgjë më shumë", shkruan Tërner. Në libër shkruan se u pagua 20 dollarë për regjistrimin e këngës.
Tërneri punësohej rregullisht si kitarist në regjistrimet e këngëve, falë fantazisë që karakterizonin variacionet e tij në kitarë dhe tingullit të zjarrtë. Njëherësh ishte edhe producent, autor këngësh, si edhe zbulues talentesh për llogari të shtëpive diskografike "Sun" dhe "RPM/Modern Records". Punoi me B. B. King, "Bobby Blue Bland", "Howlin Wolf", Xhoni Eis, Otis Rash, Elmor Xheims, si edhe me shumë muzikantë të tjerë bluzi dhe me ritëm bluzi.
Në vitin 1954 u zhvendos mbi Misisipi, në Sant Ljusin lindor, ku grupi i tij u kthye në më të rëndësishmin në të gjitha klubet e qytetit. Pikërisht aty, në vitin 1958, dëgjoi për herë të parë të këndonte Ana Mei Bullok, e cila shpejt u bë pjesë e grupit dhe nisi të quhej me emrin e artit Tina Tërner. Pas kësaj u ndryshua edhe emri i grupit: "Ike and Tina Turner Revue". Falë zërit të saj, kënga "Budalla në dashuri" u rendit menjëherë ndër dhjetë hitet më të mira ritëm dhe bluz, ndërkohë që arriti të zinte vend edhe në renditjen e listës së 40 këngëve më të mira pop. U pasua nga një tjetër sukses, "Do t‘ia dal në krye", në vitin 1961.
Grupi "Ike and Tina Turner Revue" u kthye në një prej më të rëndësishmëve në qarkun e ashtuquajtur të afro-amerikanëve. Ceremoninë e martesës e bënë në Tiuhana, në Meksikë, në vitin 1962; në të vërtetë, në librin e shkruar nga Ajk arrihet në përfundimin se ata nuk u martuan kurrë.
Në turin e tyre të vitit 1969, "Rolling Stones" e zgjodhën grupin e bashkëshortëve si më të përshtatshmin për hapjen e turit, duke i bërë të njohur edhe në sytë e shumë të pasionuarve pas rokut. Në vitin 1971, "Ike and Tina Turner Revue" arritën të ngjiten në listën e dhjetë këngëve më të mira me versionin e përpunuar të këngës "Proud Mary" (e "Creedence Clearwater"), ku me zërin e tij të thellë Ajk shoqëronte hyrjen e famshme të recituar nga Tina. "Kurrë nuk i bëjmë gjërat këndshëm e lehtë", thoshte Tina, "i bëjmë këndshëm, por ashpër".
Kënga fitoi një çmim "Grammy", si performanca më e mirë në rang grupi. Tina, në librin e saj, i përshkruan ato vite si të mbushura me dhunë, tradhti bashkëshortore dhe drogë; ai nuk i mohon, megjithëse shkruan: "Tina dhe unë vërtet jemi zënë shpesh, por jo më shumë se çiftet e tjera".
Tina e la në vitin 1975. Ajk, që edhe deri atëherë kishte abuzuar mjaft me drogat dhe alkoolin, u zhyt edhe më thellë në probleme, sidomos gjatë viteve ‘80, kur ish-bashkëshortja e tij shiste miliona e miliona disqe në të gjithë botën. Një studio muzikore e ngritur nga Ajk në Los Anxhelos, u rrënua për shkak të një zjarri, ndërkohë që ai vetë hynte e dilte nga burgu për shkak të akuzave për trafik droge. Në vitin 1989 u burgos për disa akuza lidhur me përdorimin e kokainës dhe gjendej në burg kur u përjetësua në "Hollin e të Famshmëve" të rok en rollit.