E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Ministri gjerman i Financave kërkon tarifë më të ulët për çelikun

UASHINGTON, 4  gusht/ATSH-DPA/  – Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, shpreson të negociojë një përjashtim për eksportet e çelikut gjatë vizitës së tij në Uashington, ku zhvilloi sot bisedime  me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, vetëm disa ditë para se të hyjnë në fuqi tarifat e reja të SHBA-së ndaj importeve nga Bashkimi Evropian.

Klingbeil tha se planifikon të diskutojë një rregullore kuotash për eksportet e çelikut, e cila mund të lejojë që sasi të caktuara të këtij metali të tregtohen mes të dyja palëve me një tarifë më të ulët, ose edhe pa tarifë fare.

“Do të ishte shumë e rëndësishme për industrinë gjermane të çelikut, për shumë vende pune në Gjermani”, u tha ai gazetarëve në Uashington.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një marrëveshje tregtare në fund të muajit të kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë për tarifat, e cila u nxit nga presidenti Donald Trump.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shumica e importeve nga BE-ja drejt SHBA-së do të përballen me një tarifë prej 15% duke filluar nga data 7 gusht. Ndërkohë, tarifat mbi mallra të caktuara si alumini dhe çeliku do të mbeten në nivelin 50%.

Klingbeil shprehu zhgënjim lidhur me negociatat që çuan në marrëveshjen e shpallur më 27 korrik.

“Mendoj se ishim shumë të dobët. Nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin që u arrit,” tha ministri, i cili është gjithashtu edhe  zëvendëskancelar i Gjermanisë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›