E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: SPAK të hetojë privatizimin kriminal të katër HEC-ve

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sektori energjetik në Shqipëri ka shënuar një progres të qëndrueshëm, duke ulur humbjet në rrjet në nivele historike, krahasuar me 50% që shënohej vite më parë.

Duke marrë fjalën në mbledhjen e grupit të PS-së, ai solli në vëmendje se gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme, katër HEC-e funksionale, të ndërtuara nga shteti, u privatizuan në mënyrë kriminale, duke mos iu llogaritur TVSH-ja, teksa theksoi se drejtësia duhet të hetojë këtë çështje për të sqaruar përgjegjësitë.

“Që nga vdekja e Enver Hoxhës, deri në largimin e Sekretarit të Përgjithshëm të tij ,Sali Berisha, Shqipërisë nuk i është rritur asnjë megavat kapacitet prodhimi. Po ka ndodhur shkatërrimi i sistemit të shpërndarjes, privatizimi kriminal i 4 HEC-ve funksionale të ndërtuara në Shkopet, Ulëz;  Bistrica 1 dhe Bistrica 2, si kthim TVSH-je. D.m.th nëse duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin, se krimin mesa duket nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund, per derisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për 21 janarin, le të shkojnë dhe të marrin dosjen e këtyre 4 veprave të ndëruara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit dhe iu dhanë një kompanie që nuk i llogaritej TVSH-ja dhe që janë këta sot ata që vijnë vërdallë me flakë në duar”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se investimet dhe politikat e qeverisë kanë rritur efikasitetin, diversifikimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit energjetik, duke e bërë Shqipërinë një shembull rajonal në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme.

Rama bëri të ditur se në pesë ankande ndërkombëtare janë krijuar mundësitë për 640 megavat kapacitet fotovoltaik dhe 242 megavat kapacitet elektrik, duke arritur disa nga çmimet më konkurruese në Europë për energjinë e rinovueshme.

Ai informoi se projekti energjetik në Karavasta, 140 megavat është tashmë në operim, Spitalla 100 megavat ndodhet në ndërtim, ndërsa Parku eolikt në Kavajë 75 megavat,  Akernia 100 megavat dhe rreth 300 megavat të tjera, janë në proces marrjeje leje ndërtimi.

Kryeministri theksoi se diversifikimi i prodhimit të energjisë ka sjellë 600 megavat kapacitete të reja, ndërsa priten edhe 1 000 megavat të tjera deri në fund të vitit 2027.

“Sot energjia e rinovueshme përbën 44% të energjisë totale. Politikat tona kanë nxitur prodhimin e 400 megavat energji për bizneset dhe familjet vetëm në tre vitet e fundit”, deklaroi Rama, duke nënvizuar se është përfunduar reforma në sektorin e energjisë dhe transmetimit.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›