BRUKSEL – NATO neutralizon raketën e tretë iraniane mbi hapësirën ajrore të Turqisë

BRUKSEL, 14 mars /ATSH-DPA/- NATO ka ndërhyrë sërish duke neutralizuar një raketë balistike iraniane që po drejtohej drejt Turqisë, tha dje në mbrëmje zëdhënësja e aleancës, Allison Hart.
“NATO mbetet vigjilente dhe qëndron e palëkundur në mbrojtjen e të gjithë aleatëve”, tha Hart.
“Një raketë balistike e lëshuar nga Irani u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s sapo hyri në hapësirën ajrore turke të premten”, njoftoi më herët Ministria turke e Mbrojtjes, duke shënuar incidentin e tretë të tillë që nga 4 marsi.
Në një deklaratë në platformën sociale X, ministria tha se predha u shkatërrua nga pajisjet e NATO-s të dislokuara në Mesdheun Lindor.
Nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte objektivi i sulmit, ndërsa mediat lokale raportuan se alarmet paralajmëruese u dëgjuan rreth Bazës Ajrore İncirlik në provincën jugore Adana, ku ndodhet edhe personeli amerikan.
“Ankaraja është në kontakt me Iranin për të sqaruar të gjitha aspektet e incidentit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ambasada iraniane në Ankara më pas mohoi se mund të kishte lëshuar ndonjë raketë drejt Turqisë.
Incidenti i fundit vjen pas dy ndërhyrjeve të ngjashme brenda më shumë se një jave, ndërsa përplasjet mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së po përhapen në rajon.
“NATO ka vendosur sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” në jug të Turqisë për të forcuar mbrojtjen ndaj kërcënimeve të mundshme me raketa”, tha Ankaraja.
Turqia, anëtare e NATO-s që kufizohet me Iranin në lindje, mban një qëndrim neutral në konflikt dhe ka rritur monitorimin e hapësirës së saj ajrore ndërsa lufta po intensifikohet. //a.i/