Koçiu uron të gjithë qytetarët për Ditën e Verës nga Elbasani

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu uroi Ditën e Verës nga qyteti i bukur i Elbasanit, së bashku me djalin e vogël Klark, i veshur me kostum tradicional të qytetit.
Gjatë urimit, Klarku mbante në dorë veroren, simbol i festës dhe traditës shqiptare.
“Unë, Klarku. Kam ardh me ba kamë. Ju urojmë gëzuar Ditën e Verës, qoftë një verë e bukur me plot mirësi e begati për familjet tuaja dhe për të gjithë shqiptarët. Sene t’mar* e gëzuar nga mot!”, ishte urimi në elbasançe i Klarkut të vogël.
Gjithashtu, zv.kryeministrja Koçiu iu bashkua edhe eventeve festive organizuar nga Bashkia Elbasan për Ditën e Verës.
“Në këtë ditë feste, nga Elbasani i traditës e në çdo cep të Shqipërisë, le të lejojmë që energjia e kësaj stine të na mbushë me optimizëm dhe vullnet. Dita e Verës nuk është thjesht një kalim stinësh, por triumfi i dritës mbi errësirën dhe i shpresës mbi çdo vështirësi. Është çasti magjik kur natyra na kujton se forca jonë më e madhe qëndron te aftësia për t’u ripërtërirë me të njëjtin vrull që toka zgjohet në këtë stinë”, u shpreh Koçiu në urimin e përcjell në rrjetet sociale për të gjithë qytetarët.
Gëzuar Ditën e Verës!💐
Sipas traditës elbasanase, mëngjesin e datës 14, pasi kishin festuar Natën e Verës, më i vogli i familjes dërgohej tek të afërmit “me ba kamë” (me bërë këmbë), pra që të ishte këmbëmbarë për stinën e re të verës që hynte sipas kalendarit të vjetër. Ky ritual shoqërohej me dhënie e marrje ballakumesh, palafiku, lule karakaftesh e zymbylash, arra etj., simbole të mbarësisë që u uronin familjet elbasanase njëra-tjetrës.
Ky urim i veçantë nga Elbasani shërben si një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke promovuar dashurinë për kulturën dhe traditën, veçanërisht te brezat e rinj.
*vit të mbarë – shën.i red.
/e.xh/r.e/