Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” gjallërohet nga lojërat sportive të fëmijëve

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë është kthyer sot në një qendër festive për Ditën e Verës, duke tërhequr qindra vizitorë dhe turistë nga kryeqyteti dhe jashtë tij.
Festimet janë organizuar në të gjithë hapësirën e bulevardit, ku qytetarët mund të shijojnë panaire me produkte bujqësore, artizanale dhe dekorative, si dhe zona të dedikuara për lojëra sportive dhe aktivitete për fëmijë.
Fëmijët kanë pasur mundësinë të luajnë në fusha sportive të improvizuara, të bëjnë xhiro me biçikleta, të luajnë me top me porta të vogla, volejboll, basketboll, si dhe të marrin pjesë në lojëra të ndryshme sportive, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe festive.
Dita e Verës, një festë me origjinë pagane, simbolizon pranverën, ringjalljen e natyrës dhe bashkimin e komuniteteve, dhe këtë vit në Tiranë ajo është shndërruar në një manifestim kulturor dhe argëtues, ku tradita bashkohet me aktivitete moderne për të gjitha moshat.
Bashkia është kujdesur që çdo hapësirë të ofrojë një përvojë të veçantë për fëmijët dhe familjet, duke kombinuar traditën, kulturën dhe aktivitetet sportive, duke e kthyer bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një qendër të gjallë dhe tërheqëse për Ditën e Verës.
1 nga 7/e.xh/r.e/