E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Afganistani dhe Pakistani bien dakord për armëpushim pas përleshjeve vdekjeprurëse

KABUL/ISLAMABAD, 15 tetor /ATSH-DPA/- Një armëpushim midis Afganistanit dhe Pakistanit hyri sot në fuqi rreth orës 17:30 –  pas ditësh përleshjesh vdekjeprurëse ndërkufitare, njoftoi sot qeveria talebane.

“Me kërkesën dhe këmbënguljen e palës pakistaneze, një armëpushim midis dy vendeve do të hyjë në fuqi sot pas orës 17:30”, tha zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, në një deklaratë.

“Emirati Islamik ka udhëzuar të gjitha forcat e tij të respektojnë armëpushimin, për sa kohë që nuk shkelet nga pala tjetër”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme pakistaneze konfirmoi gjithashtu armëpushimin e përkohshëm që zgjat 48 orë.

“Si Islamabadi ashtu edhe Kabuli do të zhvillojnë negociata ndërsa armëpushimi është në fuqi – për të gjetur një zgjidhje të përhershme për t’i dhënë fund armiqësive”, shtoi Ministria e Jashtme pakistaneze.

Përleshjet kufitare midis dy vendeve rifilluan sot në mëngjes pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve gjatë natës.

Zyrtarët talebanë thanë se bombardimet pakistaneze në rajonin Spin Boldak të provincës Kandahar shkaktuan vdekjen e të paktën 12 civilëve dhe plagosjen e më shumë se 100 personave të tjerë, përfshirë fëmijë.

Media afgane raportoi gjithashtu se një gazetar ishte vrarë dhe një tjetër ishte plagosur në provincën Paktia, nga forcat pakistaneze, ndërsa po raportonin pranë kufirit.

Ndërkohë, ushtria pakistaneze akuzoi talebanët për nisjen e përleshjeve duke sulmuar postet kufitare në provincat Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa.

Të dyja palët kanë pretenduar se i kanë shkaktuar njëra-tjetrës dëme dhe humbje të konsiderueshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›