E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli liron dhjetëra mjekë nga Gaza, por drejtori simbol i rezistencës ende në burg

KAJRO, 15 tetor /ATSH/ – Në kuadër të armëpushimit të fundit në Gaza, Izraeli ka liruar dhjetëra punonjës të shëndetësisë të arrestuar gjatë bastisjeve në spitale, por më shumë se 100 të tjerë mbeten në paraburgim, përfshirë Dr. Hossam Abu Safiya, një figurë simbol e sistemit shëndetësor palestinez, sipas AP.

Abu Safiya, drejtor i  Spitalit “Kamal Adwan” në veri të Gazës, është mbajtur pa akuza për afro 10 muaj dhe nuk ishte mes palestinezëve të liruar në këmbim të 20 pengjeve që mbante Hamasi. Organizata “Health Workers Watch” njoftoi se 55 mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë ishin përfshirë në listën e lirimeve, por nuk dihet nëse të gjithë janë kthyer në shtëpi.

Ndërkohë, stafi i “Spitalit al-Awda” festoi lirimin e drejtorit të tyre, Ahmed Muhanna, i cili kishte kaluar 22 muaj në burg pas një bastisjeje izraelite në fund të vitit 2023. “Spitali al-Awda do të rindërtohet. Ne do ta ngremë përsëri me duart tona”,  tha ai, i dobësuar por i vendosur.

Fushata dyvjeçare e Izraelit për të shkatërruar Hamasin pas sulmit të 7 tetorit 2023 ka rrënuar sistemin shëndetësor të Gazës. Shumica e spitaleve janë shkatërruar ose mbyllur, dhe qindra punonjës mjekësorë janë arrestuar. Izraeli thotë se spitalet janë përdorur nga Hamasi për qëllime ushtarake, gjë që autoritetet palestineze e mohojnë.

Dr. Abu Safiya, mjek pediatër 52-vjeçar, u bë simbol i qëndresës gjatë një rrethimi 85-ditor në spitalin “Kamal Adwan”, ku mjekët trajtonin të plagosurit pa ilaçe dhe furnizime. Ai refuzoi urdhrat për ta braktisur spitalin dhe publikonte video për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare.

Në dhjetor, forcat izraelite bastisën spitalin dhe e arrestuan atë. Gjatë luftës, ai humbi djalin e tij, në një sulm me dron dhe u plagos vetë, por vazhdoi punën me pacientët. “Ai nuk pranoi të largohej derisa pacienti i fundit të ishte i sigurt”, tha kolegu i tij, Dr. Saeed Salah.

Aktualisht, Abu Safiya mbahet në burgun “Ofer” në Bregun Perëndimor. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›