ITALI – Gjykata e Lartë bllokon ekstradimin e ukrainasit të dyshuar për sulmet ndaj “Nord Stream”

ROMË, 15 tetor /ATSH-DPA/- Gjykata më e lartë e Italisë ka ndaluar ekstradimin në Gjermani të organizatorit të dyshuar ukrainas – që qëndron pas sulmeve të gazsjellësit “Nord Stream”, tha sot avokati i të dyshuarit.
Gjykata e Kasacionit në Romë rrëzoi papritur vendimin e një gjykate më të ulët. Çështja tani do t’i referohet sërish një gjykate tjetër, e cila do të marrë një vendim të ri.
I dyshuari, Serhiy K, u arrestua në fund të gushtit ndërsa ishte me pushime me familjen e tij.
Prokurorët gjermanë e akuzojnë 49-vjeçarin për shkaktimin e përbashkët të një shpërthimi në gazsjellësin “Nord Stream” dhe për sabotim antikushtetues.
Sulmet në shtator 2022 i nxorën jashtë funksionit të dy tubacionet, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Gjithashtu, u gjetën katër rrjedhje në tre nga katër linjat.
Gazsjellësi “Nord Stream 1” transportonte gaz në Gjermani direkt nga Rusia.
“Nord Stream 2” nuk hyri në funksion si rezultat i pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt 2022. //a.i/