E Hënë, 2 Nëntor 2026

PEKIN – Kina kundërshton ndalimin e fluturimeve mbi Rusinë nga SHBA-ja

PEKIN, 15 tetor /ATSH/ – Linjat më të mëdha ajrore shtetërore të Kinës kanë reaguar ashpër ndaj një propozimi të SHBA-së që do t’u ndalonte fluturimin mbi hapësirën ajrore të Rusisë gjatë udhëtimeve drejt ose nga Shtetet e Bashkuara, sipas AP.

Sipas Uashingtonit, këto fluturime u japin linjave kineze një “përparësi të padrejtë në kosto” ndaj transportuesve amerikanë, të cilëve Moska u ka mbyllur hapësirën ajrore që nga viti 2022, në përgjigje të sanksioneve perëndimore për pushtimin e Ukrainës.

Kompanitë “Air China”, “China Eastern” dhe “China Southern” janë mes gjashtë transportuesve që kanë depozituar ankesa kundër këtij propozimi në Departamentin Amerikan të Transportit.

Në ankesën e saj, “China Eastern” paralajmëroi se ndalimi do të dëmtonte interesin publik dhe do t’u sillte telashe udhëtarëve  nga të dy vendet, duke theksuar se devijimi i fluturimeve do të rriste kohën e udhëtimit, kostot dhe çmimet e biletave.

“China Southern” shtoi se ndalimi do të ndikonte negativisht te mijëra pasagjerë, ndërsa “Air China” vlerësoi se rreth 4 400 udhëtarë  do të preken vetëm gjatë sezonit të Falënderimeve dhe Krishtlindjeve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, e quajti propozimin amerikan një masë “ndëshkuese për pasagjerët në mbarë botën”.

Sipas David Yu, ekspert i industrisë ajrore në Universitetin e Nju Jorkut në Shangai, pamundësia e linjave amerikane për të fluturuar mbi Rusinë ka zgjatur itineraret drejt Kinës me dy deri në tre orë, duke rritur ndjeshëm konsumin e karburantit dhe kostot.

“Historikisht, linja ajrore SHBA–Kinë ka qenë fitimprurëse për të dyja palët”, tha Yu. “Nëse linjat kineze mund të kalojnë mbi Rusinë, kostot e tyre bien ndjeshëm”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›