E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajerni shpëton Rafa Benitez

Drejtuesit e Liverpulit i kishin ofruar stolin e skuadrës Jurgen Klinsmanit. Kjo ka ndodhur pak kohë përpara se Bajerni i Mynihut të zyrtarizonte se në fund të këtij sezoni ish-trajneri i Gjermanisë do të emërohet te gjigandët e Bundesligës. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike "Daily Mail", që jo rastësisht në faqet e brendshme përdorte titullin "Rafa shock", si për të treguar se pronarët amerikanë, Hiks-Xhilet, ishin të gatshëm për të larguar trajnerin Rafa Benitez. Tashmë që vazhdon të jetë në punë, spanjolli duhet të falënderojë Bajernin, i cili fitoi garën për shërbimet e Klinsman.

Sipas zërave që qarkullojnë në klubin gjerman, por edhe në ambientet e Federatës Gjermane, Liverpuli i kishte paraqitur Klinsmanit një ofertë zyrtare dhe të detajuar. Qëllimi i dy pronarëve amerikanë të klubit të Premiershipit ishte zëvendësimi i menjëhershëm i Benitezit. Ish-drejtuesi i përfaqësueses gjermane nga ana e tij po e shqyrtonte seriozisht ofertën, madje dukej i gatshëm ta pranonte, por lëvizja e papritur e Bajernit (drejtuesit bavarezë kanë kontaktuar me Klinsmanin të mërkurën në Los Anxhelos dhe vetëm 2 ditë më pas paraqitën kontratën e firmosur), ka ngatërruar planet e Liverpulit dhe larguar Klinsmanin nga merkato. Interesimi i "Reds"-ave është konfirmuar edhe nga ish-sulmuesi gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Mynih. "Kam pasur edhe oferta nga Anglia, pranoi tekniku që sezonin e ardhshëm do të zëvendësojë Otmar Hitcfeld, por jam i lumtur që zgjodha Bajernin". Sipas gazetës, është kuptimplotë edhe fakti se kësaj radhe Liverpuli evitoi të zbulonte detajet e ofertës që i është bërë Klinsmanit (ndryshe nga sa ndodhi në nëntor 2007, kur për stolin përflitej emri i Kapelos). "Daily Mirror" e ka etiketuar Benitezin "Red man walking" (krahasim me filmin e famshëm "Ded man walking", "Të vdekurit që ecin") dhe ka nënvijëzuar se gjithçka tregon synimin e pronarëve të skuadrës për të larguar spanjollin. Vetëm shpejtësia e treguar nga Bekenbauer & Co i ka dhënë një tjetër shans Benitezit, që (gjithmonë nëse nuk do të ketë surpriza) do të qëndrojë në krye të skuadrës deri në fund të sezonit. Për të shpëtuar vendin te "Reds", teknikut do t‘i duhej një mrekulli: e përkthyer ndryshe fitimi i titullit kampion. Mbase edhe kjo arritje nuk do t‘i mbushte mendjen dyshes Hiks dhe Xhilet, që për momentin nuk kanë gjetur asnjë alternativë të vlefshme. Mes emrave që cilësohen si kandidatët më të fortë për të zëvendësuar Benitezin janë Hoze Murinjo dhe Martin O‘Nill. Të dy trajnerët janë përfolur më parë edhe për stolin e Kombëtares angleze dhe janë mes më të kuotuarve në futbollin britanik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›