Dida, e ardhmja varet vetëm nga një gabim
Ndeshja e parë e vitit 2008 do të jetë shumë e rëndësishme për portierin e Milanit, Nelson Dida, i cili rrezikon të përfundojë në stolin e rezervave nëse i bën një dhuratë tjetër kundërshtarëve. Braziliani do të jetë titullar ndaj Napolit, por pas gafës në derbin me Interin ai do të cilësohet në provë nga drejtuesit e skuadrës kuqezi. Trajneri Ançeloti ka vendosur t‘i besojë më shumë Kalacit, ndaj për Didën ky mund të jetë shansi i tij i fundit, pa harruar që në fundin e sezonit rrezikon largimin nga kjo skuadër.
Portieri brazilian është konfirmuar disa herë nga drejtuesit e Milanit, por ndoshta vetëm për faktin se ata nuk kanë në dispozicion një alternativë cilësore, duke parë se Kalac nuk arrin t‘i japë sigurinë e duhur mbrojtjes. Gjatë grumbullimit në Dubai u kuptua qartësisht edhe qëndrimi i Ançelotit ndaj portierit brazilian. "A do të jetë titullar? Deri në gabimin tjetër", ishin fjalët e teknikut të Milanit, që nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësinë për dhuratën që Dida i bëri Interit në derbi. Kjo ngjan më shumë me një ultimatum para ndeshjes shumë të rëndësishme me Napolin, aq sa kuqezinjtë duken më të shqetësuar për paraqitjen e portierit veteran se sa për atë të debutuesit Pato. Një tjetër gafë mund t‘i hapë përfundimisht rrugë Kalac, ndërsa për Didën do të ishte padyshim fundi i aventurës së tij me Milanin.
Alternativat për skuadrën e Ançelotit nuk janë të shumta, por fillojnë pikërisht me emërimin titullar të Kalac, ndërsa do të kërkohet menjëherë një portier tjetër. Duke parë që objektivi është vendi i katërt në kampionat dhe një paraqitje e denjë në Ligën e Kampioneve, Milani ka harruar tashmë ëndrrat për Ronaldinjon dhe po mendon të sistemohet në prapavijë. Emri që qarkullon më shumë në ambientin kuqezi është ai i Sebastian Frei të Fiorentinës, por edhe portugezi Gomez është lakuar gjatë ditëve të fundit. Të dy nuk mund të sigurohen para përfundimit të këtij sezoni, ndaj drejtuesit e klubit po mendojnë që të mbyllin këtë edicion me treshen aktuale. Por shumë gjëra do të varen nga Ançeloti, i cili do të vendosë brenda javës së ardhshme nëse i duhet menjëherë një portier, apo skuadra mund të arrijë objektivat sezonalë me Didën dhe Kalac të alternuar mes shtyllave.