E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zbori", mungojnë Sinani e Pisha

Trajneri Ari Han do të ketë në dispozicion vetëm 25 nga 27 lojtarët e përfshirë në listën e hartuar nga FSHF për pjesëmarrjen në zborin stërvitor në Turqi. Zyra për shtyp e institucionit të futbollit ka bërë të ditur dje se të gjitha klubet kanë miratuar zyrtarisht pjesëmarrjen e futbollistëve të tyre në këtë aktivitet, por ka dy mungesa të cilat lidhen me dëmtimet. Emri i parë është ai i sulmuesit Vioresin Sinani, i cili ka pësuar një traumë në stërvitjen e fundit dhe si rrjedhojë nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në zborin e kombëtares. E njëjta situatë ka qenë edhe për mbrojtësin Pisha, i cili shihej si një alternativë për prapavijën kuqezi edhe nga ish-trajneri Bariç. Të dy lojtarët nuk do të udhëtojnë drejt Turqisë, por do të vazhdojnë riaftësimin me skuadrat respektive, për të qenë të gatshëm për pjesën e dytë të sezonit. Gjithsesi, ata do të vëzhgohen nga trajneri Han gjatë muajve të ardhshëm, kur holandezi të vijë për të inspektuar kampionatin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›