E Diel, 1 Nëntor 2026

Spaleti: Titulli? Besojmë edhe ne si Juventusi

Luçiano Spaleti mendon se Roma do të jetë ndryshe në pjesën e dytë të sezonit, ndonëse nuk parashikon revolucion në kontingjentin aktual të futbollistëve që ka në dispozicion. Sipas tij, nuk do të ketë largime, por vetëm konfirmime, duke filluar pikërisht nga mesfushori Mansini, i cili do të vazhdojë të qëndrojë me verdhekuqtë. "Ai më ka thënë se do të qëndrojë te Roma. Mansini mbetet një futbollist i rëndësishëm për ne dhe jam i bindur se problemi i kontratës do të jetë një stimul më shumë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Ne kemi një raport shumë të mirë dhe me aq sa di unë, lojtari ka një raport të shkëlqyer edhe me klubin. I vetmi problem që ai ka është se nuk tregon karakterin e tij në momentet më të vështira të ndeshjes, kur skuadra shfaq vështirësi", u shpreh trajneri i Romës për futbollistin, i cili kërkohet nga disa klube angleze. Ndaj Atalantës, skuadra do të përballet me disa mungesa të rëndësishme si Kaseti e Zhuli, por edhe Vuçiniç nuk është në formën më të mirë për shkak të gjendjes gripale. Por Spaleti nuk e sheh situatën si problematike dhe u beson zëvendësuesve që ka në dispozicion. "Nëse skuadra ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme deri tani, meritë kanë edhe lojtarët që kanë gjetur më pak hapësira, por janë treguar të gatshëm në çdo moment. Duhet ta fillojmë këtë vit me fitore. Interi nuk arrihet me fjalë, por me fakte, duke fituar gjithmonë, ndoshta edhe për katin se ata do të ndalen shumë rrallë. Për të arritur zikaltërit duhet përqendrim, kualitet dhe shpirt i lartë gare. Atalanta është një skuadër e frikshme, një grup kompakt dhe një mbrojtje e sistemuar, që krijon kundërsulme të shpejta. E njoh Del Nerin, ai është një trajner shumë i mirë dhe mendoj se do të kërkojë të bëjë maksimumin ndaj ish-skuadrës së tij", u shpreh Spaleti. Trajneri i Romës ka ironizuar edhe me ata që e pyetnin nëse në të vërtetë besonte te titulli kampion. "Nëse te një objektiv i tillë shpreson Juventusi, atëherë na duhet edhe ne të bëjmë njëlloj. Por e përsëris, për të ngushtuar diferencën me Interin duhen fituar të gjitha ndeshjet. A do të bëjmë merkato për këtë objektiv? Deri tani nuk kemi pasur probleme me kontingjentin. Normalisht që nuk mbetemi thjesht spektatorë në merkato, por unë preferoj më mirë të gjej lojtarin e duhur se sa të harxhoj kot paratë. Pastaj më duket se Interi, ndonëse me një kontingjent shumë më të madh se i yni, nuk po ia kalon edhe aq mirë në mesfushë", përfundoi trajneri i Romës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›