E Diel, 1 Nëntor 2026

Barak Obama fiton në Uajoming: Nuk do të jem zëvendës i Hillarisë

Nuk ka pasur surpriza dhe në Uajoming Barak Obama është shpallur fitues me 61 për qind të votave, kundër 39 për qind që kanë shkuar për ish-Zonjën e Parë, Hillari Klinton. E duke marrë parasysh rezultatet më të mira të regjistruara deri më tani nga senatori i Illinoisit në zgjedhjet paraprake, Obama mbetet favorit. Rezultati i djeshëm, fitorja e 13 në 16 zgjedhjet e fundit paraprake të demokratëve, ka më shumë vlerë morale se sa politike, pasi Uajoming ka në dispozicion vetëm 12 delegatë dhe gjashtë superdelegatë, shumë pak për të bërë dallimin në luftën intensive mes senatores së Nju Jorkut dhe rivalit të ri nga Çikago. Nëse u hyn më thellë llogarive, sheh se të dy ata ndahen nga rreth 100 delegatë, 1569 për Obamën dhe 1462 për Klintonin, e në këtë mënyrë çdo delegat më shumë është i rëndësishëm. Pas zgjedhjeve të fundit, Obamës i kanë shkuar edhe shtatë delegatë të tjerë, ndërsa pesë duhet t‘i shkojnë Klintonit. Për Obamën ishte e rëndësishme të fitonte në Uajoming, pasi në këtë mënyrë do të rimerrte veten në prag të zgjedhjeve të së martës në Misisipi, ku janë në lojë 33 delegatë dhe 7 superdelegatë, dhe më tej akoma, më 22 prill, në Pensilvani, shteti i fundit që ka një numër të madh delegatësh, plot 158 të tillë dhe 30 superdelegatë. Klinton, më 4 mars kishte ndërprerë serinë pozitive të kundërshtarit, duke regjistruar fitore të rëndësishme në Rod Ajlënd, Ohajo dhe Teksas, dhe ku vazhdon akoma numërimi i votave, por pa mundur të reduktojë shumë disavantazhin për sa u takon kandidatëve. Një e dhënë interesante që konfirmon interesin e madh për presidencialet e këtij viti, mbi të gjitha mes demokratëve, është pjesëmarrja rekord në votime e regjistruar në Uajoming, ku për presidencialet e 2004-ës ishin paraqitur në qendrat e votimit në total 675 persona. Gjithsesi, nuk çudit aspak fakti që në Uajoming zakonisht nuk ka shumë interes për zgjedhjet. Shteti vetëm në raste të rralla ka një rol të rëndësishëm në garën për nominimet dhe rasti i fundit kur ai ka marrë me të vërtetë rëndësi ka qenë 1960-ta. Atë vit, në konventën kombëtare delegatët e këtij shteti përcaktuan fitoren e Xhon Kenedit, që mori nominimin e partisë dhe më pas fitoi edhe zgjedhjet e përgjithshme. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e mëparshme shpjegohet edhe me faktin se Uajoming, tradicionalisht, është renditur përkrah kandidatit republikan: në presidencialet e 2004-ës Presidenti Xhorxh Bush mori 85 për qind të votave dhe senatori i Masaçusets, Xhon Kerri, arriti të fitonte në një konte të vetme. Por, nëse Hillari Klinton do të fitojë nominimin demokrat, Barak Obama nuk do të pranojë rolin e kandidatit për zëvendëspresident. Kjo është konfirmuar së fundmi nga vetë senatori i Illinoisit, i cili ka refuzuar kështu ofertën e Hillari Klintonit: "Nuk do të më shihni si kandidat për zëvendëspresidencën... Ju e dini, unë po kandidoj për t‘u bërë President", ka deklaruar ai në një stacion lokal televiziv në Montana. "Kemi fituar dyfishin e shteteve të senatores Klinton dhe kemi mbledhur më shumë vota. Ndaj unë mendoj se do të ruajmë avantazhin edhe në numërimin e delegatëve", ka shtuar Obama, akoma para se të mësonte fitoren e tij të radhës, në Uajoming.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›