"Janullatosi hoqi foton e Nolit nga kisha e Bostonit"
Elbasani ka përkujtuar dje 100-vjetorin e mbajtjes së meshës së parë në gjuhën shqipe. Peshkopi i Kishës Autoqefale Kombëtare, në lagjen "Kala" të Elbasanit, At Nikolla Marku, ka kremtuar sipas riteve fetare këtë përvjetor të rëndësishëm. "Kemi kënaqësinë të përkujtojmë me nder e lavdi kombëtare të madhin Fan Noli, i cili si sot, një shekull më parë, mundi të mbajë në gjuhën e mëmës meshën e parë", tha At Nikolla Marku, prifti i kishës së Shën Mërisë në Elbasan. Marku, modest e patriot, ka dhënë dje për mediat një deklaratë, sido që me doza fetare, por në përmbajtje me vlera atdhetare kombëtare.
Ai ka vlerësuar aktin historik të Fan Stilian Nolit, i cili 100 vjet më parë, me shqiptarët e diasporës në Amerikë, arriti të mbajë meshën e parë në gjuhën shqipe, me shqiptarët që jetonin e punonin në Boston të shtetit Masaçuset. Sipas tij, mesha ishte dhe ka mbetur themeli i Kishës Autoqefale Kombëtare, për të cilën prifti elbasanas ka afro 20 vjet që lufton ta bëjë kishë mbizotëruese në Shqipëri. "Dua të denoncoj publikisht me këtë rast, aktin barbar dhe antifetar ortodoks të Hirësisë së tij Janullatos, që këto ditë ka hequr nga Kisha Shqiptare Ortodokse e Bostonit fotografinë e të madhit Fan Noli, emri dhe vepra e të cilit nderon të gjithë bashkëkombësit kudo që ndodhen e në çdo këndvështrim që e shohim sot", ka shtuar At Nikolla Marku. Ai ka ftuar të gjithë ortodoksët elbasanas dhe të gjithë besimtarët e feve, që respektojnë dhe vlerësojnë figurën komplekse të Nolit, që të jenë sot të pranishëm në meshën e mbajtur për nder të 100- vjetorit të këndimit në shqip të këtij riti fetar ortodoks, mbajtur në Boston të Amerikës. Nga ana tjetër, edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me Kryepeshkop Anastas Janullatosin ka dalë dje me një deklaratë për shtyp, ku njofton për aktivitetet e planifikuara për 100-vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe.