E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 2009, do t‘ju çudisim me rezultatin

Kreu i socialistëve, Edi Rama, u angazhua dje se përzgjedhja e kandidatëve të ardhshëm për deputetë do të bëhet njësoj si te partitë më të mëdha evropiane. Në një komunikim me mediat, lideri i së majtës premtoi se ky grupim elektoral do të shënojë një rezultat surprizë në vitin 2009. Sipas tij, është një debat i një niveli shumë të ulët, debati, që i konsideron "listat e hapura" më demokratike se "listat e mbyllura". "Pasi këtu nuk bëhet fjalë për lista më demokratike apo më pak demokratike, por për një metodologji, e cila është një metodologji e sistemit zgjedhor në shumë vende të BE. Kjo mjafton për ta asgjësuar këtë debat të kotë dhe abuziv", theksoi Rama. Ai foli për një bashkim të ri përtej kufijve të vjetër, përtej kufijve të Partisë Socialiste, përtej kufijve të opozitës, përtej të majtës dhe të djathtës. Si rruga e re e socialistëve dhe e progresistëve që do të çojë në fitore dhe që do mundësojë mbylljen e një kapitulli të gjatë të dështimeve të njëpasnjëshme. "Kjo politikë e vjetër, është një politikë, që ushqehet me konflikte, me dasitë, me sherr dhe me episode të pafundme të një telenovele vulgare me të cilën shqiptarët janë tërësisht të neveritur", konstatoi Rama. I pyetur në lidhje me deklaratën e anëtarit të kryesisë, Ben Blushi, se "PS është si autobus i viteve ‘80 ku nuk i flitet shoferit", kreu i PS-së tha se "Partia Socialiste është një hapësirë e madhe, ku e drejta për t‘u shprehur është e garantuar për të gjithë dhe nuk është një kazermë apo një forcë e mbyllur". Sa u takon listave të deputetëve, ai u shpreh se ky proces do jetë njësoj siç bëhet në çdo vend demokratik dhe në çdo Parti Demokratike të BE. "PS është partia më e madhe dhe më demokratike në Shqipëri dhe e cila do t‘ju çudisë me rezultatin e vitit 2009", u shpreh Rama. Përballë euforisë së kreut të socialistëve, Ilir Meta, drejtuesi i LSI-së nuk harroi të lëshojë një ironi në ditën e "8 Marsit". Sipas tij, festa e sotme (djeshme) nuk na lejon që të merremi me politika të tilla. "Por është një ditë ku urimi për 8 Marsin i shkon të gjithë shqiptarëve, sikurse i shkon edhe kryetarit të Partisë Socialiste", u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›