E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia si mit dhe si poezi

Të edukuar me shijen përzgjedhëse të "ekskatedrës", që na e ngushtonte rrethin e parapëlqimeve letrare në një duzinë shkrimtarësh të oborrit, vepra e të cilëve lexoheshin në orët edukative në arat e kooperativës apo në tornot e ndërmarrjeve, lexuesi i sotëm, i çoroditur nga lumi përlumë i botimeve, e ka vështirë të zgjedhë midis tyre syresh ato libra që me të vërtetë qëndrojnë si të tillë, pra ia dalin të ndërtojnë një urë me lexuesin dhe kohën. Këtë po mendoja, ndërsa i hodha një sy kalimthi librit të Xhelal Ndreut "Nuk ka qetësi në Lisivalle", por nuk m‘u desh të kredhesha shumë në lexim, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një libër të vërtetë, të shkruar nga një mjeshtër i fjalës së bukur, nga një shkrimtar, historian dhe, mbi të gjitha, vëzhgues e psikolog i hollë i shpirtit e marrëdhënieve njerëzore dhe i kodeve zakonore të mbijetesës në male. "Nuk ka qetësi në Lisivalle" është një vepër letraro-memoristike me vlerë për një nga trevat më të begata të etnokulturës kombëtare, Dibrën, një përmendore në letrën e bardhë për familjet e mëdha të kësaj krahine, një histori poetike për nëntë malet dhe shtatë oxhaqet legjendare. Të vërtetat psiko-historike të një shekulli e ca më parë për Dibrën dhe familjet e para të saj, ndikimi i këtyre familjeve në rrjedhën e historisë lokale dhe kombëtare përmes peripecive të një kohe të vështirë, janë sfondi ku ushqehet me "lëndë të parë" pena e Xhelal Ndreut, për të na dhënë një pamje të natyrës filmike, po ku sundojnë tonet poetike dhe analizat brilante psiko-sociale, me plot pasazhe poetike të një treve me aq shumë ngjyra të gjalla, sa nuk do të mjaftonte asnjë spektër (përveç atij të penës së Ndreut) për t‘i nxënë.

Pinjoll i familjes së madhe të Ndreut, që e ndërtoi kullën e vet të qëndresës në Lisivalle të Dibrës, Xhelali punoi gjithë jetën në hije, në ndërkohët e pakta midis burgjeve politike e internimeve të shumta, ku e degdisën, siç bënë me familjarët e tjerë të tij, të cilët në vend të dekoratave e memorialëve për kontribute të shquara kombëtare, iu ngritën kurthe e intriga, disa i pushkatuan, të tjerët i çuan të shtynin ditët në rrugën e ankthshme të kalvarit. Kontributin e familjes Ndreu në historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë klika që erdhi në pushtet në vitin ‘44 e fshiu me gomën e përjashtimit, duke vendosur midis saj dhe derës së madhe nacionaliste një mur, që do të betonohej e çelnikosej për gjysmëshekulli, duke u kthyer në një bunker izolimi të Ndreve nga bota shqiptare e kohës. Rrafshimi i dyerve dhe vlerave solli në skenën politike të kohës "njeriun e ri" me tipare zhdanoviste, për të cilin nuk ekzistonte tradita dhe, në emër të partisë-shtet, ishte gati të çonte në gijotinë edhe njeriun më të dashur të jetës së tij. Glorifikimi i traditës është një akuzë nëntekstuale që Ndreu i bën një kohe që i kishte humbur të gjitha shijet e marrëdhënieve të vërteta njerëzore dhe tanimë vepronte në jerm të plotë, duke e ushqyer fantazinë e njerëzve me idhujtari, idile dhe stampa ideologjike.

"S‘ka qetësi në Lisivalle" është një himn poetik për pastërtinë e një gjeni, që në kohëra ka promovuar dyer të shquara dhe burra fisnikë, të cilët janë ngritur mbi dhimbjet e tyre personale, mbi zënkat, mëritë, hakmarrjet dhe gjakmarrjet, për të vështruar larg, aty ku vështronin burrat më në zë të botës shqiptare, në udhëkryqet e kohëve dhe të historisë. Tregimet e gjalla dhe plot kolorit shoqërohen me vëzhgime psikologjike dhe estetike, përqasje me figura universale nga bota e letrave dhe enciklopedia historike botërore. Në qendër të këtyre rrëfimeve është kulla e Elez Isufit në Lisivalle, ku shtrohej sofra bujare e maleve, piqej kafeja e fatit të Dibrës dhe kurdisej ora e qëndresës kundër të huajit. Lidhjet e Ndreve me malet, teqet dhe oxhaqet e Dibrës, rrethi i gjerë miqësor i Elez Isufit dhe Sufë Xhelilit në shërbim të kredos së tyre patriotike e nacionaliste në shërim të çështjes kombëtare janë ilustruar më së miri në këtë libër të shkruar me nervin e një vërtetësie tronditëse.

Vëzhgimi i aspekteve historiografike në këtë libër gërshetohet me një analizë të hollë të dukurive etike, morale, psiko-shpirtërore, etnokulturore e deri psikoanalitike, me theksimin e atyre kodeve të heshtura, të trashëguara brez pas brezi që kanë ruajtur vetë shtyllat e ekzistencës historike të botës shqiptare në male.

Ajo që të bie në sy është se Xhelal Ndreu nuk mbetet në kuadrin e rrëfimeve që vijnë aq të gjalla deri në kohën tonë, por në rrafshin krahasimtar, falë një erudicioni të gjerë, të fituar me lexime të shumta në disa gjuhë të huaja, ai nxjerr në pah atë që është unikale dhe e papërsëritshme në një botë që, edhe pse rrethanat e një mbijetese të vështirë, shoqëruar me keqkuptime e madje izolime nga shoqëritë e civilizuara e kanë çuar deri në zgrip të ekzistencës historike, prapë ka mbijetuar, madje ka arritur që të krijojë arketipin e vet të lirisë.

Përqasja e ngjarjeve dhe personazheve me tipa letrarë universalë, siç janë heronjtë e Dantes e Sheksipirit, evidentimi kulturologjik i mesazheve që vijnë nga galeritë e karaktereve libreskë që kanë bërë epokë, i jep librit "S‘ka qetësi në Lisivalle" një optikë moderne botëvështrimi, u jep mesazheve sens gjithëkohor.

Mjafton të kujtojmë një detaj, për të kuptuar forcën e përshkrimit dhe freskinë e mesazheve të këtij libri. Në fund të librit, ku shpaloset eposi i një dere dhe i një treve qëndrestare, Elez Isufi me ujë e m‘ujasit dhe luftëtarë të tjerë dibranë, lënë të vrarë në fushën e betejës pesë mijë serbë dhe pesë mijë të tjerë i zënë rob. Luftëtarët zënë robina edhe tri femra serbe, një nënë me dy vajzat e saj, të cilat u shoqëruan për në kullën e prijësit popullor, Elez Isufi, ku u trajtuan me përkujdesje jo sikur të ishin viktima lufte, por mikesha të nderuara në Lisivalle. Pas një qëndrimi të gjatë në kullat e njeriut legjendë të maleve, emri i të cilit kishte shkuar deri në kancelaritë më të epërme të Evropës, tri robinat u përcollën me ceremoni nga burrat e gratë e fisit, nën masa të forta sigurie, me porosi të vetë Elez Isufit. Sot, pas një shekulli nga këto ngjarje, kur, më në fund, Kosova ka fituar luftën e shpallur Pavarësinë dhe tani i duhet të fitojë paqen (siç tha ish- presidenti amerikan, Bill Klinton), kumte të tilla që vijnë nga civilime dhe njerëz që nuk e njihnin erën e globalizmit, të sjella mjeshtërisht nga një talent i lindur siç është Xhelal Ndreu, tregojnë se kodet e sjelljes së maleve me mikun dhe armikun u kanë paraprirë normave e koncepteve të mëvonshme të një shoqërie moderne, që di të ngrihet mbi plagët dhe dhimbjet në emër të lirisë dhe vlerave të qytetërimit bashkëkohor.

Xhelal Ndreu ishte pinjoll i derës fisnike të Ndreve të Dibrës, që për rreth një shekull ushqyen pemën e qëndresës kombëtare me një rezistencë aktive kundër mizorive të huaja, kryesisht atyre sllave, aq këmbëngulëse në demarshet e tyre historike kundër arketipit shqiptar të lirisë. Si "shpërblim" regjimi komunist u ofroi këtyre pinjollëve "gratis" dyert e burgjeve e qelive të errëta, kampet e përqendrimit, plumba pas shpine, pushkatime me gjyqe të sajuara nga juristë që i merrnin urdhrat nga zyrat e Sigurimit.

Në udhën e Golgotës, atë e rrethuan përditë e më dendur me heshtje e vetmi, e torturuan, ia grabitën shkrimet dhe ëndrrat, por nuk ia dolën që ta depersonalizonin, që ta bënin që të shkruante sipas metodës së soc-realizmit dhe porosive të udhëheqësit komunist.

Dëshmi e këtij antikonformizmi është dhe libri "S‘ka qetësi në Lisivalle", një histori e skalitur me gurë rubini në panteonin memoristik të atyre që dëshmuan me guxim e dashuri të vërtetat e këtij dheu.

Sot, kur në rrotullamen e kësaj përditshmërie të sëmurë mundohemi të gjejmë ndonjë pikë mbështetje ku të feks ndonjë rreze shprese në këtë jetë të tejngarkuar sociale, libra të tillë si ky që na sjell pena e Xhelal Ndreut, janë një mundësi për t‘u rinisur në start në një mënyrë tjetër. Jeta e heronjve të këtij libri na mëson se çfarë është dashuria e vërtetë, ajo që ngrihet që nga humnerat dhe njëson kohën fizike dhe atë të shpirtit kolektiv, duke na bërë të ëndërrojmë…

Kush ishte Xhelal Ndreu

Lindi në vitin 1911 në Sllovë të Dibrës. Që në fëmijëri u dallua për zgjuarsi e inteligjencë. Mësimet e para i mori në xhaminë e Sllovës nga Hoxhë Kalla. Në moshën 11-vjeçare regjistrohet në shkollën teknike amerikane me drejtor Harry Fulltz. Megjithëse më i vogël në moshë se të tjerët, u përshtat shumë mirë me kërkesat e shkollës. Fillimisht studioi anglisht. Përktheu edhe bisedat e drejtorit të tij, Fulltzit, me patriotin e shquar Elez Isufi, gjatë një vizite të amerikanit në Sllovë të Dibrës. Më vonë, i kërkoi Fulltzit të mësonte edhe gjermanishten e italisht, pasi i ngeleshin disa orë tepër nga orari i studimit.

Pasi mbaroi shkollën teknike amerikane me rezultate të shkëlqyera, i doli bursa për të vazhduar studimet në Oksford, por ndërkohë martesa e shpejtë (në një moshë ende të re) si dhe fillimi i erës së luftës së ftohtë midis dy kampeve kundërshtare, bëri që studimet në Oksford të mbeteshin një ëndërr në sirtar. Punoi tre vjet si mësues në fshatin e tij dhe më vonë si sekretar gjykate në Dibër dhe Ostren. Në kohën e Mbretit Zog studioi për oficer 13 muaj dhe mbaroi kursin për kryetar komune. Do të punonte si kryetar komune në Shijak, Vlorë, Gramsh, Tepelenë. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në formacionet e Brigadës së Parë Sulmuese. Në luftën për çlirimin e Tiranës mbante detyrën e zëvendëskomandantit të Batalionit. Deri në mars 1946, vit kur për të do të fillonin ndjekjet dhe survejimet, do të punonte në zyrën "Pasuri dhe Qira".

Pastaj nis rruga e kalvarit: internime, burgosje, dhunë, mbi Xhelal Ndreun dhe gjithë fisin e tij. Berati, Tepelena, Kuçova, Porto-Palermo, Vlora ishin vendet ku ai do të mbante gurë mbi shpinë si "shpërblim" për miqësinë e tij me Hari Fulltz. Pas tre vjet torturash, më në fund do të dënohej me 20 vjet burg, ku do të mësonte rusishten e më vonë frëngjishten me përkthyesin e njohur, Isuf Vrioni. Shkroi poezi, monografi, drama, të cilat nuk dihet se çfarë dore e zezë i zhduku pa lënë asnjë shenjë. Një ditë, i mblodhi të gjitha dorëshkrimet në një pako dhe që nga burgu ia dërgon ish-kryeministrit Mehmet Shehu, të cilin e kishte pasur komandant brigade në luftë, me shpresën se ky do t‘ia çonte për botim Lidhjes së Shkrimtarëve. Fati i këtyre dorëshkrimeve u mbulua nga heshtja dhe errësira dhe ata nuk i ranë më kurrë në dorë autorit fatkeq.

Pas daljes nga burgu do të shkruante librin historik "S‘ka qetësi në Lisivalle", monografinë "Dibra", romanet "Huma" dhe "Karp Peron", skica, poezi, përkthime, si dhe do të mblidhte fjalë të urta, proverba etj. Rreth 850 poezi të tij janë zhdukur nëpër dosjet e Sigurimit.

Pas burgut survejohej vazhdimisht. Në mars 1987, ai arrestohet përsëri. Iu kërkuan hesape të vjetra duke përfshirë ish-drejtorin e tij amerikan deri te vëllai i tij në Itali, Isa Ndreu, i cili organizonte lëvizjen antikomuniste në diasporë. Familja do të digjte nga frika e ndjekjeve dhjetëra revista në rusisht si "Ogonjok", "Sovjetskaja Rasia", "Zhenshind", "Novoje Vremja" etj. Ai kthehet në shtëpi pas disa ditësh, por pas torturave nuk mundi ta merrte më veten, derisa më 6 tetor të vitit 1988, vdes në mjerim në kampin e Lubonjës, pa mundur të shihte lirinë e veprave të tij.

Xhelal Ndreu kishte një formim perëndimor. Njihte me themel anglishten, gjermanishten, italishten, rusishten, frëngjishten, turqishten, arabishten. Besonte te Zoti dhe edukoi te nipërit e mbesat e tij ndjenjën e nacionalizmit dhe atdhedashurisë. Gjatë burgimit të tij, një përkrahje morale i dhanë bashkëshortja e tij Shukrie Osman Lita, fëmijët Avniu, Norushja, Neziri dhe vëllezërit e tij, të cilët nuk kursyen asgjë për t‘ia lehtësuar sadopak barrën e vuajtjeve e privimeve në burgjet politike dhe kampet e përqendrimit komunist të diktaturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›