E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Abuzimet me pronat në 2007

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbardh në raportin e fundit abuzimet që pushteti vendor ka bërë me ndarjen dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët. Nga monitorimi i kryer nga specialistët e KLSH-së gjatë muajit shtator-dhjetor 2007, nga 9 bashki të rëndësishme të vendit, 5 prej tyre janë evidentuar probleme mbi zbatimin e ligjit të pronave. Abuzime më të rënda janë zbuluar nga KLSH-ja veçanërisht në Fier dhe në Lushnjë. Në raport citohet se zyrat e pushtetit vendor po abuzojnë me ligjin e pronësisë. Nën shënjestrën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzimet mbi ligjin e pronave janë vënë Bashkia Fier, Lushnjë, Korçë, Lezhë dhe Orikum. Një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të marra nga AKKP-të e 5 qarqeve të vendit kanë mangësi në dokumentacionin e tyre. Mënyra e njohjes së kërkesës së pronësisë në disa raste ka ngjallur dyshimin për abuzim pas monitorimit të KLSH-së. Mungon një numër i saktë i dosjeve të parregullta të shqyrtuara nga AKKP-të e qarqeve, për shkak të mos mbajtjes së inventarit nga ana e tyre. Nga kontrolli i ushtruar në Zyrën Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në Qarkun e Fierit, ka rezultuar se shkresat e protokolluara nga zyra e AKKP-së në Fier nuk janë të arkivuara. Këto veprime KLSH-ja i ka cilësuar në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 06.12.2003 "Për arkivat" dhe ngarkojnë me përgjegjësi ish-sekretaren dhe arkivisten. Për periudhën 15.9.2005 deri më 15.9.2006 mbajnë përgjegjësi dy ish-kryetarët e KVKPP, Qarku Fier. Një problem tjetër është mosvendosja në dispozicion e programit të punës "Për zbatimin e detyrave të lëna nga KLSH-ja, si edhe shkresat "kthim përgjigjeje për raportimin e masave të marra dhe rekomandimeve të zbatuara", që sipas kontrollit të ushtruar në arkivin e këtij institucioni rezulton se nuk ka, megjithëse faktohet ekzistenca e shkresës së fundit nr. 659/11, datë 22.11.2004, e cila është bërë hyrje në këtë protokoll me nr. 107, datë 26.11.2004. Pra, sipas KLSH-së edhe kësaj shkrese institucioni nuk i është përgjigjur. Po kështu i njëjti problem është edhe për Lushnjën. Nga kontrolli mbi zbatimin dhe ndjekjen e radhës së kërkesave për njohje, kthim dhe kompensim të pronës, mbajtjen e dokumentacionit përkatës dhe zbatimin e pagesës së shërbimit, për periudhën janar 2005-korrik 2006, u konstatua se mbi normat e brendshme të mbajtjes së dokumentacionit dhe procesit të shqyrtimit të kërkesave dhe vendimit për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës mungojnë, ose nuk i janë paraqitur grupit të kontrollit. Mungon evidentimi, ose miratimi i formateve tip i regjistrave të KVKKP-së, apo ZRAKKP-së, që detyrohen të mbajnë për ecurinë e ndjekjes së procesit dhe procedurave të reformës në prona (kërkesë, njohje, kthim, kompensim etj.). Mungon raportimi, sipas një evidence standarde të unifikuar për çdo periudhë 2-mujore e progresive. Kështu gjatë periudhës janar 2005-korrik 2006, nga minimumi 10 raportime ose evidenca që duhet të bëheshin, nga të cilat 8 raportime me periudha 2-mujore dhe 2 raportime me periudha vjetore, rezultojnë të jenë bërë vetëm katër raportime, nga të cilat vetëm një për vitin 2005. Një gabim tjetër apo fakt që tregon abuzim me ligjin e pronave, është mospërputhja e të dhënave, që jepen nga një zyrtar te tjetri. Po t‘i referohemi Qarkut të Fierit, sipas regjistrit për vitin 2005 dhe 2006 janë hapur 155 dosje "dokumentacion pronarësh", ndërkohë që dosje të shoqëruara me vendime raportohen 91, ndonëse në fakt rezultojnë 94. Për diferencën nuk paraqitet asnjë informacion për gjendjen dhe ecurinë e tyre. Nga kontrolli i regjistrit "lista e shortit", evidentohen të jenë pranuar dhe shpërndarë numrat short, sipas periudhave përkatëse; për vitin 2005 gjithsej 904 numra dhe për vitin 2006, 520 të tillë. Në mbajtjen e këtij regjistri konstatohen mangësi e pasaktësi si: mungojnë emrat e personave kërkues për numrat e shortuar 1-9,12,14 deri në 16 dhe janë kapërcyer numrat rendorë 1423,1424, duke kaluar te 1425. Kjo mangësi reflektohet gjithashtu edhe në Librin e Protokollit të Mbledhjeve për hedhjen e shortit. Për këtë shkak, numri total i numrave të shpërndarë sipas shortit për periudhën janar 2005-gusht 2006 nuk rezulton të jetë 1425, sikundër evidentohet por 1420 sikundër saktësohet nga KLSH-ja. Për periudhën nëntor 2005-gusht 2006 figuron se janë marrë 94 vendime, nga të cilat 32 janë për shtyrje afati, mosnjohje prone dhe refuzime prone.

Raporti: Korça, abuzime me lejet e ndërtimit

KLSH-ja zbulon abuzime edhe mbi dhënien e lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Korçës. Gjatë vitit 2005 dhe 2006, janë dhënë gjithsej 77 leje ndërtimi. Nga kontrolli i ushtuar në të gjitha lejet e shfrytëzimit rezultoi se në dosje mungonte dokumentacioni i plotë. KLSH-ja evidenton se në të gjitha praktikat mungonte relacioni, i cili duhej të depozitohej në Drejtorinë e Planifikimit Urban të Territorit, nga ana e zbatuesve të punimeve. Në të gjitha dosjet mungonte situacioni përfundimtar i punimeve. Një pikë tjetër e zbuluar nga KLSH-ja është se në të gjitha dosjet mungonte vërtetimi nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, që të vërtetojë se subjekti ndërtues ka kryer zbatimin e punimeve të furnizimit më ujë dhe shkarkimit, sipas projektit të miratuar nga kjo ndërmarrje. Për më tepër nuk është zbatuar ligji nr. 8405, datë 17.09.1998 "Për urbanistikën". Nga kontrolli i ushtruar në të gjitha lejet e shfrytëzimit rezultoi se në dosjet mungonte dokumentacioni si: certifikata e pronave materiale, duke mos zbatuar ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit". Mungon gjithashtu deklarata e pastërtisë së mjedisit në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e mjedisit. Një mangësi tjetër është edhe studimi sizmologjik, i cili nuk është zbatuar korrekt nga firmat.

Harta e vlerës së tokës duhej të përpilohej brenda vitit 2006

Mungesa e hartës së tokës, pengon kompensimin fizik

Me gjithë akuzat e ish-pronarëve, të cilëve u është bashkuar Presidenti i Republikës dhe Partia Republikane, raporti i KLSH-së tregon se vjedhja e pronave vazhdon të jetë një problem serioz në shoqërinë shqiptare. Një ndër problemet është edhe kompensimi fizik i tyre. Edhe këtë vit, qeveria ka vendosur që të japë pothuajse të njëjtën tarifë për kompensimin e ish-pronarëve, ashtu si edhe në vitin e kaluar. Fondi i vogël, bashkuar me mangësitë e tjera që ka ky proces, duket se do të sorrollasë për gjatë gjithë vitit 2008 ish-pronarët. Sipas raportit të KLSH-së, nuk disponohet nxjerrja nga Këshilli i Ministrave e një akti nënligjor, lidhur me përcaktimin e rregullave dhe kritereve për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar. Nëpër qarqe mungon akti nënligjor, lidhur me përcaktimin dhe miratimin e fondit të pasurive të patundshme shtetërore që vihen në dispozicion të kompensimit fizik. Problemi më serioz është në Qarkun e Fierit. Në lidhje me përpilimin e hartës së vlerës së pronës, masat që duhen marrë për përpilimin e saj, si dhe fillimin e procesit të kompensimit, detyrë kjo e përcaktuar nga AKKP-ja, duhet të kryejë brenda datës 30.06.2006 nga ZRAKKP, Qarku Fier. Nga verifikimi i KLSH-së vihet re se mungon dokumentacioni për të përpiluar këtë hartë. Nuk ka një hartë të vlerës së pronës për Qarkun e Fierit. Kjo ka bërë që të ndalohet procesi i kompensimit të pronave në këtë qark.

Kontrolli i Shtetit: Po keqpërdoret Ligji 7501

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar mbi fakte konkrete se dhënia e tokës, sipas Ligjit 7501, lë mundësi të hapura për të abuzuar me shpërndarjen e pronës. Në lidhje me regjistrimin e pasurive të tokës bujqësore, ndarë sipas Ligjit 7501 në zonat kadastrale të kontrolluara pas zbatimit të procedurave të regjistrimit fillestar, rezulton se familjet fermere kanë përfituar tokë bujqësore mbi sipërfaqet e përcaktuara në aktet e marrjes së tokës në pronësi, në shumën totale 644 965 m2. KLSH-ja ka monitoruar Qarkun e Lushnjës, ku në Divjakë ka gjetur shkeljet më të mëdha. Certifikatat e këtyre pasurive janë shpërndarë pa pasqyruar ndryshimet në tapi. KLSH-ja, nëpërmjet raportit më të fundit, i ndërtuar nga specialistët e këtij institucioni, evidenton se në disa raste mungesa e dokumentit të marrjes së tokës në pronësi në mënyrë të kundërligjshme është zëvendësuar

dhe përdorur me lëshimin e certifikatave, dokumente të tipit "urdhër-zhbllokimi", të lëshuara nga Bashkia Divjakë pa miratimin e sesionit të administrimit të mbrojtjes së tokës në qark, veprim i cili nga KLSH-ja pasqyrohet si në kundërshtim me Ligjin Nr. 7501, datë 19.07.1991. Në lidhje me regjistrimin e tokës së përfituar sipas ligjit "për tokën" në ZK nr. 1492 dhe nr. 2700 Divjakë janë çelur kartelat e pasurive të paluajtshme. Referuar shkresës nr. 179, datë 21.06.2002 të ZVRPP Lushnjë, drejtuar kryetarit të Bashkisë Divjakë, rezulton se kjo praktikë është përdorur për të ligjëruar sipërfaqet tepër "mbi tapitë" dhe në asnjë rast nuk është zbatuar alternativa, që ZVRPP, Lushnjë të vepronte me këto pasuri, vetëm kur këto sipërfaqe tepër të miratoheshin nga Komisioni i Ndarjes së Tokës në komunë dhe kalimit të dokumentacionit në qark. Pra, në raport theksohet se janë marrë përsipër për të zgjidhur problemin pa pasur "tagër" dhe kanë lëshuar certifikata pronësie me të cilat janë kryer transaksione të ndryshme si: kontrata shitjeje, kontrata këmbimi, ndarje e pjesëtim pasurie dhe dëshmi trashëgimie. Për sipërfaqen në certifikatën e pronësisë mbi 10%, se sipërfaqja në tapi ngarkon me përgjegjësi ish-regjistruesin për periudhën deri 1 mars 2006 dhe regjistruesin për periudhën 1 mars 2006 e në vazhdim. Ndërsa ZQRPP, Tiranë është përgjegjëse për tolerancën e pranuar prej maksimumi 10% mbi sipërfaqen e përcaktuar në tapi, sipas shkresës nr. 235, datë 4 mars 2003 të ZQRPP. Pas lëshimit të certifikatave të pronësisë, nga pronarët përkatës janë kryer veprime si shitje, kontrata këmbimi etj., të pasurive që kanë rezultuar me sipërfaqe më tepër prej 78 323 m2. Për shkeljet e sipërpërmendur ngarkohen me përgjegjësi 5 regjistrues.

Rastet

Rastet konkrete të dhënies së tapive në mënyrë abuzive

Hipoteka lëshon tapi fotokopje, pa firmë dhe pa vulë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka marrë nën shqyrtim një numër të konsiderueshëm dosjesh për dhënien e tapive. Deri në këto momente mbi 100 dosje janë kontrolluar në mënyrë të rreptë nga KLSH-ja, nga të cilat kanë dalë edhe mangësitë e para. Rasti më i veçantë është ai në qytetin e Lushnjës, ku akti i marrjes së tokës është një fotokopje dhe jo një dokument origjinal dhe gjithashtu i mungon edhe data e lëshimit të lëshuar nga ZVRPP. Planrivelimi nuk është i plotësuar në formularin tip, si dhe është i panënshkruar nga topografi i licencuar dhe i pakonfirmuar nga hartografi i zyrës. Rasti në fjalë është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH-ja, duke konsideruar në raportin në fjalë këtë rast si më të veçantin, sqaron se në aplikimin e kryer nga pritësja nuk është plotësuar rubrika "përse kryet aplikimi", nuk është shënuar numri i pasaportës së aplikantit, volumi dhe faqja. Rubrika "veprime në zyrën e regjistrimit" është e paplotësuar në kolonën "ndryshime në hartën treguese", pa datë, pa firmë dhe kolona "arkivimi manual" është e paplotësuar, pa datë dhe pa firmë. Akti në fjalë mban kodin 12393 sipas KLSH-së. Gabimet e vërejtura nga KLSH-ja vazhdojnë edhe më tej. Nga verifikimi i pagesës së kryer rezultoi se aplikuesi ka kërkuar regjistrimin fillestar për pasurinë nr. 249/1, 249/2 dhe lëshim të certifikatës për pasurinë nr. 249/1. Nga verifikimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe hartës së zonës kadastrale nr. 2085, rezultoi se deri më datën 5 dhjetor 2005, këto pasuri nuk ekzistojnë në këto numra. Nga pritësja, më datë 20.11.2006 është plotësuar aplikimi nr. 8849 dhe nr. 9949/1, ku kërkohet ndarja e pasurisë 249/2 me sipërfaqe 12 mijë m2 në dy pjesë. Pritësja ka kryer aplikim për ndarje pasurie, pa e regjistruar më parë këtë pasuri, e cila më datë 21 nëntor 2006 është e regjistruar me nr. 249, me pronar "shtet", veprim i cili është në kundërshtim me nenin 21, të ligjit nr. 7843 datë 13.07.1994. Shpeshherë, Partia Republikane, e cila është gjithmonë një "avokate" e mirë e ish-pronarëve, ka kërkuar shfuqizimin e Ligjit 7501, i cili prej kohësh është zvarritur nga Parlamenti. Para një jave, kryetari i grupit kuvendor të PR-së, Arjan Madhi, është takuar me Kryeministrin Berisha në një takim që Madhi e ka cilësuar si formal dhe që ka qenë larg çdo lloj pike, siç është reforma zgjedhore apo marrëdhëniet me koalicionin. Ajo çka Madhi ka kërkuar nga Kryeministri Berisha në atë takim, është trajtimi më me seriozitet i çështjes së pronave, kryesisht shfuqizimi i Ligjit 7501.

Paralajmërimi i Topit

Presidenti: Gjeni hajdutët e pronave

Raporti më i ri i KLSH-së ishte paralajmëruar disa muaj më parë edhe nga Presidenti Bamir Topi. Këto të dhëna ishin një qartësim dhe konfirmim i akuzave të lëshuara nga Presidenti Bamir Topi, gjatë një interviste për "Top Channel" më 11 tetor të vitit 2007, ku u shpreh saktësisht se "unë nuk i kam konstatime apo perceptime subjektive të miat, i kam mbi bazën e informacioneve që vijnë, se kur abuzohet me ligjin e pronësisë; nëpër zyrat e Hipotekës, nëpër zyrat e pushtetit vendor, nëpër komuna ka një deformim, do të thosha problematik të kuadrit ligjor, ka mbivendosje të pronave, ka tentativa jo për ta lehtësuar situatën, por për ta ngatërruar, sepse në ujëra të turbullta peshkojnë pikërisht ata që mund të nxjerrin përfitimet e tyre". Në intervistën e dhënë muaj më parë, Topi theksoi gjithashtu se ndodhet në zyrën e Presidentit të Republikës, e cila mund të konsiderohet si jashtë kontaktit me qytetarët, por ka siguruar se ka kontaktin e plotë për ta zgjidhur këtë çështje. "Gjërat nuk është se po zhvillohen vetëm sot me pronat. Çështja e pronave është një çështje e vjetër, një çështje e akumuluar, e cila sot, sa më shumë ezaurohet toka fizike, ju siguroj që aq më shumë dhe aq më të sofistikuara bëhen përpjekjet për të grabitur atë që ka mbetur nga persona të veçantë. E ritheksoj shqetësimin që drejtësia, e cila mund të fillojë me administratën, vazhdon me Kontrollin e Shtetit, vazhdon me Prokurorinë, duhet të qartësojë situatën, pikërisht për atë që ndodh përpara sporteleve", është shprehur ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›