E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale, testi i parë i Sarkozisë

Në Francë u zhvillua dje raundi i parë i zgjedhjeve lokale. Vota konsiderohej si një test i parë popullariteti për Presidentin Nikolas Sarkozi dhe partinë e tij të qendrës së djathtë, UMP, 10 muaj pasi ai u zgjodh në detyrë mbi një platformë reformash radikale, ekonomike dhe sociale. Sondazhet ndërkohë tregojnë se socialistët pritet të mbajnë nën kontrollin e tyre bastionet tradicionale, Parisin dhe Lionin, e madje pritet të marrin edhe bastione të të djathtës, si Marseja dhe Tuluza. Ndërkohë, edhe një herë tjetër centristi Fransua Bajro mund të rezultojë si i treti punëprishës. Ai kandidon në Pau dhe ka në lojë reputacionin e tij. Në zgjedhjet e djeshme ishin thirrur të ushtronin të drejtën e tyre 44 milionë francezë. Në listë ishin përfshirë 287 mijë kandidatë, mes të cilëve 22 ministra e nënsekretarë të qeverisë në detyrë. Ndërkohë, mbështetja personale për Sarkozinë ka rënë në mënyrë dramatike dhe që kur erdhi në pushtet ai shikohet nga shumë kush si ashpër dhe i rrëmbyer. Analistët thonë se divorci i tij, vetëm tre muaj pas ngjitjes në pallatin e Elizeut, dhe rimartesa me modelen Karla Bruni, kanë larguar prej tij shumë zgjedhës. Të njëjtin efekt negativ kanë pasur edhe pushimet e tij të përcjella gjerësisht nga mediat, pushime këto të ekzagjeruara, nën shoqërinë e njerëzve të pasur dhe të famshëm. Një sondazh i kryer pak ditë para zgjedhjeve tregonte se mbështetja për Sarkozinë ishte jo më shumë se 41 për qind, shumë më e ulët nga 67 përqindëshi i majit të vitit të shkuar. Ndërkohë, në të kundërt, Kryeministri i tij, Fransua Fijon, gëzon 66 për qind të mbështetjes. Gjithsesi, këto zgjedhje janë edhe shansi i parë për rikthimin e socialistëve, pas humbjes së fushatës presidenciale majin e kaluar. Ndërkohë, do të jetë raundi i dytë, ai i të dielës së ardhshme, që do të vendosë gjithçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›