E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: PS i dha “shpatën” drejtësisë, hyrja në BE garanton barazinë para ligjit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë barazi para ligjit.

Sot, tha Rama, jemi në ushtrimet e para të barazisë para ligjit.

Gjatë një takimi me gra dhe vajza të qarkut të Gjirokastrës, Rama tha se drejtësia nuk mund t’i lihet rastësisë se kush do të jetë kryeministër.

“Barazinë para ligjit nuk mund ta lini në dorë të kush vjen te Kryeministria, sepse siç e shikoni nuk kemi darkodësi, nuk mendojmë të gjithë njëlloj. Ne mendojmë se duhet të jetë e pavarur, të vijojë të bëjë punën e vet dhe jemi këtu të garantojmë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të vazhdojë punën e saj, pavarësisht sa na dhemb ne”, theksoi Rama.

Ndërsa të tjerët, vijoi ai, thonë që më 12 maj do të shkrijmë SPAK-un.

“Pra, rreziku që kjo të bëhet një lojë është i madh”, u shpreh Rama. Sipas tij, ka vetëm një mënyrë të mos bëhet lojë.

“Ta merrni Shqipërinë në dorë, më 11 maj dhe t’i jepni shtysën që i duhet që me investimin tuaj dhe punën tonë vendi të futet në BE. Kush hyn në BE, nuk ka më mundësi për lojë me barazinë para ligjit, sepse nuk të lë BE të hedhësh vallen sipas dëshirës”, nënvizoi Rama.

Kreu i PS-së tha më tej se BE nuk është për shqiptarët një nga opsionet, por i vetmi opsion.

“Sepse liria individuale në Shqipëri duket sot si e mirëqenë, nesër mund të kërcënohet. Barazia para ligjit nuk do bëhet dot, sepse ne nuk kemi kapacitete ta bëjmë. Nuk është çështja e Edit apo një grupi, këtu është çështja: të mos guxojë kush t’i afrohet fare dhe është BE që e garanton këtë”, deklaroi Rama.

Ndër të tjera, Rama tha se ishte qeveria e drejtuar prej PS-së, ajo që i dha “shpatën” drejtësisë, “shpatë”, që siç u shpreh Rama qëndronte në zyrën e kryeministrit, mbretit apo udhëheqësit të shtetit që prej 1912-s.

“Dumani është një prokuror me integritet, profesionist dhe kurajoz, nuk diskutohet dhe meriton respektin dhe solidaritetin për të gjithë ato sulmet që i bëjnë. Por Altin Dumani nuk erdhi nga hëna këto 3-4 vite. Ishte këtu në Shqipëri, dhe prej vitesh punonte prokuror. Si ka mundësi që ne nuk e dinim që ekziston një person me emrin Altin Dumani? Si ka mundësi që në gjithë ato vite nuk kishte thirrur një njeri me pushtet për ta marrë në pyetje? Si ka mundësi që sot, ky bën këtë? Si ndodhi kjo? Sepse nuk ishte puna se nuk thërriste njeri Dumani apo prokurorët e kësaj gjykate. Që prej 1912-s nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një person i lidhur me pushtetin politik të shkonte të përgjigjej para një prokurori të pavarur”, vijoi Rama.

Ai veçoi rastin e burgosjes së Fatos Nanos, duke e cilësuar personin e fundit të burgosur politik në vend.

“Ka ndodhur për turpin tonë, burgosën politikisht dhe e burgosi i pari i vendit, kryetarin e opozitës, i fundit i burgosur politik në Shqipëri”, tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se i pari i vendit bëri sehir kur në bulevard u vranë protestues, ndërsa prokuroren e etiketoi me fjalë fyese.

“Ka ndodhur që i pari i vendit të bëjë sehir në vrasjen e protestuesve para dritares së tij dhe prokurori i përgjithshëm ka tentuar t’u çojë fletëthirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit për t’i pyetur. Ai që ishte aty para meje doli dhe e etiketoi me fjalë fyese”, deklaroi Rama.

Rama vuri në dukje se sot kjo nuk ndodh për arsye se ka ndryshuar diçka thelbësore.

“Ka ndryshuar drejtimi. Ne morëm një vendim që nuk e ka marrë kush më para. Morëm vendimin që punët e drejtësisë t’ia linim drejtësisë. Dhe ju e kujtoni, e kam thënë: na duhet një reformë në drejtësi të çlirojmë drejtësinë nga politika dhe na duhet një drejtësi e çliruar nga politika që të shikojë vetëm drejt e të godasë majtas e djathtas”, u shpreh Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›