Rama: 11 maji, zgjedhje mes interesit të një populli dhe hallit të një njeriu të vetëm

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot në Memaliaj një takim elektoral me socialistët e Memaliajt dhe Tepelenës.
Në fjalën e tij Rama falënderoi pjesëmarrësit për pritjen e cila, siç u shpreh ai, është pritja me entuziazmin dhe numrin më të madh të njerëzve në kujtesën e tij.
“Më besoni se është një ogur shumë i mirë për atë që së bashku do të realizojmë në 11 maj, kur më të shumtë se asnjëherë tjetër shqiptarët dhe shqiptaret në Shqipëri dhe jashtë kufijve do të bashkohen në rrugën tonë të përbashkët me Partinë Socialiste për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, tha Rama.
Zgjedhja e 11 majit, theksoi Rama, “është një zgjedhje shumë e qartë. Është një zgjedhje mes interesit të një popullit të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm. Është një zgjedhje mes të mirës së përbashkët të shqiptarëve pa dallim socialistë apo demokratë, majtas apo djathtas dhe interesit të një shtëpie të vetme. Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në në Evropë, apo Shqipërisë me “bufin e kënetës” prapë në gropë”.
“Unë e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë për shumë fjalime se juve gdhiheni me politikë, ngryseni me politikë. Unë e di shumë mirë se në këtë zonë nuk ka nevojë as të hapë gojën ai që vjen për të kërkuar mbështetje që ju ndërkohë ia keni lexuar të tëra mendimet, sepse ju e ndiqni përditë jetën politike të këtij vendi. E keni këtë, e keni pasur gjithnjë”, tha Rama.
“Kthejeni pak kokën pas dhe shikoni se ku ishte Tepelena, ku ishte Memaliaj, ku ishte qarku i Gjirokastrës kur ne morëm detyrën, falë besimit dhe mbështetjes tuaj”, tha Rama.
Në 11 maj, nënvizoi Rama, “na ka ardhur neve, fati e ka dashur që të na vijë neve shqiptarëve dhe shqiptareve të kësaj kohe mundësia që të bëjmë histori së bashku dhe të përmbyllim një kalvar të gjatë që fillon nga shumë larg, nga koha kur Gjergj Kastrioti, profeti i historisë tonë kombëtare, na e përcaktoi se nga duhet të shikonim: nga Evropa, jo nga Azia. Dhe pastaj brez pas brezash, shekuj pas shekujsh e kthyen atë profeci në një amanet kur Naim Frashëri shkroi: “Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, dhe kur pastaj të tërë më pas ata që luftuan për Shqipërinë, menduan ditën kur më në fund fëmijët e Shqipërisë do të ishin qytetarëve të Evropës”.
“Sot na ka ardhur në dorë ky fat që ta vendosim ne flamurin kuqezi në oborrin e Bashkimit Evropian, prandaj në 11 maj nuk është një zgjedhje midis kush bën më mirë rrugë, e kush bën më mirë ujësjellës. Nuk është një zgjedhje midis kush i rrit vërtetë pagat e kush bën sikur i rrit, se këto të gjitha dihen, dhe dihet që këto i bëjmë vetëm ne. Dihet që ekonominë e këtij vendi e kthyem në drejtimin e duhur vetëm ne. Dihet që edhe drejtësinë në këtë vend e sollëm si frymë dhe do ta vulosim si ligj e si zakon vetëm ne. Këto dihen”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “ajo që është përtej këtyre dhe që e bën votimin e 11 majit, jo një zgjedhje të zakonshme politike, por një vendim historik, popullor është se në 11 maj me mbështetjen e shqiptarëve ne duhet të përcaktojmë që nga zgjedhjet del një fuqi që ka mbështetje përtej partive për të mbyllur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në 2027-ën dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të hyjë në BE dhe të gjithë ju, të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë të marrin pasaportën evropiane të Shqipërisë”.
“Ajo pasaportë nuk është një dokumente tjetër udhëtimi, ajo pasaportë është një status i ri qytetarie. Ajo pasaportë i jep fund historisë së një populli që është trajtuar gjithmonë si popull i dorës së dytë. Ajo pasaportë i jep fund ndarjes sonë kur shkojmë jashtë në një korridor të veçantë, ku na pyesin ku po vete, sa lekë ke me vete, kë do takosh, kush të ka ftuar, ke hotel, s’ke hotel dhe kur do ikësh. Ajo pasaportë i jep fund ndarjes së fëmijëve tuaj kur shkojnë të studiojnë jashtë si të huaj nga ato që janë atje evropianë dhe i bën dhe fëmijët tanë fëmijë evropianë. Dhe kur të shkojnë të studiojnë me atë pasaportë nuk do të kenë më 10-fishin e kostos që ju duhet të mbuloni. Ajo pasaportë na bën ne përfundimisht jo vetëm me zakon, se me zakon jemi ne në mes të Evropës, por na bën ne edhe me dokument qytetarë të barabartë dhe s’ka më francez, e gjerman, e italian, e grek, e çfarë të dojë që të na shikojë nga lart poshtë”, tha Rama.
/r.e//a.f/