Barrozo: Këshilli i Sigurimit ishte bllokuar
Kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, ka vlerësuar se Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ishte në gjendje të zgjidhte çështjen e Kosovës, e jo Bashkimi Evropian. "Kush nuk ishte në gjendje të zgjidhte statusin e ardhshëm të Kosovës? Ky ishte Këshilli i Sigurimit të OKB, në të cilin ishte bllokuar zgjidhja", ka shpjeguar Barrozo në një intervistë dhënë gazetës vjeneze "Prese". "Bashkimi Evropian ka demonstruar se është i gatshëm dhe është në gjendje të udhëheqë me procesin e stabilizimit në Ballkanin Perëndimor dhe të lehtësojë zgjidhjen e çështjes së statusit", ka nënvizuar Barrozo. Kryetari i Komisionit Evropian ka theksuar se kur bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë, kjo është çështje kombëtare. "BE nuk disponon me kurrfarë kompetencash për këtë çështje. Konform kësaj, disa vende e kanë njohur, kurse të tjerat nuk e kanë njohur Kosovën", ka përfunduar Barrozo.