E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur mungon solidariteti për vetveten

I angazhuar për një kohë afërsisht 3-vjeçare me çështje të mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve, pa u shkëputur nga përditshmëria ime profesionale, në mënyrë shqetësuese kam konstatuar se mes sojit tonë, mungon diçka e domosdoshme. E kam fjalën për solidaritetin, jo për solidaritetin si kryeneçësi ndaj palës sonë partnere-pronarëve, por në përgjithësi për atë solidaritet që kontribuon në përmirësimin e mjedisit dhe kushteve tona si komunitet profesional.

Gjatë javës së shkuar, në takime me kolegë në Durrës dhe në Lezhë, kërkuam publikisht në emër të komunitetit tonë dhe të Unionit të Gazetarëve nga gjithë institucionet, kompanitë dhe subjektet e shërbesave publike të shqyrtojnë kërkesën për aplikimin e tarifave favorizuese për gazetarët. Fjala është për oferta favorizuese për komunitetin tonë nga ana e kompanive të shërbimeve të transportit, qofshin ato urbane dhe interurbane, tokësore, detare dhe ajrore, ndaj kompanive të shërbimeve telefonike, ndaj institucioneve të shërbimeve të shëndetit publik, ndaj gjithë network-ut të institucioneve socialkulturore.

Kjo kërkesë e jona është e shembullt me atë të kolegëve tanë në Perëndim dhe në vendet e BE-së. Natyrisht, ne jemi vetëm të vonuar në formulimin e një kërkese të tillë, sikundër, po të vonuar, jemi në përpjekjen konkrete për negocim dhe nënshkrim marrëveshjesh nominale me kompanitë dhe gjithë institucionet përkatëse. Kjo nismë e afishuar si pjesë përbërëse e sloganit tonë "Solidaritet për vetvete", çuditërisht deri tani ka gjetur shumë pak hapësirë publikimi dhe po kaq pak përkrahje nga kolegët tanë nëpër media. Indiferent ndaj saj më së shumti janë sidomos editorët e këtyre mediave. Dikush mund të gjegjet se editorët e medias kombëtare në vend, janë të vetëmbrojtur financiarisht nga shpenzime të tilla, për shkak se infrastruktura për këto shërbime pronotohet dhe mbulohet prej pronarëve. Natyrisht, në shumicën e rasteve, ngjet pikërisht kështu. Dhe për këtë duhet thënë fjala e mirë për ata pronarë dhe posedues mediash që respektojnë realisht detyrimet ndaj shërbesës profesionale dhe kualitetit që kërkon ajo në raport me gazetarin. Mirëpo, pjesa dërmuese e komunitetit, shumica e gazetarëve të këtij vendi, jeton ende në varfëri. Jo në varfëri të skajshme, por në një shtrëngesë ekonomike, e cila mund të konsiderohet fytyra reale e lirisë profesionale në vend.

Është vërtet e pakrahasueshme me homologët tanë në vende të tjera përreth Shqipërisë dhe aq më tepër në BE, nëse shqyrtohet fakti që mesatarisht një reporter aktiv në shtypin e shkruar apo median audiovizive kombëtare, sot është i detyruar të paguajë një faturë telefonike prej rreth 200 eurosh në muaj. Ndërkohë që paga mujore e tij nuk shkon deri në 400 euro. Kjo është një shifër reale, e verifikuar dhe e mbështetur në të dhëna të përshkruara nominalisht prej kolegëve tanë në një pyetësor që kemi shpërndarë si Union i Gazetarëve. Kjo tarifë mujore është realisht shumë vrasëse për financat individuale dhe familjare të reporterëve tanë. Por kjo është vetëm një faturë. Janë disa të tjera që e bëjnë vërtet edhe më të rënduar hallin financiar mujor të tij. Po kaq e vërtetë është kjo, sa rreth 30 për qind e reporterëve të medias kryesore në vend, janë ende në banesa me qira dhe me detyrime të konsiderueshme nëpër banka për shkak të kredive.

Ky është një element që shenjon realisht nivelin financiar dhe pse jo, mirëqenien kritike të shumicës së komunitetit të njerëzve të medias në vend. Përballë këtyre fakteve të rëndësishme, sërish mungon solidariteti i reagimit, për ndryshim të statusit social të gazetarëve. Nuk përmendim këtu, atë reagim që përbën normën kryesore të partneritetit të tyre në marrëdhënien me pronarët: Për këtë çështje, prej kohësh kemi konsumuar arsyetimet dhe vazhdojmë itinerarin tonë negociues dhe sensibilizues. Por reagimi dhe solidariteti për të respektuar statusin dhe cilësitë që ka e drejta e ushtrimit të këtij profesioni, në nivele të tilla, ndër të tjera dëshmojnë edhe problemin tonë të brendshëm komunitar. S‘ka rast të tillë të dytë në rajon dhe, aq më tepër në kontinentin tonë që gazetarët të mbartin kompleksin dhe drojen ndaj të drejtave të tyre. Këto të drejta nuk mund të realizohen vetjakisht dhe mbi principin e nepotizmit apo flirtimeve me protagonistët dhe personalitetet me pushtet. Këto të drejta mbrohen vetëm përmes negocimit formal dhe institucional. Ky aspekt përbën thelbin e së vërtetës që lidhet me mungesën e prestigjit dhe integritetit tonë në raport me pushtetet që qeverisin dhe administrojnë këtë vend, me pushtetet që deformojnë dhe mbajnë në ngathtësi lëvizëse këtë shoqëri. Kjo është e meta më serioze që shpërfaq në përditshmëri komuniteti i gazetarëve shqiptarë. Një komunitet që nuk përfaqëson dhe mbron të drejtën e vet, s‘ka se si pasuron besueshmërinë për aksionin dhe aspiratën e tij të shpalljes së të drejtave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›