Bashari: ILDKPKI ka dorëzuar mbi 800 raporte për gjyqtarë e prokurorë në procesin e vettingut

Në kuadër të 30-vjetorit të partneritetit të Shqipërisë me Këshillin e Europës dhe 35-vjetorit të bashkëpunimit me Komisionin e Venecias, u zhvillua sot një tryezë e përbashkët mbi reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.
E pranishme në këtë tryezë, kryetarja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), Evgjeni Bashari, vuri në dukje rolin kyç të institucionit që drejton në procesin e vettingut, duke theksuar se “ILDKPKI ka përgatitur më shumë se 800 raporte verifikuese për subjektet e rivlerësimit”.
Sipas Basharit, procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë “zemra e reformës në drejtësi”, duke e cilësuar atë jo si një instrument teknik, por si “një proces gjithëpërfshirës që mat ndershmërinë dhe profesionalizmin e atyre që u besua dhënia e drejtësisë, me qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve te shteti i së drejtës”.
“Vettingu tregoi se reforma në drejtësi nuk është ligj, por kulturë integriteti dhe besimi që kërkon vazhdimësi, vendosmëri, mbikëqyrje institucionale dhe angazhim politik e shoqëror.Ky proces nuk ishte vetëm kontroll pasurie apo figure, ai ishte një proces institucional 360 gradë, duke synuar krijimin e një kulture të re të përgjegjësisë publike,” tha Bashari.
Ajo theksoi se vettingu ka treguar se “reforma në drejtësi nuk është thjesht ligj, por kulturë integriteti dhe besimi që kërkon vazhdimësi, vendosmëri, mbikëqyrje institucionale dhe angazhim politik e shoqëror”.
Duke reflektuar mbi sfidat aktuale, Bashari u ndal edhe te ngjarja e rëndë e ndodhur pak kohë më parë me humbjen e jetës së gjyqtarit Astrit Kalaj, duke e cilësuar si “një pasqyrë e dhimbshme e krisjes së besimit ndaj drejtësisë dhe e dobësive të një reforme ambicioze, që ende ka nevojë për mekanizma plotësues”.
“Ngjarja e ndodhur brenda një gjykate është më tepër se sa thjesht një ngjarje e rëndë. Është një pasqyrë e dhimbshme e vazhdimit të krisjes së besimit ndaj drejtësisë dhe dobësive të një reforme, ndoshta ambicioze dhe me efekte të prekshme, por që ende ka nevojë për të plotësuar mekanizma të tjerë.”
Ky rast, tha ajo- na kujton se drejtësia nuk funksionon vetëm përmes ligjeve, institucioneve apo kontrolleve, por përmes njerëzve dhe kulturës së integritetit që e mbështet atë.
Duke folur për rolin e ILDKPKI dhe Komisionit të Venecias, ajo tha se “secili në respektim të rolit të tij institucional, ka luajtur një rol vendimtar dhe të pandalshëm në proces”.
Më teja ajo theksoi se “¾ e vlerësimeve të KPK-së për shkarkimet janë bazuar plotësisht ose pjesërisht në gjetjet e ILDKPKI”.
“ILDKPKI dhe Komisioni i Venecias, secili në respektim të rolit të tij institucional, ka luajtur një rol vendimtar dhe të pandalshëm në proces. Në kuadër të reformës në drejtësi, ILDKPKI ka qenë një hallkë kyçe në procesin e vettingut duke siguruar bazën faktike për verifikimin e pasurisë dhe interesave private të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mbështetja e procesit të vettingut, si një prioritet institucional, ka pasur angazhimin maksimal nga ILDKPKI duke përgatitur më shumë se 800 raporte verifikuese për subjektet e rivlerësimit. Vlen të theksohet se ¾ e vlerësimeve të KPK-së për shkarkimet janë bazuar plotësisht ose pjesërisht në gjetjet e ILDKPKI.”
/rtsh.al/