"Ndotja, varr i hapur për Elbasanin"
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit vjen në këtë post pas një odiseje të gjatë. Përballë kandidatit demokrat, Luçiano Boçi, ai fitoi me një diferencë të vogël, e për këtë arsye iu desh të priste gjatë për t‘u zyrtarizuar si qytetari i parë i Elbasanit. Kur u ul në karrigen e kryebashkiakut, nuk ishte pa përvojë. Ai ngjiti shkallët e pushtetit mes dritë-hijeve si i djathtë dhe i majtë, në këtë qytet që s‘para i vë shumë re ndasitë politike. Sidoqoftë, karriera e tij, pas profesionit të pedagogut të histori-gjeografisë, nisi me biznesin, kreun e Dhomës së Tregtisë për disa vite, prefekt e kryetar i PS-së së rrethit më pas, dhe tani si kryetar i Bashkisë së Elbasanit mbetet në "ujërat" politike të socialistëve, sikurse mbetet mes mikut Nano dhe kryetarit Rama.
Si ndiheni pas një viti në postin e kreut të bashkisë?
Siç janë ndjerë paraardhësit e mi me radhë, demokratë e socialistë. Të drejtosh në Elbasan është një privilegj, pasi ky komunitet është dhe mbetet i urtë, mirëkuptues dhe modest. Aq më tepër që unë jam elbasanlli denbabaden, por tashmë unë dhe të gjithë ne që jetojmë në këtë qytet, e ndiejmë veten elbasanas tolerantë e vizionarë për kohën që jetojmë.
E keni nisur punën nga "hiçi", apo mbi themele të ngritura më parë?
Askush nuk mund të thotë se një kryetar bashkie pas më shumë se 17 vjet të ekzistencës së këtij institucioni e nis punë nga zeroja. Më lejoni të vlerësoj punën e të parit kryetar bashkie, të ndjerit Emin Haxhiademi, për të ardhur më pas në shkallët vlerësuese gjithashtu të elbasanasit vizionar, Dakli, të tolerantit dhe "rebelit" politik të PS-së, Domi, e tek i fundit Turku. Puna ime ka nisur aty ku e la Adrian Turku, për të vazhduar më tej projektet e tij për të mirën e këtij qyteti, por kjo nuk do të thotë se unë punoj me "fletoret" e tij. Unë dhe stafi im kemi edhe programet tona, që shkojnë në sinkron me nevojat e komunitetit.
Cilat janë projektet tuaja?
Nuk do të doja që në gazetën tuaj të bëja një ekspoze të gjatë të programeve, por dua të shënoj se ambiciet tona janë për rritjen e të ardhurave, uljen e papunësisë, krijimin e mundësive për strehim, rritjen e nivelit jetik, zhvillimin e arsimit dhe kulturës. Për të gjitha këto kemi arritur jo pak, por kjo nuk do të thotë që jemi në majë.
Ju kanë kritikuar kur pretë pishat shekullore të bulevardit ndanë kalasë dhe prishët tërë hapësirën e asfaltuar të kësaj shëtitoreje me emrin "Qemal Stafa"...
Më shanë ata që nuk e kuptonin se çfarë po bëja dhe heshtën ata që prisnin se diçka më mirë do të bëhej. Është një projekt bashkëkohor për këtë bulevard, vlera e të cilit shkon në rreth 40 milionë lekë dhe ka nisur të zbatohet. Pishat që kishin zaptuar pamjen e Kalasë u hoqën, që kjo vlerë monumentale historike, si e vetmja kala fushore shqiptare, të dalë në pah. Për festën e madhe të Ditës së Verës bulevardi do të jetë ndoshta më i mirë dhe më funksional se ai i kryeqytetit. Kur të përfundojë, besoj se të gjithë do ta mirëkuptojnë "dëmin" që i solla qytetit.
Diçka për ndotjen...
E kemi peshqesh që nga ai regjim që elbasanasit e kanë duartrokitur ftohtë. Kam qenë i mendimit që industria e Elbasanit të vazhdojë ciklin e saj, sepse nuk mund të zhvendoset tashmë, por kërkoj që të rigjenerohet teknologjia e të ulet ndotja. Aktualisht jemi qyteti më i ndotur në vend, vetëm për shkak të industrisë. Por, për aq kohë sa tri kompanitë e mëdha industriale do të kenë varësi vertikale, pushteti vendor nuk ka kompetencë t‘ua vendosë kufirin "te thana". Jam përpjekur dhe do të përpiqem që brezi që po rritet dhe do të lindë, të jetojë në një mjedis ndryshe nga ky që kemi. Kjo dukuri mbetet një plagë e hapur për të mos thënë një "varr i hapur" për këtë qytet.
Marrëdhëniet tuaja me Nanon e Ramën?
Nanon e kam pasur dhe e kam mik. Ne elbasanasit nuk i hedhim miqtë. Ai ka vlera në politikën shqiptare, pavarësisht nga oshilacionet. E vlerësoj mençurinë e tij, sikurse çmoj vitalitetin e Edi Ramës si kryetar bashkie e kryetar partie me një vizion të ri. Le të mbeten të dyja vlerat brenda PS-së dhe të majtës, se veç të mira mund të na vijnë prej kësaj.
Po me Berishën?
Replikat mes nesh tashmë kanë mbetur në kapitujt e mbyllur të fushatave elektorale. Marrëdhëniet janë sa korrekte, aq dhe institucionale. Pse të mos e vlerësoj edhe punën e tij. Po sikur Berisha të dëgjonte apo të kishte këshilltarë ndryshe, do të ishte më mirë.