Prezantohet shefi i ri i Komisariatit të Gjirokastrës
Artan Osmani, 33 vjeç, me gradën inspektor, pas 3 muajsh në detyrën e shefit të Komisariatit në Koplik të Malësisë së Madhe është emëruar dje në krye të bluve të Komisariatit të Gjirokastrës, në ekstremin jugor të vendit. Drejtuesi i ri i policisë së Gjirokastrës është prezantuar dje si shef komisariati në prani të efektivave të policisë së rrethit të Gjirokastrës, duke u emëruar kështu si shefi i tretë brenda 9 muajve të fundit. Prezantimi i tij para efektivave është bërë nga drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Hysni Burgaj, i cili para shefave të sektorëve të policisë së rrethit e ka prezantuar Artan Osmanin si një eksponent të devotshëm dhe të suksesshëm në kryerjen e detyrave të mëparshme në Tropojë e Malësi të Madhe. Drejtori Burgaj ka vlerësuar eksperiencën e shefit të ri të Komisariatit të Gjirokastrës në veprimtarinë drejtuese në disa funksione të mëparshme, ndërkohë që vetë drejtuesi i ri i Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, Artan Osmanaj, gjatë fjalës së tij të shkurtër para efektivit, ka premtuar rritje të efikasitetit të punës në policinë e Gjirokastrës dhe luftën pa kompromis ndaj fenomeneve shqetësuese, që në jo pak raste kanë gjetur terren në zonën jugore. Emërimi i Osmanajt në krye të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës ka ardhur një javë pas përjashtimit nga radhët e Policisë së Shtetit të Bejkush Sinës. Ky i fundit u përjashtua me urdhër të veçantë të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, pasi në mënyrë të vazhdueshme kishte shkelur ligjet e Policisë së Shtetit.