Kodheli: Qeveria të zhdëmtojë fermerët
Tiranë- Pas deklaratës së ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, se qeveria nuk do të japë asnjë lek për dëmshpërbilimin e fermerëve ka reaguar Partia Socialiste. Në emër të saj, Mimi Kodheli, përmes një deklarate për shtyp ka akuzuar qeverinë për paaftësi dhe papërgjegjshmëri totale.
“Nuk është aspak dinjitoze për një qeveri që t’u kthejë kurrizin qytetarëve të dëmtuar nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i saj siç janë dëmtuar mijëra familje në fshat, të cilave sot ministri i Qeverisë Berisha u tregoi se për këtë Kryeministër e për këtë qeveri në fshat s’ka njerëz, por qenie të gjalla që duhet ta gjejnë vetë rrugën e mbijetesës edhe kur për faj të shtetit mashtrohen nga privati që u shet farë misri falco”- tha ajo.
Ajo ka cituar nenin e kushtetutës, në bazë të të cilit kreu i PS-së, Edi Rama një ditë më parë deklaroi se ka gati një draft për të munmdësuar dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga mistri pa kokrra.
“Këtyre qeveritarëve të paaftë e të pandjeshëm ndaj hallit të madh të mijëra familjeve po u lexoj nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Kushdo ka të drejtë të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore”- përfundoi ajo.