Gjirokastër, 11 ansamble në garë për Folklorikun
Gjirokastër- Për tri ditë me radhë, në datat 27, 28 dhe 29 shtator qyteti i Gjirokastrës do të mirëpresë 11 ansamble nga vende të ndryshme, për të çelur në këtë mënyrë siparin e të parit festival folkorik ndërkombëtar, i titulluar Fest-Argjiro 2008.
Rreth 500 artistë nga tetë shtete si Italia, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria do të konkurrojnë për tre netë me radhë, për të marrë kupën e tij.
Por, kalaja e Gjirokastrës nuk do të shërbejë këtë herë si skena e madhe, ku do të buçasin tingujt folklorikë; për këtë qëllim do të shërbejë teatri veror i Bashtesë së Teqesë.
Në fakt, në muajin tetor duhej të zhvillohej Festivali Folklorik Mbarëkombëtar, të cilin qyteti i gurtë e ka traditë, por një vendim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e shtyu atë për në vitin 2009. E në Gjirokastër, vendin e tij e zë një tjetër festival, me të njëjtën frymë por me gjeografi më të gjerë.