Skandal në ARMO, mungojnë 100 mln USD
Procesi i shumëpërfolur i privatizimit të ARMO-s është pasuruar me të tjera skandale. Gjatë diskutimeve për miratimin e marrëveshjes në komisionin parlamentar të ekonomisë, deputetët e opozitës kanë bërë të ditur se në investimin e premtuar të kompanisë fituese mungojnë rreth 100 milionë dollarë. Në dokumentacion, dhe në prezantimin e projektit gjatë garës, kompania ka paraqitur vlefta në monedha të ndryshme. Kështu, shumat, nga dollarë në euro paraqesin diferencë të konsiderueshme.
Ndër investimet e pritshme për pesë vitet e ardhshme në kompaninë ARMO mund të mungojnë rreth 100 milionë dollarë. Gjatë debateve për ratifikimin e kontratës për shitjen e 85 % të aksioneve të ARMO, deputetët e opozitës u shprehen se investimet e parashikuara janë paraqitur herë në dollarë e herë në euro, çka sjell një diferencë prej rreth 100 milionë dollarësh.
Arben Malaj, nënkryetar i komisionit të Ekonomisë tha se: N”ëse ndryshimet e investimit, do të paraqiten të vërteta, atëherë konsorciumi, mund të mos ishte fitues në garën ndërkombëtare.
Në përgjigje të akuzave, zëvendës Ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, i cili drejton edhe komisionin e Vlerësimit të Ofertave, tha se gjithçka është një lapsus, dhe dokumentet mund të verifikohen, pavarësisht se vendimi tashmë është marrë.
Të drejtën e 85 për qind të aksioneve të ARMO-s, tashmë dhe me miratimin e Komisionit të ekonomisë e ka marrë AMRA Oil dhe konsorciumi Refinery Associates of texas, Anika enterprises & Mercury energy gropup. Brenda fundit të vitit, pritet që të bëhet dhe derdhja e 158 milionë e 750 mijë euro.