E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Evropian përgatitet për pavarësinë e Kosovës

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha të hënën se "me shumë gjasa" unioni do të autorizojë dërgimin gjatë kësaj jave në Kosovë të një force për "siguri e drejtësi", në pritje të shpalljes së pavarësisë nga liderët e saj. Zyrtari i lartë evropian foli për "Reuters" në kushtet e anonimatit, duke qenë se nuk është i autorizuar të japë deklarata për mediat. Prej kohësh BE-ja po përgatitet për dërgimin e një force tranzicioni në Kosovë, e cila, sipas deklaratave, do ta shpallë pavarësinë në fund të kësaj jave.

Serbia vazhdon t‘i kundërvihet me ngulm gjasave që provinca të shkëputet prej saj, e mbështetur nga Rusia, e cila ka bërë të ditur se do të bllokojë çdo njohje zyrtare të shtetit kosovar nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Për "Reuters", me gjithë qëndrimin e ashpër të Rusisë, e sidomos Serbisë, nuk priten zhvillime të dhunshme. Pakënaqësia e serbëve ndaj Kosovës së pavarur zbutet fort nga ambiciet e Presidentit të saj të saporizgjedhur, për ta bërë vendin pjesë të Bashkimit Evropian.

Problemi qëndron te frika e serbëve të Kosovës se do të mënjanohen edhe më tej nga shoqëria kosovare, madje disa syresh flasin për largimin nga shtëpitë pas shpalljes së pavarësisë. Ndërkaq, kosovarët thonë se krimet e tmerrshme të kryera nga serbët gjatë fushatës së spastrimit etnik janë shumë të freskëta dhe vështirë të harrohen.

"Pika që Kombet e Bashkuara dhe ekzekutivi kosovar e kanë trajtuar shumë mirë dhe me përparësinë e duhur, është këmbëngulja që kanë treguar në shtyrjen e serbëve për të lënë mënjanë frikën e të qëndrojnë në shtëpitë e tyre", tha Tomas Valasek, drejtor për mbrojtjen dhe politikat e jashtme në Qendrën e Reformave Evropiane në Londër.

Eksperti shtoi për "Reuters" se frika e serbëve është e justifikueshme, por nënvizoi se Thaçi i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme që t‘u tregojë se nuk ka vend për frikë: "Mendoj se Thaçi kërkon me sinqeritet të shihet më shumë si lider i një shteti se sa si lider gueriljesh".

Kundërshtimi serb i pavarësisë së Kosovës, sipas analistëve, mund t‘i ketë rrënjët te fakti se Serbia u detyrua të shihte se si i zvogëlohej pushteti pas luftërave të viteve ‘90. Me kalimin e viteve, ish-Jugosllavia pa t‘i shkëputeshin gradualisht republikat e Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës dhe Maqedonisë.

"Të gjithë serbët e vërejnë këtë proces si dobësimin e pushtetit të vetë atyre", tha për "Reuters" Robin Shefërd, analist në "Chatham House", një think tank londinez. "Gjithashtu cenon ndjenjat e një kombi në rënie dhe kjo e bën problem edhe më të nxehtë".

Kundërshtime të forta vijnë gjithashtu edhe nga Rusia e largët, e cila ndihet e lidhur me Serbinë, për shkak të rrënjëve të përbashkëta sllave dhe ortodokse. "Në politikën e jashtme ruse ka qenë kaherë e pranishme tema e vëllazërisë sllave", tha Valasek.

Kërkohet flamur dhe himn i ri

Orkestra Filarmonike e Kosovës po bën provat përfundimtare dhe sheshet janë bërë gati për të pritur festimet. Shtetit më të ri në botë tashmë i duhet veç një himn, një flamur, një Kushtetutë, njohje ndërkombëtare, si edhe paqtimi me fqinjin e zemëruar. Për britaniken "Time", përveç këtyre, do të ketë edhe një ndryshim të vogël në emërtimet në hartën e shteteve të Ballkanit. Dikur ajo që njihej si provincë e Serbisë me emrin Kosovo, do të ndërrohet në Republika e Kosovës, ashtu si e quajnë vendin e tyre shqiptarët e Kosovës dhe ata të të gjitha trevave të tjera.

"Ne nuk e quajmë Kosovo, e quajmë Kosova", u tha gazetarëve të "Time" Fadil Hysa, një prej këshilltarëve të Kryeministrit. "Për shqiptarët ka qenë përjetësisht Kosova. Tani do të quhet Republika e Kosovës".

Por mjafton edhe vështirësia për gjetjen e një flamuri të përshtatshëm për shtetin, për të kuptuar sa e vështirë do të jetë faza e tranzicionit. Nëpër gjithë Kosovën vërehet flamuri shqiptar. U mbajt nga UÇK-ja gjatë betejave kundër serbëve për çlirim. Por, në të kundërt të dëshirës së popullit kosovar, Kombet e Bashkuara kërkuan një version tjetër, i cili nuk do të provokonte pakicën serbe që banon në vend. Falë një gare gjithëpërfshirëse, u paraqitën 887 propozime, disa nga vende aq të largëta sa ç‘është Zelanda e Re apo nga Shtetet e Bashkuara, përfshi këtu edhe shtatë nga Serbia.

Sot në garë janë tre dizajne, në pritje të vendimit që do të merret nga Parlamenti kosovar. Dy prej tyre bazohen në trekolorin e zi, të kuq dhe të bardhë dhe në njërin prej tyre është vendosur një spirale, e cila përfaqëson një simbol të Mbretërisë Dardane, të epokës së Bronzit, e cila shkëlqeu në shekullin e katërt para Krishtit. Mësohet se në dizajnin e tretë është vendosur harta e Kosovës, e rrethuar nga pesë yje të verdhë mbi sfond blu.

Te dy të parët shfaqen ngjyrat tradicionale shqiptare (kuq e zi), ndërsa i treti kujton rrethin me yje të artë të flamurit të Bashkimit Evropian - një nënvizim i vullnetit për t‘u bërë pjesë e Evropës Perëndimore. Kosova do të ketë gjithashtu edhe emblemën e saj, ku me shumë gjasa do të paraqitet objekti arkeologjik më i çmuar i vendit, një statujë 6 mijëvjeçare e punuar në terakotë.

Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Prishtinës, tha për "Time": "Hyjnesha e Fronit është një simbol i trashëgimisë dhe identitetit kulturor kosovar. Është njëherësh simbol i pranueshëm nga të gjitha komunitetet në Kosovë, pas nuk ka në vete sfond etnik".

Vetë Hadri po këmbëngul për vendosjen e spirales dardane në flamurin e ri. "Spiralja është simbol i diellit që rrotullohet në përjetësi, si jeta. Nuk mund të ndryshohet identiteti i njerëzve. Është më mirë që për një shtet të ri të vendosen simbole krejtësisht të reja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›